Ditë të rënda po vijnë për oligarkët

  • 29 April 2016 - 07:57
Ditë të rënda po vijnë për oligarkët

Aksioni i nisur nga EULEX-i, paralajmërim për mafio-politikën

Para drejtësisë, të gjithë do të japin llogari

"Bindja ime, që më ka udhëhequr tërë këtë kohë, është se do të vijë koha kur keqpërdorimi i besimit dhe keqpërdorimi i pasurisë do të ndëshkohen", tha kreu i Antikorrupsionit, Hasan Preteni, për "Kosova Sot" 

Aksionin e ditës së mërkurë nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, për kapjen e një grupi të madh kriminal dhe nxjerrjen para drejtësisë, përfaqësues të politikës kosovare, institucioneve antikorrupsion dhe nga shoqëria civile, po e shohin si një paralajmërim serioz edhe për kokat e tjera të politikanëve mafiozë, që gjithsesi do të duhej jo vetëm t'i trembë, por edhe t'i nxjerrë para drejtësisë të gjithë politikanët që kanë bërë pasuri të madhe të paligjshme me korrupsion e krim të organizuar. Sido që të jetë, për të arritur qëllimin e plotë të kësaj nisme, kërkohet akoma një vullnet më serioz politik për mbështetje nga institucionet e Kosovës.

"Koha për goditjen e krimit dhe korrupsionit ka qenë pardje, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë derisa do të mungojë vullneti politik i institucioneve vendore për luftë të vërtetë ndaj këtyre dukurive të shëmtuara. Kurse vullneti politik do të mungojë derisa vendi të udhëhiqet nga struktura të korruptuara e të involvuara në krim të organizuar, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë as me pjesëtar të EULEX-it të korruptuar", tha për "Kosova Sot" deputeti nga partia më e madhe parlamentare në opozitë, Lëvizja "Vetëvendosje!", Ismail Kurteshi.

Një ditë, keqbërësit do të ndëshkohen

Sipas Kurteshit, EULEX-i shumë herë ka premtuar kapjen e "peshqve të mëdhenj", por përherë ata i rrëshqitnin nga duart dhe aksionet përfundonin pa rezultate ose, çka është edhe më keq, kriminelët dhe të korruptuarit dilnin të pafajshëm. "Bazuar në punën dhe deklarimet pompoze në të kaluarën, që kryesisht përfunduan në spektakle mediatike pa asnjë rezultat, ose me rezultate tragjike-komike, as tani nuk priten rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit as nga aksioni, as nga deklarimet e fundit të EULEX-it e as të zyrtarëve të lartë të vendit. Megjithatë, nuk është e largët dita kur ndryshimet pozitive në këtë vend do të ndodhin dhe secili do të japë llogari para organeve të drejtësisë", tha për deputeti Kurteshi. Më optimist në shkuarjen përtej këtij rasti në ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me veprime të kundërligjshme është shprehur kreu i AKK-së Hasan Preteni.

"Bindja ime, që më ka udhëhequr tërë këtë kohë, është se do të vijë koha që keqpërdorimi i besimit dhe keqpërdorimi i pasurisë do të ndëshkohen", tha Preteni për "Kosova Sot". Me këtë optimizëm i sheh zhvillimet vijuese edhe Ariana QosajMustafa nga Instituti KIPRED. "Hetimet dhe ngritja e aktakuzave për rastet e "peshqve të mëdhenj" sikur që njihen, janë gjithmonë të mirëseardhura. Posaçërisht në kontekstin e Kosovës, kur e dimë se pozitat në pushtet iu kanë garantuar politikanëve të profilit të lartë me një lloj imuniteti edhe prej hetimeve. Shpresojmë se këtë herë rasti do të shkojë deri në fund me dëshmi të mjaftueshme para gjykatës, që të marrin edhe vendim meritor", ka thënë ajo. "Kemi pasur përvoja të hidhura, sepse shumë aktakuza janë ngritur në të kaluarën, por pastaj në mungesë të provave janë liruar", tha Qosaj- Mustafa për "Kosova Sot".

EULEX-i mundohet t'i tregojë "dhëmbët" Pa shumë optimizëm e sheh epilogun e këtij rasti dhe vazhdimin tutje analisti Islam Krasniqi, sepse këtë thotë na e ka mësuar e kaluara e kësaj klase politike, ku ka shumë zyrtarë të lartë lidhur me krim të organizuar, korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare që janë akuzuar, janë gjykuar, madje edhe ndonjë është dënuar, por ekzekutimi asnjëherë nuk është shqiptuar dhe sot kanë pozita më të larta se në atë kohë. "Veprimi i EULEX-it mund të jetë shpresëdhënës për një pjesë të popullit, të cilët janë të lodhur nga kjo klasë politike, gjë që shpresojnë të ketë një fillim të ri, për eliminimin nga skena politike të gjithë ata që e plaçkiten dhe po e plaçkitin këtë popull, por në realitet s'do të ketë rezultat", tha ai. "Prapa kësaj mund të qëndrojnë edhe faktorë të ndryshëm, një ndër kryesorit liberalizimi i vizave, që Brukseli e ka vënë kusht kryesor luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mund të jetë edhe ajo që e ka thënë presidenti vendit z. Thaçi, që në listat zgjedhore të ardhshmet nuk do të ketë emra të dyshuar, dhe tani me këto veprime dëshirojnë t'i eliminojnë nga skena politike disa individë që kanë fuqi brenda partisë", tha Islam Krasniqi për "Kosova Sot". Me dozë të optimizmit të përmbajtur është edhe njohësi i fushë së sundimit të ligjit, Blerim Burjani. "EULEX-i në fund të misionit të tij po mundohet t'i tregojë dhëmbët,edhe pse rezultatet e trajtimit të veprimeve kriminale nga ky mision ishin me ndikim të vogël deri më tani në forcimin e rendit dhe ligjit. Kishte shumë spektakle, por jo edhe efikasitet në trajtimin e krimeve nga njerëz mbi rendin e ligjin, e që prapa tyre qëndron politika dhe partitë politike, të cilat janë mbi shtetin", u shpreh Burjani.

"Ky rast, po ashtu, nëse implikon edhe shuma të mëdha të keqpërdorura, atëherë do të duhej të ishte rast meritor për kërkesën e konfiskimit të pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme dhe kthimin e mjeteve dhe pronave të marra në këtë mënyrë", tha Qosaj-Mustafa, për "Kosova Sot".

"Nuk mund të besoj se do të luftohet krimi me këta njerëz që janë pjesë e kastës politike në pushtet, sepse krimi ka vërshuar nga njerëzit e kësaj parapolitike me përfitime, zhvatje, keqpërdorim të buxhetit, me shpenzime marramendëse gjithandej nëpër institucione dhe me instalim të nepotizmit", tha Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)