PTK-ja mbetet në duart e oligarkëve

  • 30 April 2016 - 08:15
PTK-ja mbetet në duart e oligarkëve

Telekomi kosovar, pronë publike për një kohë të pacaktuar
Strategjia e Qeverisë 'Mustafa' nuk e parashikon shitjen e kompanisë

Ish-kryetari i OEKut, Ismajl Kastrati, tha për "Kosova Sot" se problemi i PTK-së është shumë i ndërlikuar, për të dhënë një zgjidhje të lehtë dhe për llogaridhënie. Sipas Kastratit, PTK-ja për një kohë të gjatë ka shërbyer dhe shërben si mundësi e artë për zhvatje dhe rahati të familjarëve, apo militantëve partiakë nga partitë në pushtet, pa përjashtim

Që nga fillimiviti gati askush nga Qeveria e Kosovës nuk po e zë më në gojë çështjen e privatizimit të PTK-së. Ekspertët dhe shoqëria civile janë të mendimit se fajtore është politika që nuk po e diskuton privatizimin e kësaj ndërmarrje. Ndërsa me Strategjinë e re të Qeverisë Mustafa nuk po parashihet shitja e PTK-së, por po synohet "shkrirja" e mjeteve të privatizimit, bëjnë të ditur burimet nga kjo qeveri.

Në realitet edhe në këtë strategji parashihet rritje ekonomike prej rreth 8 për qind, që do të mundë- sonte uljen e shkallës së papunësisë si dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve. Projekti ka përfshirë mbështetjen për përgatitjen e programit të reformave ekonomike 2016-2018 dhe programet e IPA II, që përfshijnë asistencën financiare të BE-së për Kosovën. Strategjia Kombëtare për Zhvillim është e përqendruar në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, infrastruktura dhe konkurrueshmëria. Hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 22 janar të këtij viti. 

Dallimi me Planin Bansko

Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, duke folur lidhur me promovimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, para medieve kosovare ka thënë se ky është një dokument udhërrëfyes për planifikim të politikave dhe një dokument që Qeveria e Republikës së Kosovës e harton për herë të parë. Ai tha se ndryshe prej Planit Bansko, i cili parashihte privatizimin e ndërmarrjeve publike (PTK, KEDS, 'Kosova e Re') brenda një periudhe të shkurtë, Plani më i ri për Zhvillim të Qëndrueshëm, siç quhet ndryshe Strategjia Kombëtare për Zhvillim, nuk e parasheh shitjen e ndërmarrjeve publike.

Sipas Strategjisë, synohet përmirësimi i efikasitetit të ndërmarrjeve publike në përputhje me parimet e qeverisjes korporative të Organizatës Ndërkombëtare për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik, OECD. Ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), dr. Shyqyri Haxha, thotë se nuk e dinë arsyen se përse është lënë anash privatizimi i PTK-së.

Kompanisë duhet t'i rritet vlera

Profesori i Menaxhmentit në Britani të Madhe, Shyqyri Haxha, thotë se PTK-ja duhet të zhvillohet, t'i rritet vlera, në mënyrë që të bëhet atraktive për kompanitë ndërkombëtare të telekomit e pastaj të privatizohet. Sipas Haxhës, synimet për shitje të PTK-së më shumë kishin prapavijë tjetër e jo për të sjellë kompani të fuqishme botërore të telekomit. "Kushtet e shitjes apo të privatizimit kanë qenë të dizajnuara me ndikime politike dhe aranzhime paraprake nga blerësit potencialë", ka thënë më tej ai. Eksperti i integrimeve evropiane, Nëntor Shaqiri, thotë se edhe atëherë, por edhe tash ka qenë dhe mbetet sërish kundër privatizimit të PTK-së. Sipas Shaqirit, gabimi më i madh ka qenë përfshirja e kësaj kompanie në procesin e privatizimit. Telekomi i Kosovës, sepse ajo duhet që të mbetet pronë publike, ashtu siç kanë mbetur telekomet e shumë shteteve në Evropë.

Keqpërdorimi i ndërmarrjes

Ish-kryetari i OEK-ut, Ismajl Kastrati, tha për "Kosova Sot", se problemi i PTKsë është shumë i ndërlikuar, për të dhënë një zgjidhje të lehtë dhe për llogaridhënie. Sipas Kastratit, PTK-ja për një kohë të gjatë ka shërbyer si mundësi e artë për zhvatje dhe rehati të familjarëve, apo militantëve partiakë nga partitë në pushtet, pa përjashtim. "Në PTK kanë rehatuar familjarët ose militantët, në pozita menaxhuese, ose kanë rahatuar shumë punëtor, të cilët kanë marrë rrogë pa e parë kurrë vendin e punës. Dhe kjo ka ndodhur jo vetëm me dhjetëra, por me qindra punëtorë". Ekonomisti Kastrati tha se nga PTK-ja Qeveria ka marrë me qindra miliona dividentë për buxhetin e Kosovës dhe i kanë shpërndarë shpesh, në mënyrë joracionale. "PTK, me çmime ekstra të larta (krahasuar me rajonin), e ka zhvat popullsinë e varfër dhe me nevojë për të komunikuar me familjarët në diasporë", theksoi ai.

"Qeveria 'Thaçi I' në dëm të PTK-së e ka themeluar 'ZMobile'", tha Kastrati. Sipas tij, me qëllim të shitjes sa më lirë, fondet akumuluese të PTK-së nuk janë investuar në zhvillim dhe modernizim, krahas avancimit të teknologjisë në telekomunikacion, por me detyrim janë marrë nga Qeveria për nevoja buxhetore. "Në këto rrethana të pafavorshme për PTK-në është shpallur tenderi i parë, në të cilin konkurrent kryesor ka qenë 'Dojce Telekom' në Kroaci. Çmimi i ofruar nga 'Dojce Telekom' ka qenë 250 milionë euro, ndërkaq Qeveria ka kërkuar 300 milionë euro, por me një kusht. Kushti ka qenë që 50 milionë euro të jepen në formë të "tallit". Gjermanët si praktikë që janë dhanë përgjigje, ne po ju ofrojmë 250 milionë euro, e 50 milionëshin mund ta merrni ju vetë si të doni dhe kur të doni. Ky ka qenë shkaku i dështimit të tenderit të parë", tha ai. Sipas Kastratit, tenderi i dytë ka degraduar edhe më tepër. "Shkaku ka qenë rënia e çmimit në treg i telefonisë mobile dhe ngecja në zhvillim të PTK-së.

Tenderin e pati fituar kompania amerikane "ACP Axos Capital" GMBH, prapa së cilës dyshohet se qëndrojnë oligarkët vendorë", u shpreh më tutje ai.

"Nuk është befasi nëse Kosova e humb kontestin gjyqësor. Interesi i disa vendorëve është që ky kontest të jetë i disfavorshëm për Kosovën", tha Ismajl Kastrati.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, tha se në momentin e volitshëm do të kërkojnë rishikimin e gjithë procesit të privatizimit deri më tani në Kosovë.

Haxha tha se tentativat për privatizimin e PTKsë nuk kanë qenë të menduara mirë dhe se këto tentativa kanë pasur qëllime jo të mira.

(Kosova Sot)