Pas akuzave të PD, Tahiri: Identiteti i Frrokut u konfirmua të enjten, na lini të bëjmë detyrën

  • 29 April 2016 - 15:17
Pas akuzave të PD, Tahiri: Identiteti i Frrokut u konfirmua të enjten, na lini të bëjmë detyrën

Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ministria e Punëve të Brendshme, thotë se konfirmimi i identitetit të Arben Frrokut në Hollandë është bërë vetëm pasditen e të enjtes.

“Policia e Shtetit është në krye të detyrës, në rrugën e reformimit, në shërbim të qytetarëve pa asnjë dallim, e vendosur të çojë para ligjit, këdo. Dosja “Frroku” dëshmon më së miri vullnetin e Policisë së Shtetit për të bërë detyrën me korrektesë absolute në përputhje me ligjin. Autoritetet shqiptare kanë patur komunikim me partnerët dhe sapo ka ardhur sinjali i parë për vendndodhjen e të dyshuarit Arben Frroku, brenda një kohe rekord janë dërguar në Holandë të dhënat krahasuese dhe dje në orët e pasdites është konfirmuar identiteti, u shpall arresti dhe nisi procedura e ekstradimit të tij”, sqaron ministria e Brendshme.

Ministria i bën thirrje PD-së “të lërë drejtësinë të bëjë drejtësi ndaj krimit, pa dallim”. “Politika me krimin nuk ndihmon askënd e as mund të përdoret për të shmangur detyrimin madhor para qytetarëve, për reformën në drejtësi”, thotë MPB.

(Kosova Sot)