Ditë të rënda po vijnë për oligarkët

  • 29 April 2016 - 07:57
Ditë të rënda po vijnë për oligarkët

Aksioni i nisur nga EULEX-i, paralajmërim për mafio-politikën

Para drejtësisë, të gjithë do të japin llogari

"Bindja ime, që më ka udhëhequr tërë këtë kohë, është se do të vijë koha kur keqpërdorimi i besimit dhe keqpërdorimi i pasurisë do të ndëshkohen", tha kreu i Antikorrupsionit, Hasan Preteni, për "Kosova Sot" 

Aksionin e ditës së mërkurë nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, për kapjen e një grupi të madh kriminal dhe nxjerrjen para drejtësisë, përfaqësues të politikës kosovare, institucioneve antikorrupsion dhe nga shoqëria civile, po e shohin si një paralajmërim serioz edhe për kokat e tjera të politikanëve mafiozë, që gjithsesi do të duhej jo vetëm t'i trembë, por edhe t'i nxjerrë para drejtësisë të gjithë politikanët që kanë bërë pasuri të madhe të paligjshme me korrupsion e krim të organizuar. Sido që të jetë, për të arritur qëllimin e plotë të kësaj nisme, kërkohet akoma një vullnet më serioz politik për mbështetje nga institucionet e Kosovës.

"Koha për goditjen e krimit dhe korrupsionit ka qenë pardje, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë derisa do të mungojë vullneti politik i institucioneve vendore për luftë të vërtetë ndaj këtyre dukurive të shëmtuara. Kurse vullneti politik do të mungojë derisa vendi të udhëhiqet nga struktura të korruptuara e të involvuara në krim të organizuar, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë as me pjesëtar të EULEX-it të korruptuar", tha për "Kosova Sot" deputeti nga partia më e madhe parlamentare në opozitë, Lëvizja "Vetëvendosje!", Ismail Kurteshi.

Një ditë, keqbërësit do të ndëshkohen

Sipas Kurteshit, EULEX-i shumë herë ka premtuar kapjen e "peshqve të mëdhenj", por përherë ata i rrëshqitnin nga duart dhe aksionet përfundonin pa rezultate ose, çka është edhe më keq, kriminelët dhe të korruptuarit dilnin të pafajshëm. "Bazuar në punën dhe deklarimet pompoze në të kaluarën, që kryesisht përfunduan në spektakle mediatike pa asnjë rezultat, ose me rezultate tragjike-komike, as tani nuk priten rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit as nga aksioni, as nga deklarimet e fundit të EULEX-it e as të zyrtarëve të lartë të vendit. Megjithatë, nuk është e largët dita kur ndryshimet pozitive në këtë vend do të ndodhin dhe secili do të japë llogari para organeve të drejtësisë", tha për deputeti Kurteshi. Më optimist në shkuarjen përtej këtij rasti në ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me veprime të kundërligjshme është shprehur kreu i AKK-së Hasan Preteni.

"Bindja ime, që më ka udhëhequr tërë këtë kohë, është se do të vijë koha që keqpërdorimi i besimit dhe keqpërdorimi i pasurisë do të ndëshkohen", tha Preteni për "Kosova Sot". Me këtë optimizëm i sheh zhvillimet vijuese edhe Ariana QosajMustafa nga Instituti KIPRED. "Hetimet dhe ngritja e aktakuzave për rastet e "peshqve të mëdhenj" sikur që njihen, janë gjithmonë të mirëseardhura. Posaçërisht në kontekstin e Kosovës, kur e dimë se pozitat në pushtet iu kanë garantuar politikanëve të profilit të lartë me një lloj imuniteti edhe prej hetimeve. Shpresojmë se këtë herë rasti do të shkojë deri në fund me dëshmi të mjaftueshme para gjykatës, që të marrin edhe vendim meritor", ka thënë ajo. "Kemi pasur përvoja të hidhura, sepse shumë aktakuza janë ngritur në të kaluarën, por pastaj në mungesë të provave janë liruar", tha Qosaj- Mustafa për "Kosova Sot"...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)