Diaspora greke me sulm të ri ndaj emrit kushtetues të Maqedonisë

  • 30 April 2016 - 19:59
Diaspora greke me sulm të ri ndaj emrit kushtetues të Maqedonisë

Diaspora greke përmes një peticioni që qarkullon në rrjetet sociale, grumbullon nënshkrime për kërkesën që ShBA ta përmirësojë padrejtësinë historike të pranimit të Maqedonisë me emrin kushtetues, njofton televizioni Alfa.

Kjo është e fundit në vargun e aksioneve të diasporës greke në mohimin e emrit kushtetues të vendit, por edhe presion ndaj administratës amerikane e cila gjendet në vit zgjedhor dhe periudhë kur grupet e lobimit i shprehin kërkesat e tyre në këmbim të votave. Peticioni në të cilën është nënshkruar “Organizata mbarë-maqedonase  e ShBA„ e diasporës greke, kërkon që administrata e Barack Obama ta anulojë vendimin ekzekutiv të George Bush të vitit 2004, për pranimin e vendit si Republika e Maqedonisë.

Sipas peticionit në të cilën deri më tani janë nënshkruar 14.600 persona, vendimi i administratës së Bush në vitin 2004 ka qenë me qëllim të sjelljes së stabilitetit në rajon, i udhëhequr nga interesimi i rritur i ShBA për Evropën Juglindore dhe Mesdheun. Sipas organizatës ky hap jo që nuk e ka arritur qëllimin, por e ka bërë të kundërtën. Në peticion thuhet se vendimi për njohjen e emrit kushtetues të Maqedonisë është sjellë si ndihmë për stabilizimin e vendit në kontekst të marrëdhënieve me shqiptarët dhe pakicat tjera. Por në vend të kësaj, ky vendim e ka ndihmuar etnocentrizmin e qeverisë së udhëhequr nga Sllavët.

Në mënyrë plotësuese organizata e diasporës greke thekson se vendi për arsye të ndryshme ka vazhduar me provokime ndaj fqinjëve, sidomos ndaj Greqisë. Sipas tyre kjo në vend është përjetuar si aprovim dhe nxitje për “identitetin e vjedhur” të tij, ndërsa të cilin e ka shfrytëzuar për ekspansionizëm në llogari të Greqisë.

(Kosova Sot)