Aksioni i EULEX-it, për shpëtimin e treshes Thaçi-Veseli-Mustafa

  • 29 April 2016 - 08:04
Aksioni i EULEX-it, për shpëtimin e treshes Thaçi-Veseli-Mustafa

A e kanë seriozisht organet e drejtësisë luftimin e krimit?!

Për të qenë bindës, duhet të zbardhen të gjitha krimet mafioze

" Spektakli në fjalë bëhet për t'i shpëtuar Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Kadri Veselin, autoriteti i të cilëve, bashkë me institucionet përkatëse, është lëkundur dhe ka rënë në pikën më të ulët të të gjitha vlerësimeve", tha analisti Shefqet Dibrani

Skandali 30 milionësh i pronave, që doli në shesh para dy ditëve, kur Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës ndërmorën një aksion të gjerë policor, me ç'rast bastisën shumë lokacione, teksa arrestuan 6 persona si të dyshuar për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale, kurse lista e personave të dyshuar për këto vepra penale është shumë e gjerë, e në mesin saj është edhe ish- kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, derisa këtij grupi, sipas Prokurorisë, dyshohet se i printe ish- deputeti Azem Syla, krijon dilemën se a mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në këso lidhjesh ndërmjet njerëzve të politikës në njërën anë dhe atyre të drejtë- sisë në tjetrën.

Se a do të zbardhet lista e emrave nga drejtësia që kanë ndihmuar kësisoj të korruptuarit dhe kapot e krimit në politikë, për qëllime të ndërsjella kriminale, flasin njohësit e kësaj fushe. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se mënyra e bastisjes së shtëpisë së Azem Sylës është për t'u shqetësuar edhe më shumë për faktin se kjo bastisje u realizua në ditën kur ai nuk ndodhej në shtëpi, por as në Kosovë. Shqetësues, sipas tij, është edhe fakti se një ish- kryetar gjykate, Nuhi Uka, dyshohet se paska qenë i involvuar në këtë krim të organizuar. Tërë këto veprime nga organet e drejtë- sisë, ai thotë se më shumë i ngjasonte një spektakli të orkestruar mediatik dhe që i shërben kësisoj konsumit të brendshëm politik, derisa ato i ka quajtur si përpjekje për t'ia ndrequr autoritetin e rrënuar jo vetëm institucioneve, por sidomos, siç tha, 'TROJKËS' kryesore të vendit.

"Pra, spektakli në fjalë bëhet për t'i shpëtuar Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Kadri Veselin, autoriteti i të cilëve, bashkë me institucionet përkatëse, është lëkundur dhe ka rënë në pikën më të ulët të të gjitha vlerësimeve", tha ai.

Drejtësia të mos ndalet në një rast

Dibrani ka nënvizuar se ky spektakël mediatik shton edhe më tej dyshimet se lufta kundër krimit ende nuk ka nisur ashtu siç duhej të fillonte, pa bujë e pa potere, prandaj këtu thotë se shqetësimet duhen të shtohen edhe më shumë, pasi në sistemin e drejtësisë, por edhe në atë të sigurisë së shtetit ka njerëz të involvuar në krimet mafioze, të cilët e kanë vënë në buzë gremine jetën dhe ekzistencën në Kosovë. Dibrani në këtë drejtim ka shtuar se kur të zbulohen krimet e tjera, qofshin ekonomike apo edhe ato politike, duket se rasti i Azem Sylës dhe grupit të tij prej 51 vetash, do të mbetet veçse një rast i rëndomtë, pasi, sipas tij, pasuria e Kosovës ka një kosto shumë më të lartë se sa këto keqpërdorime, edhe nëse vlera e tyre do të arrinte shifrën miliardësh.

Megjithatë, Dibrani thotë se ky rast duhet përshëndetur, duke shpresuar se më në fund po fillon diçka e mbarë në këtë vend. "Andaj, mekanizmat e drejtësisë nuk duhet të ndalen me kaq, vetëm me rastin ndaj Azem Sylës, por duhet të bëjnë arrestimin e të gjitha grupeve të involvuara, të cilat pa hezitim duhet të japin llogari, madje për më shumë duhet edhe t'u hiqet imuniteti politik dhe t'u merret edhe e drejta që kurrë të mos kthehen në institucione publike e shtetërore. Po ashtu, të marrin shembullin e vendeve në rajon që t'u konfiskohet e tërë pasuria e paligjshme, atyre dhe familjarëve të tyre, si dhe të gjithë personave që kanë krijuar pasur të paligjshme dhe që u përkasin këtyre grupeve".

Në të kundërtën, Dibrani thotë se nëse edhe kësaj radhe organet e drejtësisë do të bëjnë vetëm spekulime dhe të shqiptojnë dënime formale, rasti i Azem Sylës rrjedhimisht do t'i trimëronte edhe më shumë grupet oligarke, derisa ndikimi i tyre do të fuqizohej edhe më tej, por, siç tha ai, le të shpresohet se kësaj radhe vërtet e kanë përnjëmend dhe seriozisht, shkruan sot, gazeta Kosova Sot.

Rivaliteti në krim i grupeve të interesit 

Analisti politik Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ajo që është e sigurt në shoqërinë tonë, është se ndarja kushtetuese e pushteteve dhe balancimi i tyre është i rrezikuar skajshmërisht nga veprimi i grupeve të interesit, të cilat, siç tha ai, anashkalojnë institucionet, madje për më tepër edhe ligjin, gjersa tërë ato i arrijnë falë lidhjes politike, bizneseve, apo institucioneve të drejtë- sisë. Më tej, Lepaja ka nënvizuar se është në interesin e qytetarëve dhe të shtetit që dyshimet e bazuara për krim dhe korrupsion të trajtohen përmes një procesi gjyqësor të rregullt, dhe i cili në bazë të ligjit duhet të japë një verdikt për fajësinë apo pafajësinë eventuale.

"Personalisht, mendoj se shpërfaqja nëpër medie, apo rrjetet sociale e materialeve të hetimeve, pa u verifikuar ato nëpër një proces të ligjshëm gjyqësor mundet të dëmtojë kështu reputacionin e qytetarëve, prandaj mendoj se procesi gjyqësor duhet të zhvillohet në gjykatë, ndërsa mediet dhe opinioni të komentojnë rrjedhën e tij, dhe jo të paragjykojnë duke u nisur nga pozita të cilat mund të jenë të anshme", tha ai. Njëkohësisht, në këtë drejtim, Lepaja thotë se duhet pamundësuar edhe grupeve të interesit që përmes ndikimit të tyre në medie, të bëjnë presion për t'i luftuar rivalët e tyre në krim. Tutje, në këtë aspekt, Lepaja nënvizon se mekanizmat e drejtësisë nuk duhet të punojnë, siç thotë ai, 'me turra', por që ata duhet të jenë në ndjekje të vazhdueshme të krimit dhe se përderisa ka bazë ligjore nuk duhet të ndalojnë së hulumtuari rastet. 
 

Dyshimet të argumentohen me prova

Avokati Nikë Shala ka theksuar për gazetën "Kosova Sot"se arrestimet në mënyrë spektakolare mund të dëmtojnë rëndë imazhin apo personalitetin e çdo personi kundër të cilit iniciohet dhe zhvillohet procedurë penale, pasi, sipas tij, të gjithë duhet pasur parasysh faktin se duke u bazuar në parimin e prezumimit të pafajësisë, çdo personi i dyshuar konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë nga ana e gjykatës. Shala më tej nënvizon se organet e ndjekjes duhet të mos ndalen në punën e tyre profesionale për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit etj., derisa, siç thotë ai, dyshimet për veprat penale duhet t'i çojnë deri në fund, por edhe ato t'i argumentojnë me prova materiale. Në këtë drejtim ai shton se ato po ashtu duhet të mos ndalen vetëm tek arrestimet spektakolare në një rast, por duhet që për çdo rast të zbardhet e vërteta dhe personat e dyshuar të marrin dënimin meritor, e jo siç po ndodh e kundërta në të shumtën e rasteve në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

" Nga eksperienca ime si avokat kam pasur raste kur klienti im i një profili të lartë është arrestuar ne mënyrë spektakolare, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit, pastaj ajo e paraburgimit, ndërkaq gjatë zhvillimit të hetimeve në mungesë të provave është pushuar procedura penale ndaj tij. Kësisoj një veprim i tillë po e degradon rëndë personalitetin e të pandehurit, por edhe duke i shkaktuar dëm qoftë jo material apo material atij, andaj organet kompetente duhet të kenë kujdes të shtuar që gjatë zhvillimit të procedurës mos të shkelin të drejtat themelore të garantuara me Kodin e Procedurës Penale, pastaj Kushtetutën e vendit dhe Konventat Ndërkombëtare", ka deklaruar avokati Nikë Shala.
 

"Prokuroria dhe organet e sigurisë nuk vepruan ashtu siç i ka hije ndaj Azem Sylës, pasi, siç duket, ai e paska ditur mirë ditën kur do të arrestohej, dhe kësisoj ka ikur nga përgjegjësia, e që kjo ka ndodhur nga përgjegjësit e rëndësishëm të Prokurorisë, Hetuesisë apo të vetë sigurisë së shtetit. Ai është sinjalizuar, përndryshe do të ndodhej në shtëpinë e tij, qoftë në Prishtinë apo në Drenicë", tha Dibrani.
 

Deputeti Enver Hoti, nga Nisma për Kosovën, tha për gazetën "Kosova Sot" se është i bindur që sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur qysh në 'themel' dhe, sipas tij, Qeveria aktuale, por edhe drejtuesit e vendit nuk mund ta ndryshojnë këtë sistem të drejtësisë, i cili është tani për tani. " Kjo, ngase njerëzit brenda sistemit të drejtësisë janë shndërruar në mbrojtje të krimit të organizuar", ka nënvizuar Hoti.
 

(Kosova Sot)