Mbyllja e listave, varrosje e demokracisë

  • 29 April 2016 - 07:51
Mbyllja e listave, varrosje e demokracisë

PDK-ja dhe LDK-ja planifikojnë konsolidimin e lidershipit autoritar

Zërat e pushtetit paralajmërojnë përkeqësim të sistemit zgjedhor

Ekspertët e kësaj fushe dhe përfaqësues të shoqërisë civile po e shohin rikthimin e listave të mbyllura si një rrezik serioz për demokracinë e re kosovare, si një përpjekje e politikës së kriminalizuar, që në emër të parandalimit të abuzimit të votës të sjellë në Parlament vetëm servilët e liderit politik, të konsumuarit e deritanishëm në pushtet dhe politikë

Dy subjektet politike qeveritare, LDK-ja dhe PDK-ja, respektivisht krerët e tyre, kryeministri Mustafa dhe ish-kreu i deridjeshëm i PDK-së, Hashim Thaçi, tani në cilësinë e presidentit të vendit, ndonëse kanë filluar ta përmendin vazhdimin e reformës zgjedhore të dështuar në mandatin e kaluar, akoma një nismë serioze nuk e kanë shpalosur për veprime konkrete. Mirëpo, ajo që pritet të ndodhë si iniciativë e re nga të dyja palët është propozimi që po shkruhet në letër për mbylljen e listave zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme, kthim në pikën zero të demokracisë së re kosovare për interesat e ruajtjes së oligarkisë kriminale në pushtet nga të dy subjektet qeveritare.

Nëse ndodh kështu, kjo do të jetë në dëm dhe me qëllim të varrosjes së demokracisë së drejtpërdrejtë, me të cilën qytetarët mund të sjellin ndryshime në shoqëri dhe institucione. Këtë opsion që po diskutohet brenda partnerëve të koalicionit qeverisës e ka bërë publik para pak ditësh vetë këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adri Nurellari, i cili ka thënë për mediet e Kosovës se duhet të mbyllen listat zgjedhore, meqë, sipas tij, me këtë proces do të ndaleshin në mënyrën më efikase abuzimi dhe blerja e votës.

Qytetarëve u pamundësohet vlerësimi për përfaqësuesit 

Ekspertët e kësaj fushe dhe përfaqësues të shoqërisë civile po e shohin rikthimin e listave të mbyllura si një rrezik serioz për demokracinë e re kosovare, si një përpjekje e politikës së kriminalizuar që në emër të parandalimit të abuzimit të votës të sjellë në Parlament vetëm servilët e liderit politik, të konsumuarit ë deritanishëm në pushtet dhe politikë. Kështu do të pamundësoheshin vlerësimi dhe gjykimi i qytetarëve për secilin individ, arritjet dhe meritat e tij të deritanishme në politikë.

Profesori i së drejtës,Muhamet Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se ky para-projekt i partive politike dëmton substancialisht demokracinë e re dhe të brishtë kosovare, madje është dhe veprim kundërkushtetues. "Demokracia e drejtpërdrejtë kërkon që çdo kandidat të jetë pjesë e votimit jashtë radhitjes së listës zgjedhore. Me këtë kuptohet fakti se kjo është formë për të ikur nga ndikimi i listës së mbyllur, ku në atë radhitje dëmtohet ashpër demokracia, sepse kandidatët përcaktohen nga partia, respektivisht nga udhëheqësi, në radhitje. Me këtë shkojnë vetëm kandidatët e preferuar. Kjo nuk është demokratike, është e kundërta. Pra, me atë formë krijohen grupe të deputetëve, të cilët i nënshtrohen subjektit politik e jo vullnetit të vetë dhe të zgjedhëseve. Ndërsa, në Kushtetutën e Kosovës shprehimisht theksohet pavarësia e deputetit në vendosje, realizohet duke mos iu nënshtruar asnjë mandati jashtë votueseve dhe mendimit të vet të krijuar. Futja në veprim e listës së mbyllur do të jetë ataku më i ashpër ndaj demokracisë", tha prof.

Kelmendi për "Kosova Sot". "Kjo për faktin se deputetët varen kryesisht nga udhëheqja partiake, duke i dhënë mundësi kryetarit të vendosë hierarkinë personale në listë përmes kësaj edhe ndaj deputetëve", theksoi ai.

Lideri forcon rolin e tij autoritar

Një skenar i tillë, si një përpjekje e dëmshme e "kapjes" së skenën politike nga një kastë e tejshpenzuar politike kundërshtare, avancimit të demokracisë dhe reformave në politikë e shoqëri, është kundërshtuar edhe nga prof. Mazllum Baraliu, ishdrejtues i KQZ-së ."Listat e mbyllura në fakt nënkuptojnë hermetizëm edhe më të madh, sepse aty votohet për partinë dhe mandej ndahen votat nga liderët ose lideri dhe rrethi i ngushtë politik i liderit për njerëzit më të preferuar dhe më të dëgjueshëm. Kështu që më kjo nuk është formë demokratike, sikur që është aktualisht sistemi proporcional me lista të hapura që aktualisht kemi ne, sepse nuk lejon mundësinë që njerëzit e zgjedhur ta fitojnë besimin, qoftë që edhe duke qenë në fund të listës të fitojnë më shumë vota dhe të dalin në krye të listës", tha Baraliu për "Kosova Sot".

Edhe sipas Baraliut, mbyllja eventuale e listave zgjedhore e varros përfundimisht demokracinë e brishtë që ka Kosova dhe roli i liderit kalon në një rol të plotë autoritar, të pakontestueshëm, por të dëmshëm për demokracinë e drejtpërdrejtë qytetare, derisa deputetët bëhen servilë të liderit. Cenim të demokracisë dhe rritje të autoritarizmit dhe arbitraritetit të liderit e ka cilësuar rikthimin e listës së mbyllur edhe Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës - KD, shkruan sot, gazeta Kosova Sot.

"Mbyllja e listave të kandidatëve të partive politike do të ishte e gabuar për faktin se shkëputet lidhja ndërmjet deputetëve dhe votuesve dhe do të zvogëlohen. Mbyllja e listave u jep më shumë fuqi liderëve dhe strukturave udhëheqësve të partive për të kontrolluar deputetët dhe qëndrimet e tyre në Kuvend, pasi në rast se nuk tregohen mjaftueshëm lojalë mund të ndëshkohen me një renditje më të ulët në listë që minimizon gjasat për rizgjedhje. Konsideroj që ajo çfarë do të duhej të bëhej me sistemin zgjedhor është që të ruhen listat e hapura për kandidatë, por që të votohet vetëm për një kandidat në listë, siç është në zgjedhjet lokale, pasi dihet pesha reale e secilit deputet, shkurtohet koha e numërimit dhe zvogëlohen mundësitë e manipulimit", tha njohësi i kësaj fushe, Albert Krasniqi, nga KDI-ja.

Sistemi parlamentar në rrezik

Tepër të dëmshme e sheh këtë tendencë të partive në pushtet edhe Hamdi Muhameti, nga Forca e Diasporës për Atdheun. Ai ka vlerë- suar se ky paralajmërim i mbylljes së listave zgjedhore në Kosovë rrezikon ta çojë vendin drejt një sistemi presidencial autoritar që nuk i shkon aspak për shtati demokracisë dhe vullnetit të lirë qytetar si promotor i mundshëm i ndryshimeve pozitive. "Është shumë evident fakti se Kosova me punën dhe angazhimin e shumicës së subjekteve politike, por me shumë nga krerët e subjekteve politike në pushtet, është duke u shndërruar jo në republikë parlamentare, por në sistem presidencial. Kjo është një formë e qeverisjes ku korrupsioni bëhet sistem i shtetit, nuk është më sistem parlamentar, as demokratik, është vetëm sistem mafioz. Nëse mendohet se duke vendosur sistem autoritar ( komunist) pastrohen apo i shpëtojnë edhe prej Gjykatës Speciale për të burgosur qytetarët dhe ardhmërinë e tyre, gabohen", ka thënë ai. "Është nevojë imediate sot, jo nesër, që qytetarët e Kosovës ta ndalin këtë sistem dhe me një organizim të mirëfilltë (revolucion modern) ta marrin situatën në duart e veta dhe të mbrohet e avancohet demokracia e mirëfilltë në procesin e shtetndërtimit", tha Muhameti, nga Forca e Diasporës për Atdheun.

"Ajo çfarë do të duhej të bëhej me sistemin zgjedhor është që të ruhen listat e hapura për kandidatë, por që të votohet vetëm për një kandidat në listë, siç është në zgjedhjet lokale, pasi dihet pesha reale e secilit deputet, shkurtohet koha e numërimit dhe zvogëlohen mundësitë e manipulimit", tha Albert Krasniqi.

"Kosova nuk duhet të krijojë sistem të mbyllur, që varros demokracinë e drejtpërdrejtë, por duhet shikuar avancimin e sistemit, duhet të shkojmë në votim për deputet me sistemin një votë, një kandidat. Kjo është demokratike dhe zgjedhësi ka mundësi t'i japë votën kryesisht kandidatit që mendon se i plotëson kriteret që ta përfaqësojë atë në Kuvend", ka pohuar Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)