Rrezik në rrugët pa ndriçim të qytetit!

  • 30 April 2016 - 20:56
Rrezik në rrugët pa ndriçim të qytetit!

Peja në vitet e mëparshme ka qenë e atakuar nga vrasjet e shumta kriminale që ndodhnin në këtë qytet, duke i dhënë një imazh të keq qytetit. Por, kjo tashmë po shihet si diçka e tejkaluar. Kapiteni Ndue Nikolla, duke folur për "Kosova Sot", e ka vlerësuar si të qetë sigurinë në komunë, duke veçuar se po bëhen 16 muaj që në komunën e Pejës nuk ka ndodhur asnjë vrasje dhe se qytetit të Pejës po i kthehet imazhi i një qyteti me një situatë më stabile të sigurisë, krahasuar me vitet e mëparshme. Sipas kapitenit Ndue Nikolla, kjo gjendje e sigurisë është rezultat i një bashkëpunimi shumë të mirë të policisë më qytetarët."Njëherësh, me këtë kemi arritur që të kemi në nivel më të lartë lirinë e lëvizës së qytetarëve dhe nuk është shënuar asnjë rast i incidenteve të motivuara etnikisht", ka thënë Nikolla, duke shtuar se dhe në shkolla siguria është në nivel shumë të lartë dhe atë falë bashkëpunimit të mirë në mes të Drejtorisë së Arsimit dhe drejtorive të shkollave. Sipas tij, për sigurinë rreth shkollave, përpos policëve në uniforma, punë të mirë po bëjnë edhe ata pa uniformë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Shtohen rastet e vjedhjeve të pronave

Kapiteni Ndue Nikolla ka thënë se në katër muajt e parë të këtij viti ka pasur më pak raste të tentimvrasjeve sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjegjësisht tri raste të regjistruara në vitin 2016. Nga an tjetër, sipas tij, ka pasur 4 raste tentim vetëvrasje, apo një më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Mirëpo, ajo që shqetëson sipas kapitenit Ndue Nikolla është tendenca e rritjes së rasteve të cenimit të pasurisë."Derisa në të njëjtën periudhë të vitit 2015 kishte pasur 327 raste të cenimit të pasurisë, në të njëjtën periudhë të këtij viti ka pasur 388 raste, apo mbi 60 raste më shumë, ku bëjnë pjesë vjedhjet e rënda dhe vjedhje të tjera, raste këto të cilat shqetësojnë qytetarët e kësaj komune", ka thënë Nikolla.

Sipas tij, numri i grabitjeve ka mbetur i njëjtë nga pesë sosh. Edhe numri i armëve të konfiskuara ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar nga 16 në 35 sosh, kurse numri i gjobave të shqiptuara nga ana e Policisë kanë shënuar rritje duke arritur mbi 350 sosh. Për të ndalë këtë trend të rritjes së cenimit të pasurisë, policia në Pejë ka një plan operativ për zbatimin e të cilit ka angazhuar policët me performancë më të mirë, të cilët patrullojnë në orët e natës, por problem i veçantë në këtë rrafsh po del të jetë mungesa e ndriçimit publik në shumë lagje të qytetit, të cilat janë më se shumti të atakuara nga hajnat.

Ish-hoteli "Karakaqi" ka ngelur si fantazmë në qytet

Isuf Berisha, nga njëra prej lagjeve të atakuara nga hajnat, thotë të kenë bërë kërkesë në Komunë që lagjja e tyre të këtë ndriçim publik, ngase në mungesë të ndriçimit ato lagje natën duken edhe të frikshme. "Ne kemi edhe hallin e sigurisë së fëmijëve tanë, që vijnë në orët e vona në shtëpi", ka thënë Berisha. Mirëpo, në një tubim me qytetarë kanë munguar kryetari dhe drejtori për punë komunale, duke lënë pa përgjigje qytetarët.

Edhe Hysen Gashi nga lagjja e "Karagaqit" paraqiti si shqetësim objektin e ishhotelit "Karagaqi", i cili është shndërruar në objekt fantazmë, që po shërben si çati e narkomanëve dhe hajnave, e që po frikëson komunitetin e asaj zone nga këta persona që tubohen aty. U kërkua që kryetari i komunës të gjejë një zgjidhje me AKP-në që atë objekt ta rrënojnë, ngase nga i njëjti nuk ka ngelur pothuajse asgjë, me përjashtim të mureve dhe një çatie që mund të rrënohet së shpejti.

Nga ana tjetër, drejtori për Arsim në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, ka thënë se në kuadër të planit operativ për realizimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, në fillim të muajit maj do të organizohet një takim informues me nxënësit e dy shkollave të mesme, ku do të marrin pjesë edhe përfaqë- sues të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

(Kosova Sot)