Thirrja për ripërsëritje të `98, ish kreu i SHISH: Ja si iku Sali Berisha me bisht ndër shalë

  • 01 May 2016 - 11:28
Thirrja për ripërsëritje të `98, ish kreu i SHISH: Ja si iku Sali Berisha me bisht ndër shalë

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, deklaron se, kërcënimet e Sali Berishës për përsëritjen grushtit të shtetit të 14 Shtatorit ’98, janë broçkulla dhe shenjë e pafuqisë së tij.

Megjithatë, Fatos Klosi shton se, mazhoranca qeverisëse dhe organet e drejtësisë duhet t’ia mbyllin gojën Sali Berishës, që të mos thotë më marrëzi të tilla.

Gjatë një interviste për Shqiptarja.com, Klosi kujton se Sali Berisha e bëri grushtin e shtetit në 14 Shtator ’98, por u tërhoq me bisht ndër shalë në orën 17:00 të pasdites. Por, ai mendon se pas 18 vitesh nuk ka asnjë shans të përsëritet një skenar i tillë, për shkak se Shqipëria është vend anëtar i NATO dhe vëmendja e BE është maksimale. Klosi ka hedhur poshtë edhe tezën e Berishës, sipas të cilës, armët me të cilat u vranë shqiptarët në ’97 erdhën nga deti. Sipas tij, kallashnikovët që morë mijëra jetë nuk mund të vinin nga deti, por dolën depot.

“Kërcënimi është në vazhdën e muhabeteve të zakonshme të Berishës. Nuk është kaq trim sa hiqet. Mazhoranca dhe shqiptarët absolutisht nuk duhet ta kenë frikë. Por, Sali Berishën duhet ta marrin seriozisht në kuptim që, mazhoranca duhet ta ndalojë që të flasë broçkulla të tilla. Frikë? Absolutisht, jo. Berisha prej kohësh i ka përdorur kërcënimet. Kush i ha, i ha. Në rastin e fundit, atij i bëhet qejfi dhe ai ia arrin qëllimit. Por, unë mendoj se këto kërcënimet duhet të merren si broçkulla. Komenti im është ky: Sali Berisha e bëri grushtin e shtetit në 14 Shtator të ’98. Ai i mori me dhunë të gjitha institucionet. Pushteti i atëhershëm nuk e kundërshtoi. Ia la të gjitha. Kryeministri iku në Maqedoni. Çfarë bëri Sali Berisha pastaj? Iku me bisht ndër shalë. Në orën pesë pas dite iku me bisht ndër shalë. Atëherë çfarë do të bëjë sërish?”, thotë ai.

(Kosova Sot)