Imunizimi i fëmijëve nga komunitetet RAE, mbetet i pambuluar

  • 30 April 2016 - 10:16
Imunizimi i fëmijëve nga komunitetet RAE, mbetet i pambuluar

Kosova njihet si vend ku mbulueshmëria e fëmijëve të vaksinuar ka arritur mbi 95 për qind. Zyrtarë shëndetësorë thonë se kjo shihet si një pikë e ndritshme e sistemit shëndetësor kosovar.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë se Kosova, sidomos në dy dekadat e fundit, ka treguar sukses sa i përket vaksinimit, duke e marrë parasysh përqindjen e fëmijëve të vaksinuar.

“Imunizimit është i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve të rënda ngjitëse. Kosova ka arritur rezultate të lakmueshme, sa i përket imunizimit të popullatës. Falë angazhimit të partnerëve dhe bartësve të programit të imunizimit, ne mund të flasim se mbi 95 për qind e fëmijëve janë të vaksinuar”.

“Unë shpreh admirimin e madh për Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe gjithë punëtorëve shëndetësorë, duke falënderuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Fondacionin për fëmijë të Kombeve të Bashkuara-UNICEF”, ka thënë Rrahmani.

Çdo vit në botë, vaksinimi shmang rreth 2 deri 3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse.

Por, sipas të dhënave në terren të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pesë për qind e fëmijëve të pavaksinuar, janë kryesisht të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas (RAE)

Isme Humolli, nga ky institut, flet për pengesat që hasin sa i përket vaksinimit të fëmijëve të komuniteteve RAE:

“Është projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar qe pesë vjet për ngritjen e vetëdijes dhe përfshirjen sa më të lartë të fëmijëve për t’u vaksinuar. Problemi qëndron me komunitetet RAE, që shfrytëzojnë sistemet shëndetësorë serbe, të cilat janë shumë funksionale në Kosovë”.

“Në këtë aspekt, ne para disa viteve, kemi kërkuar përkrahjen e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që të na ndihmojë me këtë komunitet, në mënyrë që t’i shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore tonat, e që fare nuk i shfrytëzojnë”.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka shtuar se është praktikuar edhe projekti shtëpi më shtëpi, për vaksinimin e fëmijëve të komuniteteve RAE, derisa siç ka thënë ai, ka ende punë duke përfshirë edhe vetëdijen e prindërve të fëmijëve të këtyre komuniteteve.

“Nga ana e institucioneve, është bërë shumë, ndonëse gjithmonë mund të bëhet më shumë. Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik, ka bërë mjaft në këtë aspekt, pra sa i përket vaksinimit shtëpi më shtëpi, dhe kjo flet që institucionet janë serioze për të kryer obligimet e tyre".

"Por, normalisht, ka pengesa edhe në vetëdijen e prindërve, ndonëse ne po punojmë që kjo të eliminohet dhe fëmijët e vaksinuar të arrijnë përqindjen e duhur”, ka theksuar Rrahmani.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, ka deklaruar se falë vaksinimit, është arritur që të mbrohet shëndeti i fëmijëve dhe të parandalohen shumë sëmundje ngjitëse.

“Mendoj se shënimi i Javës Evropiane për vaksinim, është një mundësi e veçantëpër t’iu bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët. Mendoj që ky tregim i suksesshëm i vaksinimit, si një pikë e ndritshme e sistemit shëndetësor të vazhdojë edhe më tej, dhe ne si OBSH, jemi të interesuar t’u ndihmojmë në mbështetje edhe më tej”, ka shpjeguar Syla për rel.

Ndryshe, zyra e Fondacionit për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka përkrahur në vazhdimësi Ministrinë e Shëndetësisë në sigurimin e vaksinave për programin e zgjeruar të imunizimit.

Fondacionit për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, vazhdon të ofrojë vaksina me çmime më të lira, të cilat sigurohen nga prodhuesit e parë të kualifikuar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

(Kosova Sot)