Papa: Fitimi të mos pengojë mjekimin e sëmundjeve të rralla

  • 29 April 2016 - 21:28
Papa: Fitimi të mos pengojë mjekimin e sëmundjeve të rralla

Askush të mos rrijë indiferent para njerëzve me sëmundje të rralla, pavarësisht se mjekimi i tyre kërkon investime të mëdha. Fitimi të mos cënojë të drejtat e këtyre të sëmurëve: kështu e ngriti zërin Papa Françesku në takimin e sotëm me pjesëmarrësit e Konferencës për mjekësinë rigjenerative (ripërtëritëse), mbledhur në Vatikan nga Këshilli Papnor për Kulturën. Në takim mori pjesë edhe zv.presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, i cili përshëndeti të pranishmit.

E gjithë bota ta njohë dramën e sëmundjeve të rralla

I quajnë sëmundje të rralla, por janë rreth 6 mijë dhe prekin shumë njerëz, gati 300 milion në të gjithë botën, që vuajnë, së bashku me të dashurit e tyre, në heshtjen e shoqërisë. Papa Françesku kujtoi takimet e shumta me ta: i fundit, ai i 6 prillit me vogëlushen amerikane, Lizzy Myers, që do të bëhet dalëngadalë e verbër dhe e shurdhër, sepse akoma nuk ekziston asnjë lloj kure për të. Ati i Shenjtë këshilloi tri rrugë për t’i gjetur zgjidhjen kësaj drame. Së pari, sensibilizimi. Problemi duhet bërë i njohur në shkallë botërore, nënvizoi:

“Është me rëndësi themelore të nxitet rritja e empatisë në shoqëri, që askush të mos mbetet indiferent kur tjetri kërkon ndihmë, edhe kur vuan nga një sëmundje e rrallë. E dimë se nganjëherë, nuk është e mundur të gjenden zgjidhje të shpejta për patologji të ndërlikuara, por gjithnjë, mund t’u përgjigjemi menjëherë këtyre njerëzve, të cilët, shpesh, ndjehen të braktisur e të harruar”.

Të promovohet një punë kërkimore, që respekton jetën

Udha e dytë, sipas Papës, është promovimi i punës kërkimore. Ajo, theksoi, duhet të ketë bazë të fuqishme etike e të respektojë jetën:

“Vërtet, edhe puna kërkimore, si në fushën akademike, ashtu edhe në atë industriale, ka nevojë për një kujdes të vazhdueshëm ndaj çështjeve morale, që të jetë mjet për mbrojtjen e jetës e të dinjitetit të njeriut”.

Të sigurohet mjekimi për të gjithë

Rruga e tretë është garantimi i mjekimit për të gjithë. Shpesh, denoncoi Ati i Shenjtë, këta pacientë braktisen e nuk u kushtohet kujdesi i domosdoshëm, sepse investimet e bëra në favor të tyre nuk sjellin fitime ekonomike:

“Në Nxitjen apostolike ‘Evangelii gaudium’… pohoj me forcë se duhet ta luftojmë ‘ekonominë e përjashtimit e të pabarazisë’(53), e cila mbjell viktima, kur mekanizmi i fitimit mbizotëron ndaj vlerës së jetës njerëzore. Kjo është arsyeja për të cilën globalizimin e indiferencës duhet ta kundërshtojmë me globalizimin e empatisë”.

Së fundi, Papa kërkoi të rriten fondet për punën kërkimore dhe të miratohen ligje për ta ndryshuar paradigmën ekonomike, në mënyrë që ajo të privilegjojë njeriun.

(Kosova Sot)