Binjaket e ngjitura nuk duan të ndahen

  • 28 April 2016 - 21:14
Binjaket e ngjitura nuk duan të ndahen

Pin dhe Pan kanë dy koka, dy kraharorë dhe dy duar, por vetëm një palë këmbë

Shumë motra binjake janë të afërta, duke ndarë gjithçka midis vete, duke filluar nga rrobat, e deri te sekretet më të mëdha. Por, binjaket shtatëvjeçare, Pin dhe Pan, janë me të vërtetë të pandara, meqë janë të ngjitura për beli dhe të dyjat kanë vetëm dy këmbë. Pin kontrollon njërën, kurse Pan kontrollon këmbën tjetër. Ato kanë mësuar si të ecin, të vishen, të hanë, bile edhe ta ngasin triçikletën, sikur të ishin një person. Doktorët kanë përmendur mundësinë që motrat të ndahen, por lidhja midis tyre është aq e fortë, saqë të dy binjaket thonë se duan të mbesin të bashkuara deri në vdekje, raporotn Gazeta Kosova Sot

Në distanca më të largëta, lëvizin me një triçikletë Binjakët e ngjitur janë dukuri e rrallë, meqë paraqiten njëherë në çdo 2.5 milionë lindje. Binjaket jetojnë në Nakhon Savan, rreth 250 km në veri të Bangkokut, bashkë me gjyshen dhe gjyshin e tyre, të cilët i përshkruajnë ato si fëmijë normalë, të gëzuar. "Atyre iu pëlqen që të këndojnë, të hanë akullore, t'i ndihmojnë njëra-tjetrës gjatë veshjes dhe argëtohen bashkë", thotë gjyshja e tyre, Noknoi Pongchumnan. Pin dhe Pan ia kanë dalë që të mësohen si të ecin me duar e këmbë. Për distanca më të largëta, ato lëvizin me një triçikletë. Kur janë në shkollë, një mësues i lëviz ato me anë të një karroce invalidore. Binjaket vijojnë Shkollën speciale "Nakhonsawanpunyanukul", ku janë të preferuara si për nxënësit e tjerë, po ashtu edhe për mësuesit. Mësuesi i tyre, Prateep Suthat, thotë se, në fillim, fëmijët mendonin se binjaket ishin të ndryshme nga ta, pyesnin vazhdimisht si ishte e mundur që dy njerëz ta kenë një trup, donin t'i shihnin nga afër. Por, pasi kaloi një kohë, fëmijët kuptuan se Pin dhe Pan janë të njëjtë me fëmijët e tjerë, kështu që ata luajnë bashkë tani. Mësuesit dhe gjyshërit e binjakeve shpresojnë se ato do të edukohen, duke u aftësuar për jetë të pavarur në të ardhmen. "Do të doja që Pin dhe Pan të punësohen në të ardhmen, meqë ato kanë potencial dhe aftësi për këtë", thotë mësuesi Sunan Japan.

Gjyshi ndihet krenar me binjaket Gjyshja e tyre ka shpresa të mëdha për binjaket - ajo dëshiron që binjaket ta kryejnë fakultetin dhe të bëhen mjeke, në mënyrë që t'u ndihmojnë të tjerëve që kanë probleme. "Herën e parë kur i pashë, u trondita. Nuk prisja që mbesat e mia të ishin të ngjitura", thotë ajo. "Ajo u kthye nga spitali duke qarë", tregon gjyshi i vajzave, Sanay Rompoyen. Edhe vetë Rompoyen pranon se, gjatë muajve të parë pas lindjes, i vinte gjynah nga binjaket. Por, ai tani thotë se ndihet krenar me to edhe pse ndonjëherë ato dinë edhe të llastohen. "Atyre nuk iu pëlqen t'u thonë se çka duhet bërë. Nëse duan të bëjnë diçka, ato do ta bëjnë atë. Binjaket janë fëmijë shumë spontanë dhe kokëfortë", thotë ai. Përkundër asaj se janë të ngjitura fizikisht, binjaket Pin dhe Pan kanë personalitete tepër të ndryshme. "Njëra preferon që të ketë flokë të shkurtër, derisa tjetra dëshiron t'i rritë. Njëra preferon që të hajë pite, derisa tjetra jo", thotë gjyshja e tyre. Dhe, binjaket ende insistojnë se nuk duan të ndahen, përkundër asaj që mjekët e kanë përmendur një mundësi të tillë. "Ndoshta do të ishte mirë sikur ato të ndaheshin", thotë gjyshi i tyre dhe shton: "Por, nuk mendoj se një gjë e tillë është e mundshme dhe ato janë të lumtura kështu si janë". Kurse gjyshja thotë: "Kurrë nuk kam dëshiruar t'i shoh të ndara, edhe sikur kjo të ishte e mundur. Një gjë e tillë kurrë nuk më ka shkuar ndërmend". 

(Kosova Sot)