Edhe finlandezët mendojnë daljen nga Eurozona

  • 28 April 2016 - 20:49
Edhe finlandezët mendojnë daljen nga Eurozona

Pas britanikëve, edhe finlandezët duken të lodhur me euron dhe hipoteza e një referendumi për “Fixit”, siç e quajnë mediat ndërkombëtare, po merr formë.

Pas një peticioni të firmosur nga 50 mijë qytetarë, ideja e një vote popullore mbi qëndrimin apo jo në Eurozonë do të shtrohet për diskutim në Parlament.

Ishte një politikan i opozitës ai që i rihodhi benzinë zjarrit të debatit mbi monedhën e përbashkët dhe foli për herë të parë hapur për shkëputje.

Edhe pse për Finlandën e përballur me probleme financiare, një skenar i tillë duket i largët, numri i firmave të mbledhura nënkupton se Parlamenti është ligjërisht i detyruar të diskutojë referendumin.

Peticioni u propozua nga 69-vjeçari Paavo Vayrynen, i cili ka mbajtur pozicionin e ministrit në disa qeveri të mëparshme.

Një sondazh i realizuar nga televizioni publik YLE dhjetorin e shkuar tregoi se 31 për qind e të intervistuarve ishin në favor të daljes nga Eurozona, ndërkohë që katër vjet më pare idenë e mbështesnin vetëm pesë për qind e finlandezëve.

Rritja e ndjeshme e euroskepticizmit në vend, ashtu siç ka ndodhur edhe në disa shtete të tjera të Evropës, shpjegohet kryesisht me krizën ekonomike. Finlanda ka vuajtur pasojat e anëtarësimit në Eurozonë, argumenton Vayrynen, që sjell si shembull Suedinë fqinje, ekonomia e së cilës pas vitit 2008 është rritur me tetë për qind apo më shumë, ndërsa ajo finlandeze, sipas tij, është rrudhur me gjashtë për qind.

(Kosova Sot)