Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë as rrugë fshati pa lejen e Serbisë

  • 29 April 2016 - 16:11
Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë as rrugë fshati pa lejen e Serbisë

Banorët e Malësisë shpresojnë se rruga Muhoc-Zarbicë do të fillojë së shpejti.
"Fillimisht kemi pasur probleme me ndryshimin e statusit të rrugës, nga rajonale në rrugë lokale, por disi ia kemi dalë dhe pastaj kemi vazhduar me hartimin e projektit, marrjen e nënshkrimeve nga pronarët privatë, marrjen e lejes për punë, përgatitjen e dosjes për tenderim, shpalljen e tenderit, e deri te zbatimi i procedurave ligjore për të shpallur fituesin", ka thënë Haliti, raporton gazeta Kosova Sot
Banorët e fshatrave të Malësisë së Bujanocit nuk mund të ndërtojnë as edhe një rrugë fshati pa lejen e Serbisë. Ata kanë themeluar një fond humanitar për ndërtimin e rrugës Muhoc-Zarbicë dhe kishin shpresuar shumë se punimet do të fillojnë para zgjedhjeve për pushtet lokal, por ato u zvarriten shumë për shkak të procedurave dhe leje të ndryshme që është dashur të merren nga Serbia. Së fundi, një kompani shqiptare nga Bujanoci ka bërë ankesë, me arsyetim se kompania nga Kragujevci, e cila u shpall fituese e tenderit, nuk i ka plotësuar kriteret më mirë se ajo. Banorët e këtyre fshatrave shpresojnë se as qeverisja e re, e cila doli nga zgjedhjet e javës së kaluar, nuk do ta ndryshojë këtë projekt, që nismën e ka nga të zhvendosurit, por që është përkrahur nga Komuna me 70 për qind të mjeteve. Fondi humanitar për Malësinë e Bujanocit, është takuar me zyrtarët komunalë disa ditë para zgjedhjeve në Luginë, për ta diskutuar rrjedhën e përgatitjeve për fillimin e punimeve. Kryesuesi i Këshillit, Mefail Limani, ka thënë se ata janë njoftuar mbi ecurinë e projektit për asfaltimin e rrugës Zarbicë-Muhoc dhe punimet duhet të fillojnë menjëherë pasi të kalojë afati i ankesës nga kompania tjetër.

Është dashur t`i ndryshohet kategoria rrugës Marrja e lejes për ndërtimin e kësaj rruge, që lidh fshatrat shqiptare në Malësinë e Bujanocit, ku Serbia ka vendosur baza e nënbaza ushtarake e policore, nuk ka qenë e lehtë. Agim Haliti, drejtor për Ndërtim në komunën e Bujanocit, ka thënë se që nga fillimi i projektit kanë hasur në sfida, që shpesh janë dukur të patejkalueshme. Participimi i komunitetit në këtë projekt e ka detyruar edhe Beogradin që ta marrë më seriozisht këtë punë, ngase edhe me konventa ndërkombëtare, aty ku marrin pjesë qytetarët, projektet kanë përparësi dhe nuk mund të pengohen. "Fillimisht kemi pasur probleme me ndryshimin e statusit të rrugës, nga rajonale në rrugë lokale, por disi ia kemi dalë dhe pastaj kemi vazhduar me hartimin e projektit, marrjen e nënshkrimeve nga pronarët privatë, marrjen e lejes për punë, përgatitjen e dosjes për tenderim, shpalljen e tenderit e deri te zbatimi i procedurave ligjore për të shpallur fituesin", ka thënë ai. Sipas ligjit të prokurimit, tenderin e ka fituar ofertuesi më i lirë, që është një firmë nga Kragujevci.

Pjesëmarrës tjetër në tender ka qenë kompania "Saba Bellqa" nga Bujanoci, me pronar shqiptar, por ajo ka qenë më e shtrenjtë. "Saba" e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës dhe e ka bërë këtë, prandaj punimet nuk kanë mundur të fillojnë ende. Sipas Fondit Humanitar dhe zyrtarëve komunalë në Bujanoc, kompania shqiptare nuk ka të drejtë në atë që pretendon, por pavarësisht kësaj e drejta ligjore për ankesë nuk mund t`i mohohet. "Pas kalimit të afatit të ankesave, do të nënshkruhet kontrata për fillimin e punës me firmën fituese dhe projekti duhet të përfundojë brenda 120 ditësh", thotë Agim Haliti. Fazlie Azemoviç, udhëheqëse në Zyrën për Zhvillimin Ekonomik Lokal, premton se rruga do të bëhet këtë vit. "E dimë që për këtë rrugë ka pasur thashetheme që prej kohës së ishJugosllavisë, por besojmë se tani i ka ardhur fundi, sepse askush nuk ka të drejtë që këtë Malësi ta lërë pa rrugë, ta lërë pa njerëzit e vet". Anëtarë e Fondit: Imet Rrahmani, Mefail Ramadani, Selami Bajrami, Hajrush Ramadani,Hasan Sherifi, Sevdail Miftari, Sejdulla Kadriu, Reshat Sylejmani, Ismet Tafili, Avni Hamidi, Dalush Musliu shprehen të kënaqur që rruga do të bëhet. Rruga e vendlindjes i bashkon mërgimtarë e refugjatë Serbia, nën administrimin e së cilës ndodhet Lugina e Preshevës, nuk ka bërë asgjë në krijimin e kushteve për kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga trojet e tyre, gjatë dhe pas luftës atje, përkundrazi ka përshkallëzuar presionin dhe ka rritur tensionet në këtë rajon, për t`ua bërë të pamundur qëndrimin edhe atyre pak familjeve të mbetura atje. Ideja për ndërtimin e një rruge në Malësinë e Bujanocit, zonë kjo e cila është zbrazur thuajse tërësisht në 15 vitet fundit, ka bërë bashkë diasporën dhe refugjatët e Kosovës Lindore, me shpresë se ky investim do të jetë një nismë e mbarë për fillimin e kthimit në vendlindje. Simbolikë më të mirë se rruga për këtë qëllim, nuk ka. Por, më tepër se simbolikë, rruga është nevojë elementare për ato pak familje që kanë ngelur në Malësinë e Bujanocit dhe për shumë e shumë të tjera që duan të kthehen në tokat e tyre. Ismet Tafili nga Fondi humanitar për Malësinë e Bujanocit, thotë se ideja për asfaltimin e rrugës Zarbicë- Muhoc është e vjetër dhe ajo nuk është ndërprerë asnjëherë, as atëherë kur banorët e fshatrave të Malësisë ishin nëpër shtëpitë e veta, as më vonë, kur ata u dëbuan nga vendlindja e tyre. 

(Kosova Sot)