Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Belizenë

  • 30 April 2016 - 11:34
Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Belizenë

Në një ceremoni të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Belizesë.

Përmes kësaj marrëveshjeje të dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit bilateral, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të MPJ, marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesja e Përhershme e Belizesë në Kombet e Bashkuara Sh.S. Ambasadorja Lois M. Young, e cila ishte e shoqëruar nga ambasadorja Janine Coye Felson, zëvendësshefe e misionit, dhe i ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ylber Kryeziu.

Palët e cilësuan historike këtë marrëveshje në mes të dy shteteve. Me këtë rast, z. Kryeziu ka falënderuar ambasadoren Young dhe Qeverinë e Belizesë për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës, përkrahjen e vazhdueshme të agjendës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe ndikimin që ka luajtur Belize në lobimin për njohjen e Republikës së Kosovës nga shtetet e hemisferës perëndimore.

Nga ana tjetër, ambasadorja Young, duke rikujtuar sfidat e ngashme në të cilat ka kaluar shteti i Belizesë gjatë procesit të anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Ajo uroi z. Kryeziu për të arriturat e Republikës së Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe ka siguruar atë që Belize do të vazhdojë të luajë një rol mbështetës për njohjen e mëtutjeshme të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Belize është shteti i 89-të me radhë që hyn në marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës. Belize, shtet anëtar i Komonuellthit, është i vetmi anëtar i të tri organizatave kryesore rajonale të Amerikës Qendrore si: CARICOM, CELAC, dhe SICA. Gjithashtu, Belize është një anëtar shumë i respektuar dhe me ndikim në Kombet e Bashkuara.

Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Rëpublikës së Kosovës dhe Belizesë gjithashtu i është dërguar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon për t’u përcjellur tek të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.

(Kosova Sot)