KADRIU: Reforma e re zgjedhore të garantojë e sigurojë vullnetin e qytetarëve

  • 29 April 2016 - 11:06
KADRIU: Reforma e re zgjedhore të garantojë e sigurojë vullnetin e qytetarëve

Në Kuvendin e Kosovës sot u diskutua edhe për reformën zgjedhore. Deputetja e pavarur,Margarita Kadriu,deklaroi se “partitë e mëdha, si përfaqësueset kryesore të elektoratit kosovar, kanë përgjegjësi për këtë dështim dhe neglizhencë të qëllimshëm, por tani është koha kur duhet të reflektojnë urgjentisht gjatë kësaj legjislature, duke bashkëpunuar edhe me subjektet politike në opozitë, në mënyrë që përfundimisht të kemi një reformë të mirëfilltë zgjedhore. Reformimi i sistemit zgjedhor ekzistues duhet të jetë i orientuar në drejtimin, i cili afirmon dhe garanton shprehjen e vullnetit qytetar.”

Ajo poashtu theksoi se “në mesin e shumë ndryshimeve që duhet bërë, duhet të ulim pragun zgjedhor për subjektet politike në 3%, pasi pragu aktual prej 5% i favorizon partitë e mëdha dhe dekurajon pjesëmarrjen e partive më të vogla dhe atyre rajonale. Pastaj, duhet hequr  pragu zgjedhor për kandidatët e pavarur, kategori kjo e cila ka qenë e diskriminuar me legjislacionin e deritanishëm në Kosovë.”

Në vazhdim po botojmë komplet fjalimin e deputetes së pavarur Margarita Kadriu në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Para afërsisht 6 vjetësh, ishin pikërisht PDK-ja dhe LDK-ja, parti që tani janë në pushtet, të cilat u morën vesh, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, për ndryshimin e Ligjit zgjedhor, dhe jo vetëm. Mirëpo, prej atëherë zotimet mbetën vetëm në një letër pa vlerë dhe nuk u përmbushën.

Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka adresuar kritika të ashpra për shkak të neglizhencës së qëllimshme të reformës zgjedhore. Mirëpo, këto vërejtje, edhe pse u përfshinë edhe në raportin e Progresit të Komisionit Evropian,sikur nuk u lanë përshtypje qeveritarëve dhe kryetarëve të subjekteve politike.

Partitë e mëdha, si përfaqësueset kryesore të elektoratit kosovar, kanë përgjegjësi për këtë dështim dhe neglizhencë të qëllimshëm, por tani është koha kur duhet të reflektojnë urgjentisht gjatë kësaj legjislature, duke bashkëpunuar edhe me subjektet politike në opozitë, në mënyrë që përfundimisht të kemi një reformë të mirëfilltë zgjedhore. Reformimi i sistemit zgjedhor ekzistues duhet të jetë i orientuar në drejtimin, i cili afirmon dhe garanton shprehjen e vullnetit qytetar.

Brenda partive politike po diskutohet mbyllja e listave zgjedhore, mirëpo pa një reformë rrënjësore dhe të mirëfilltë të sistemit zgjedhor, vetëm sa do të sforcohen veprimet shpërfillëse të institucioneve dhe politikës karshi vullnetit qytetar.

Propozimi për mbylljen e listave nuk duhet të shihet si zgjidhje për shmangien e manipulimeve të kandidatëve brenda së njëjtës listë, njëjtë sikurse rivendosja e bartësit të listës nuk duhet të shërbejë si mjet për liderët partiakë që t’i mbajnë larg kundër-kandidatët eventualë.

Kosova vazhdon ta ketë sistemin proporcional me lista të hapura, dhe është vetëm një zonë zgjedhore nga ku zgjedhën 120 deputetë. Nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit, të mbajtura në vitin 2014, rezulton se deputetët vijnë nga 22 komuna, teksa 16 komuna të tjera nuk kanë asnjë përfaqësues në Kuvend.

Në anën tjetër, në vitin 2011, Kuvendi kishte miratuar një Rezolutë përmes së cilës mbështeste krijimin e më shumë zonave zgjedhore që do të garantonte përfaqësim më të mirë të të gjitha komunave, sipas fuqisë zgjedhore që kanë. Mirëpo, reforma zgjedhore nuk ndodhi.

Është shumë me rëndësi që ndryshimet në legjislacion dhe sistemin zgjedhor në Kosovë të bëhen për të siguruar një përfaqësim të drejtë qytetar.

Duhet theksuar se në mesin e shumë ndryshimeve që duhet bërë, duhet të ulim pragun zgjedhor për subjektet politike në 3%, pasi pragu aktual prej 5% i favorizon partitë e mëdha dhe dekurajon pjesëmarrjen e partive më të vogla dhe atyre rajonale. Pastaj, duhet hequr  pragu zgjedhor për kandidatët e pavarur, kategori kjo e cila ka qenë e diskriminuar me legjislacionin e deritanishëm në Kosovë.

Të gjitha këto çështje duhet të diskutohen këtu në Parlament dhe është detyrë e Qeverisë ta adresojë me urgjencë reformën zgjedhore për diskutim e debat parlamentar në Parlament. Këto reforma janë në interesin e të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm të ndonjë partie apo lideri të veçantë, i cili edhe mund ta ketë mendimin e vet ndryshe nga shumica.

(Kosova Sot)