Bisedimet me Serbinë bllokojnë ‘Trepçën’

  • 29 April 2016 - 08:14
Bisedimet me Serbinë bllokojnë ‘Trepçën’

Fati i gjigantit metalurgjik, në duart e politikës
Strategjia dhe Projektligji për 'Trepçën' bëhen gati pas dialogut

Opozita vlerëson se Qeveria po përpiqet të fitojë kohë dhe të hedhë mjegull në opinion, ndërsa do ta shqyrtojë çështjen e 'Trepçës' në procesin negociator në Bruksel, si në rastin e Asociacionit

Heshtja e deritashme e Qeverisë së Kosovës se përse nuk po e miratojnë Projektligjin dhe strategjinë për kombinatin 'Trepça' ndërlidhet me politikën. Fati i mëtejmë i Kombinatit 'Trepça' do të dihen vetëm pas përfundimit të bisedimeve me palën serbe, që po mbahen në Bruksel. Kështu kanë deklaruar burime nga koalicioni në pushtet, që janë në rrjedha me procesin e bisedimeve me palën serbe, dhe që kanë folur në kushte të anonimitetit.

Qeveria e Kosovës në janar të vitit të kaluar e pati proceduar në Kuvendin e Kosovës plotësim-ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, ku parashihej transformimi i 'Trepçës' në ndërmarrje publike, por që ishin tërhequr nenet, me të cilat 'Trepça' bëhej ndërmarrje publike, duke premtuar se statusin e këtij gjiganti metalurgjik do ta rregullojnë me strategji dhe ligj të veçantë. Eksperti i ekonomisë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa (LDK), kryetar i Komisionit për Tregti dhe Industri, tha se nga informatat që ka lidhur me çështjen, Qeveria e Kosovës dhe grupi i ekspertëve vendorë dhe ndërkombë- tarë janë duke punuar në hartimin e Strategjisë zhvillimore dhe Projektligjin e kombinatit 'Trepça'.

Mungesë transparence në Qeveri dhe AKP

Mustafa tha se me synim që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, në mënyrë që të zgjidhet sa më shpejt statusi i kombinatit, janë angazhuar edhe zyrtarët e AKP-së. "Jam i sigurt se do të jetë Qeveria e Isa Mustafës ajo që e ka marrë përsipër që ta kryejnë këtë punë me shumë rëndësi dhe jam më se i sigurt se do ta bëjë këtë dhe do të dalin mbarë", tha ai. Për më shumë informata, eksperti Mustafa ka sugjeruar që rreth Strategjisë dhe Projektligjit për 'Trepçën', gazeta duhet t'i drejtohet Qeverisë së Kosovës dhe MZHE-së. Por, me gjithë pyetjet e dërguara të hënën në adresë të tyre nuk janë prononcuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe ata të MZHE-së.

Ndërkaq, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, nuk ka dhënë përgjigje për gazetën se sa është i angazhuar Bordi i AKP-së, që do ta japë kontributin e tij në drejtim të zgjedhjes sa më të shpejtë të statusit të kombinatit 'Trepça'. Ndërkaq, njohësi i ekonomisë, Ismajl Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se mënyra se si është proceduar dhe më pas është tërhequr Strategjia dhe Projektligji për 'Trepçën' nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bën që të dyshosh dhe të pyesësh se a është 'Trepça' pazar i koalicionit më Listës Serbe, përkatë- sisht, a është i lidhur me vullnetin e Serbisë.

Qeveria zhvilloi takime konsultative

Lidhur me çështjen, deputetë të Kuvendit të Kosovës që janë anëtarë të Komisionit për Tregti dhe Industri dhe të cilët e kanë diskutuar ligjin në fjalë, thonë se për shkak të situatës aktuale politike dhe bllokadës së punës së institucioneve nga ana e opozitës, Qeveria e Kosovës nuk do ta procedojë këtë vit Strategjinë dhe Projektligjin për gjigantin metalurgjik 'Trepça' në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se në janar të këtij viti është premtuar se brenda pesë muajve deputetët do ta kenë para vetes për ta shqyrtuar. Përderisa deputetët e pozitës po e presin Strategjinë dhe Projektligjin për 'Trepçën', ashtu siç kishte premtuar Qeveria, për dallim prej pushtetarëve deputetët nga opozita e quajnë një lojë politike të Qeverisë së Kosovës mosprocedimin e Strategjisë dhe Projektligjit për 'Trepçën' në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë 'Mustafa'. Megjithatë, anëtarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik ,Tregti dhe Industri nga koalicioni i tashëm, Sala Berisha-Shala(PDK), thonë se nga informatat që ata i posedojnë, kanë mësuar se Qeveria e 'Isa Mustafës' është në fazën e konsultimeve rreth orientimit të strategjik të 'Trepçës'.

Mirëpo, ajo frikohet se për shkak të bllokadës institucionale gjithçka rreth fatit të mëtejmë të kombinatit 'Trepça' do të vendoset vitin e ardhshëm, kur edhe do t'i kenë Strategjinë, Ligjin dhe koston financiare. Deputetja Shala tha se ka mësuar se kabineti i kryeministrit tanimë ka pasur disa takime konsultative me disa kompani kanadeze dhe gjermane, të specializuara për fushën e industrisë minerare. Mst: Opozita akuzon për lojëra politike Ndërsa, deputeti opozitar, Pal Lekaj (AAK), i cili është anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, nuk i beson koalicionit qeverisës aktual se ata nuk do ta qesin në tavolinën e bisedimeve në Bruksel edhe kombinatin 'Trepça', sepse edhe më herët kanë premtuar se nuk do të diskutojnë as për çështje të tjera, por që nuk e kanë mbajtur fjalën. Deputeti Lekaj e ka akuzuar Qeverinë e 'Mustafës' se po bën lojëra politike, duke premtuar që për pesë muaj do të sjellë në Kuvend Strategjinë dhe Projektligjin për 'Trepçën', por që nuk duket askund në horizont.

"Mendoj se kjo është një lojë politike, dhe se veç premtimeve që bëri Qeveria 'Mustafa' se do të krijojnë një strategji brenda pesë muajve, ajo askund deri tash nuk po duket se është në horizont. Mendoj që vetëm ka qenë të fitohet në kohë dhe të vihet prapë në tavolinë në bisedime 'Trepça', sikurse ka ardhur edhe Asociacioni i komunave dhe shumë gjëra të tjera që ka premtuar se nuk do të diskutohet. Prandaj, është shqetësuese mosprurja e Ligjit për 'Trepçën' që ne jemi dakorduar që të kemi një ligj të veçantë për 'Trepçën', sepse mendojmë se është pasuria më e madhe e Kosovës", ka theksuar deputeti Lekaj. "Në këtë drejtim as që guxohet të bisedohet pasuria e Kosovës", tha Lekaj.
Zvarritja në favor të përfitimeve të paligjshme Ndërsa deputeti tjetër opozitar, Enver Hoti(Nisma ), thotë se tashmë po dihet arsyeja se përse nuk po bëhet Ligji për 'Trepçën' dhe përse ai po shtyhet në pafundësi. Përgjigjja është e thjeshtë dhe ajo është se nga kjo shtyrje po përfitojnë zyrtarët e AKP-së dhe zyrtarët e Qeverisë aktuale, në bashkëveprim me krimin e organizuar në 'Trepçë' e rreth saj për shumë vite. Deputeti Hoti thotë se Qeveria e Kosovës, që janë edhe nënshkruesit e marrëveshjeve me Serbinë më datën 25 gusht, do të lëshojnë pe përballë kërkesave serbe.

"Kam frikën se fati i 'Trepçës' do të dihet vetëm pas bisedimeve me palën serbe", ka thënë ai. Deputeti Hoti premton se opozita do ta riaktualizojë dhe do ta rihapë çështjen në Kuvendin e Kosovës në momentin kur do të vijë deri tek zhbllokimi i institucioneve të Kosovës. Ai thotë se megjithatë shpreson se 'Trepça' nuk do të jetë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel. Sipas tij, mund të flasin për lehtësim të jetës së qytetarëve, për forma të cilat do ta bëjnë jetën më të mirë ekonomikisht, por jo të diskutojnë për pasuritë, që janë pasuri të qytetarëve të Kosovës.

"Fundja, askush nuk mund të marrë guximin që të flasë për pasurinë e popullit të Kosovës në Bruksel", thotë Hoti.

"Edhe ky prolongim është politik dhe është i papranueshëm për ne si AAK dhe ne do ta shtyjmë këtë proces, që sa më parë të vijë Ligji për 'Trepçën' dhe strategjia, që është premtuar nga koalicioni qeverisës", tha Lekaj.

Qeveria e Kosovës dhe grupi i ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë janë duke punuar në hartimin e Strategjisë zhvillimore dhe Projektligjin e kombinatit 'Trepça' .

(Kosova Sot)