Haziri: Drejtësia duhet të veprojë në mënyrë retroaktive

  • 30 April 2016 - 18:43
Haziri: Drejtësia duhet të veprojë në mënyrë retroaktive

Politologu Arsim Haziri, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, konsideron se është momenti kyç kur Kosova duhet pastruar nga të gjitha hipoteka e së kaluarës kriminale, prandaj drejtësia duhet të veprojë në mënyrë retroaktive, edhe për ato raste serioze të krimit dhe korrupsionit që bazamentin e tyre e kanë që në shpërdorimin e fondeve të luftës, dhe jo vetëm këto të procesit të shtetndërtimit.

"Ndoshta mund të mendohet tani për përmirësimin e drejtësisë kosovare dhe misionit të EULEX-it në Kosovë me arrestimet e fundit. Por, vështirë të fitohet ai besim dhe të marrë merita, të cilat mund të vlerësohen lart. Konsideroj se përgjatë kohës sa ka operuar ky mekanizëm evropian i sundimit të ligjit, së bashku me drejtësinë kosovare, fare pak kanë mundur të dëshmojnë për mandatin për të cilin kanë qenë të thirrur", theksoi Haziri.

"Format e krimit dhe korrupsionit duhet të luftohen dhe të pastrohen rrënjësisht, pa përjashtuar edhe historinë e abuzimit me fondet e luftës", tha politologu Haziri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)