Braçe: Berisha i lidhur me krimin, arrestimin e Frrokut ia informuan bandat rivale të tij

  • 29 April 2016 - 13:58
Braçe: Berisha i lidhur me krimin, arrestimin e Frrokut ia informuan bandat rivale të tij

Duke mohuar të ketë një përplasje të qëndrimeve të tij në lidhje me 21 janarit, me atë çfarë ka deklaruar ministri i Brendshëm Sajmir Tahirin, socialisti Erion Braçe thekson se për ngjarjen e rëndë të 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues, ende nuk ka të ndëshkuar.

Duke le lidhur këtë me Sali Berishën. Aso kohe kryeministër, deputeti i PS-së hedh dyshime edhe për disa ngjarje që kanë ndodhur së fundmi, siç është ajo e arrestimit të Arben Frrokut të Holandë, të cilin Berisha e informoi disa ditë më parë se policia të jepte njoftimin zyrtar.

Postimi

Nuk ka asnjë përplasje mes meje e ministrit Tahiri për 21 janarin!!

Te dy mendojmë:

Është krim shtetëror, nuk është hetuar, gjykuar e ndëshkuar si i tillë!

1.3 miliard lekë detyrime ndaj ish ushtarakëve, u krijuan në 2010 dhe u falën dje!! Zgjidhje të plotë sa më parë! Berisha palë me banda kriminale rivale,

Ja kush e informon!

Është tërësisht e zakonshme që në gazetat e ditës, unë të gjej ngjarje që nuk kanë ndodhur, deklarata që nuk i kam bërë ose që janë shumë më tepër se aq, mistrecllëqe të nxitura në mënyrë banale, informacione jo vetëm të pa verifikuara, por më e keqja, informacione që su shkohet kurrë në fund!!

E dini përse? Sepse atje, ku ndodh ngjarja nuk ka thuajse asnjëherë reporterë të shtypit të shkruar, nisur nga Kuvendi fjala bie.

Thjesht shohin kronikat 70 sekonda të tv-ve dhe pastaj e përcjellin "atë që ka ndodhur" gojë më gojë e vesh më vesh.

Kjo natyrisht nuk është "liri shtypi" dhe as profesionalizëm.

Thënë këtë po sqaroj:

E para, nuk ka asnjë përplasje mes meje e ministrit Tahiri për 21 janarin!!

Dje, nga foltorja e Kuvendit kam çmuar ndërhyrjen e ministrit Tahiri në një çështje publike, për shkak të një gjyqi civil në gjykatën administrative.

Natyrisht, kam kërkuar që ai akt i referuar nga Garda në gjykatë, të tërhiqet pasi nuk ka lidhje me të vërtetën mbi 21 janarin.

Në anë tjetër; padiskutim që ai akt sjell në vëmendje vendimet kriminale të gjykatave të Tiranës, në çdo shkallë deri në më të lartën, arsye e qartë përse këto gjykata duhet të shkrihen, arsye edhe më e fortë përse reforma në drejtësi është zgjidhje; madje jo vetëm për 21 janarin!!

E dyta, nuk kam thënë dje asnjë sekondë, se projektligji për faljen e detyrimeve të ushtarakëve me vlerë deri 1.3 miliard lekë të reja, është zgjidhje përfundimtare.

Kam thënë shumë qartë se; ky problem është krijuar nga qeveritë e gjera të Sali Berishës në 8 vitet e qeverisjes së tij, problemi i debive posaçërisht është krijuar në vitin 2010 e në vijim, për shkak të urdhërimeve prapavepruese për rillogaritje të pensioneve të ushtarakeve e mos përmbushjes së detyrës nga administrata publike e ushtarakë, me konsensus të gjerë kjo.

Komisioni që unë drejtoj, deputetët socialistë aty;

i kane shtuar ligjit të Qeverisë edhe kthimin pas të mbi 368 milion lekëve të reja, ish ushtarakëve që e kanë paguar nën dhunë detyrimin e dalë nga rillogaritja dhe, unë personalisht, në cilësinë e kryetarit të komisionit, prej javës që shkoi, i kam venë detyrën ministrisë përgjegjëse, të hartojë një ligj të ri që i jep fund xhunglës me ligje, vendime, udhëzime, vendime gjykatash që janë mbievendosur, janë kundërshtuar, janë rrëzuar aq herë sa kërkush nuk di sot të thotë se cili është në fuqi.

Hartimi i këtij ligji, nuk është punë as e një deputeti, as e tre deputetëve me profil ushtarak apo kujtdo qe ndihet si i tillë, as edhe e një partie.

Duhet një ligj i gjithëpranuar tani që të mos u bëj më dëm ekonomik e moral ish ushtarakëve.

E treta, ngazëllimi dashuror mbi një lajm te para 48 orëve të Sali Berishës për Arben Frrokun, ka një histori të tërë pas dhe, ajo nuk thuhet!!

Sali Berisha e tha i pari!! SHISH informon me parë Sali Berishën se Qeverinë! Qeveria fsheh dhe nuk nis ekstradimin e Arben Frrokut!!

E dini mirë? A keni prova për këtë?

Së pari, Arben Frroku është ndaluar në Holandë nën një identitet tjetër; ka qenë interesimi i palës shqiptare, dërgimi i te dhënave për të që disponohen nga policia shqiptare, përfshirë gjurmët e gishtave, ndodhur vetëm dje në një bashkëpunim mes autoriteteve, që ka zbuluar dhe vënë nën arrest të dënuarin për vrasje në Shqipëri.

Se dyti, pa këtë procedurë, kërkush nuk mund të dinte zyrtarisht se ai ishte ndaluar në Holandë.

Me një përjashtim, e dinin ata që e njihnin, posaçërisht banditë rivale që ndjekin njëri tjetrin kudo, për tu ruajtur e larë hesapet natyrisht.

Unë për vete nuk kam më asnjë pikë dyshimi;

Sali Berisha e ka këtë informacion për shkak të lidhjeve të gjera të tij me krimin, por edhe sepse është kthyer në mikrofon për çdo bande kriminale që kërkon të eliminojë rivalet edhe duke përdorur Sali Berishën, jo para arrestimeve, gjithnjë pas ndodhjes së një krimi.

Jo vetëm kaq,

por Sali Berisha është bërë mikrofon i bandave kriminale edhe kundër policisë së shtetit, me synimin e qartë të zbehjes së fuqisë goditëse të kësaj të fundit- ndaj kujtdo dhe pa bërë dallim,

Gjithnjë me një qëllim: shpëtimin e bandave rivale që janë burim dhe raportojnë tek Berisha, duke e përdorur natyrisht.

Janë një mori ngjarjesh që e dëshmojnë këtë, duke nisur nga Lazarati.

(Kosova Sot)