Komuna e Prishtinës arrin në finalen e “Albanian ICT Awards”

  • 29 April 2016 - 22:13
Komuna e Prishtinës arrin në finalen e “Albanian ICT Awards”

Me projektin digjital të shërbimeve publike, i njohur si E-kioska, Komuna e Prishtinës po merr pjesë në edicionin e katërt të “Albanian ICT Award” në Tiranë. Veç kësaj, me këtë produkt, Prishtina është përzgjedhur në mesin e tre kandidatëve final në kategorinë “Shërbimi Publik i Vitit”. Në ceremoninë e cila po mbahet në Tiranë, sonte do të ndahen shpërblimet për shtatë kategori. Komuna e Prishtinës po pret që të dalë e para në kategorinë e shërbimeve publike.

Komuna e Prishtinës është e para në Ballkan që ofroi një shërbim të tillë digjital për qytetarët, të cilët tash e një vit kanë mundësi të vet-shërbehen në mënyrë që të nxjerrin ekstraktin e lindjes dhe dokumente të tjera vetëm për disa minuta.

Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi i cili po merr pjesë në ceremoni tregoi për përzgjedhjen që i është bërë Prishtinës në “Albanian ITC Awards”. Ai tha se pret që Prishtina të marrë pozitën e parë.

“Pas ftesës për aplikim të cilin e kam marrë nga ICT Awards, është bërë përzgjedhja e kategorisë së ngushtë nga juria ndërkombëtare shumë profesionale nga lëmia e ICT-së, ndërsa në fund të javës së kaluar janë informuar vetëm tre finalistë të cilët janë përzgjedhë për pjesëmarrje në garën e sontme. Besoj edhe ne si Komunë e Prishtinës e kemi jap kontributin në këtë aspekt të shërbimeve publike, në këtë aspekt, posaçërisht në përmirësimin e jetesës së qytetarëve tanë.….Produkti me të cilin kemi dalë vitin e kaluar, bëhet fjalë për produktin e vitit të kaluar, ose me këtë shërbim, ka bërë jehonë shumë të madhe, jo vetëm në shtetet e Ballkanit perëndimor ku për herë të parë është implementuar ky produkt, e-kioska, por edhe në shumicën e shteteve të bashkësisë evropiane. Andaj pres pozitën e parë sonte”, thotë ai.

Kjo teknologji e ofruar nga Komuna e Prishtinës që u ofron qytetarëve nxjerrjen e dokumenteve nga zyra e gjendjes civile, pa pasur nevojë të shkojnë në sportel, është mirëpritur nga juria e kësaj ceremonie dhe komunat tjera pjesëmarrëse. Nushi tha se përmes kësaj teknologjie janë nxjerr mijëra dokumente për më pak se një vit.

Në këtë natë finale të “Albanian ITC Awards”, finalistët janë përzgjedhur nga komisioni ndërkombëtar i ceremonisë. Në garë është paraqitur një numër i madh aplikacionesh.

Juria përbëhet nga një numër i madh i anëtarëve që janë përfaqësues të ministrive, kompanive vendore e të jashtme.

Produkti i shërbimeve publike E-kioska, është lansuar më 11 qershor të 2015’ës.

Nga ky sistem automatik i mundësuar nga Komuna e Prishtinës, ofrohen gjithsej pesë lloje të dokumenteve, ai i ekstraktit të lindjes, certifikata e martesës, certifikata e shtetësisë dhe vendbanimit në gjuhën shqipe, në serbisht dhe anglisht.

Këto dokumente mbulojnë 85 për qind të kërkesave të përgjithshme të qytetarëve në Komunën e Prishtinës.

Sistemi funksionon 24 orë dhe është plotësisht i digjitalizuar dhe për 30 sekonda mund të merret dokumenti i kërkuar.

Vlerësimin final për këtë produkt, si konkurrues në Albanian ICT Awards, pritet ta jepet sonte gjatë ceremonisë së natës finale e cila aktualisht është duke u mbajtur në Tiranë.

Në ceremoni po marrin pjesë kryetarë të komunave të ndryshme të vendeve të Ballkanit, dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme vendore e të huaja.

(Kosova Sot)