Bisedimet me Serbinë bllokojnë ‘Trepçën’

  • 29 April 2016 - 08:14
Bisedimet me Serbinë bllokojnë ‘Trepçën’

Fati i gjigantit metalurgjik, në duart e politikës
Strategjia dhe Projektligji për 'Trepçën' bëhen gati pas dialogut

Opozita vlerëson se Qeveria po përpiqet të fitojë kohë dhe të hedhë mjegull në opinion, ndërsa do ta shqyrtojë çështjen e 'Trepçës' në procesin negociator në Bruksel, si në rastin e Asociacionit

Heshtja e deritashme e Qeverisë së Kosovës se përse nuk po e miratojnë Projektligjin dhe strategjinë për kombinatin 'Trepça' ndërlidhet me politikën. Fati i mëtejmë i Kombinatit 'Trepça' do të dihen vetëm pas përfundimit të bisedimeve me palën serbe, që po mbahen në Bruksel. Kështu kanë deklaruar burime nga koalicioni në pushtet, që janë në rrjedha me procesin e bisedimeve me palën serbe, dhe që kanë folur në kushte të anonimitetit.

Qeveria e Kosovës në janar të vitit të kaluar e pati proceduar në Kuvendin e Kosovës plotësim-ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, ku parashihej transformimi i 'Trepçës' në ndërmarrje publike, por që ishin tërhequr nenet, me të cilat 'Trepça' bëhej ndërmarrje publike, duke premtuar se statusin e këtij gjiganti metalurgjik do ta rregullojnë me strategji dhe ligj të veçantë. Eksperti i ekonomisë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa (LDK), kryetar i Komisionit për Tregti dhe Industri, tha se nga informatat që ka lidhur me çështjen, Qeveria e Kosovës dhe grupi i ekspertëve vendorë dhe ndërkombë- tarë janë duke punuar në hartimin e Strategjisë zhvillimore dhe Projektligjin e kombinatit 'Trepça'.

Mungesë transparence në Qeveri dhe AKP

Mustafa tha se me synim që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, në mënyrë që të zgjidhet sa më shpejt statusi i kombinatit, janë angazhuar edhe zyrtarët e AKP-së. "Jam i sigurt se do të jetë Qeveria e Isa Mustafës ajo që e ka marrë përsipër që ta kryejnë këtë punë me shumë rëndësi dhe jam më se i sigurt se do ta bëjë këtë dhe do të dalin mbarë", tha ai. Për më shumë informata, eksperti Mustafa ka sugjeruar që rreth Strategjisë dhe Projektligjit për 'Trepçën', gazeta duhet t'i drejtohet Qeverisë së Kosovës dhe MZHE-së. Por, me gjithë pyetjet e dërguara të hënën në adresë të tyre nuk janë prononcuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe ata të MZHE-së.

Ndërkaq, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, nuk ka dhënë përgjigje për gazetën se sa është i angazhuar Bordi i AKP-së, që do ta japë kontributin e tij në drejtim të zgjedhjes sa më të shpejtë të statusit të kombinatit 'Trepça'. Ndërkaq, njohësi i ekonomisë, Ismajl Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se mënyra se si është proceduar dhe më pas është tërhequr Strategjia dhe Projektligji për 'Trepçën' nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bën që të dyshosh dhe të pyesësh se a është 'Trepça' pazar i koalicionit më Listës Serbe, përkatë- sisht, a është i lidhur me vullnetin e Serbisë...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)