Testet raketore: OKB përgatit përgjigje ndaj Koresë së Veriut

  • 29 April 2016 - 09:41
Testet raketore: OKB përgatit përgjigje ndaj Koresë së Veriut

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkura është duke përgatitur përgjigje kundër Koresë së Veriut, e cila ka testuar dy raketa me rreze të mesme veprimi, ka thënë ambasadori i Kinës në OKB, Liu Jieyi.

Provat janë bërë të enjten, pas një testimi të ngjashëm që është bërë më 15 prill.

Vëzhguesit thonë se të gjitha testet duket se kanë dështuar, por një zëdhënës i OKB-së ka thënë se veprimet e tilla, të cilat shkelin sanksionet, “janë thellësisht shqetësuese”.

Po ashtu ka indikacione se Koreja e Veriut është duke u përgatitur për provën e pestë bërthamore, transmeton REL.

Në një koment të rrallë mbi situatën, presidenti i Kinës, Xi Jinping, që është aleati më i afërt i Koresë së Veriut, ka thënë se vendi i tij është i angazhuar për sigurimin e stabilitetit.

(Kosova Sot)