Burjani: Pse po minimizohen veprat kriminale

  • 01 May 2016 - 08:55
Burjani: Pse po minimizohen veprat kriminale

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit Blerim Burjani, tha për gazetën, "Kosova Sot" se deri më tani nuk ka pasur ndonjë vullnet për të bërë dekriminalizimin e plotë institucional nga pjesa e lidershipit të vendit.

Ai nënvizon se të gjitha këto ndryshime do vinin vetëm në rast se lidershipi ka vullnet, i cili determinohet përmes akteve apo veprimeve praktike të ndryshimit të gjendjes si në sistemin e drejtësisë, por edhe në hallkat e tjera. Kësisoj, Burjani thotë se nuk ka ndonjë shpresë të madhe se në të ardhmen ky kriminalitet do të luftohet në mënyrë serioze pasi, sipas tij, po të shikohen aksionet e fundit që u ndërmorën nga organet e drejtësisë, ato po ndodhin çdo 2 apo 3 vjet, që po marrin një iniciativë të tillë, derisa këto aksione po duken në mënyrë spektakolare se do të fillojë të ndryshojë gjendja, por që këtu po fitohet njëfarë përshtypjeje e rrejshme, raporton gazeta Kosova Sot Online.

"Është shumë interesante, pasi çdo 2 -3 vjet është nga një aksion i tillë, pastaj fillojnë proceset e gjata gjyqësore dhe në fund minimizohen ato vepra penale dhe dikur pothuajse edhe aktgjykimet janë me dënime shumë të buta e nganjëherë edhe dënime alternative. Prandaj, rendi dhe ligji gjithmonë do të jenë në pikëpyetje, përderisa mbeten në pushtet këto parti politike", thekson ai.

Burjani thotë se mund të ekzistojë mundësia që edhe vetë ky sistem i drejtësisë dhe një pjese e njerëzve që punojnë për këto organe të rendit dhe të drejtësisë kanë filluar që të kriminalizohen brenda tij, pasi tentativa e tyre ka qenë që të pasurohen pa bazë dhe në mënyrë të kundërligjshme, derisa, sipas tij, ato mund përmirësohen apo të ndryshohen vetëm në rast se kemi një sistem krejtësisht të ri të edukimit institucional sa i përket vlerës së kuadrove të reja në prokuroi dhe gjyqësi.

(Kosova Sot)