Shala: Arrestimet në mënyrë spektakolare mund të dëmtojnë rëndë imazhin

  • 29 April 2016 - 20:58
Shala: Arrestimet në mënyrë spektakolare mund të dëmtojnë rëndë imazhin

Avokati Nikë Shala në një prononcim për Gazetën Kosova Sot ka thënë se “Arrestimet në mënyrë spektakolare mund të dëmtojnë rëndë imazhin apo personalitetin e çdo personi kundër të cilit iniciohet dhe zhvillohet procedurë penale, pasi, sipas tij, të gjithë duhet pasur parasysh faktin se duke u bazuar në parimin e prezumimit të pafajësisë, çdo personi i dyshuar konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë nga ana e gjykatës. Shala më tej nënvizon se organet e ndjekjes duhet të mos ndalen në punën e tyre profesionale për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit etj., derisa, siç thotë ai, dyshimet për veprat penale duhet t'i çojnë deri në fund, por edhe ato t'i argumentojnë me prova materiale.

Në këtë drejtim ai shton se ato po ashtu duhet të mos ndalen vetëm tek arrestimet spektakolare në një rast, por duhet që për çdo rast të zbardhet e vërteta dhe personat e dyshuar të marrin dënimin meritor, e jo siç po ndodh e kundërta në të shumtën e rasteve në sistemin e drejtësisë në Kosovë. " Nga eksperienca ime si avokat kam pasur raste kur klienti im i një profili të lartë është arrestuar ne mënyrë spektakolare, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit, pastaj ajo e paraburgimit, ndërkaq gjatë zhvillimit të hetimeve në mungesë të provave është pushuar procedura penale ndaj tij.

 Kësisoj një veprim i tillë po e degradon rëndë personalitetin e të pandehurit, por edhe duke i shkaktuar dëm qoftë jo material apo material atij, andaj organet kompetente duhet të kenë kujdes të shtuar që gjatë zhvillimit të procedurës mos të shkelin të drejtat themelore të garantuara me Kodin e Procedurës Penale, pastaj Kushtetutën e vendit dhe Konventat Ndërkombëtare", ka deklaruar avokati Nikë Shala.

(Kosova Sot)