I zhdukur që në ’97-n, policia zbulon vrasësin e fëmijës

  • 01 May 2016 - 16:48
I zhdukur që në ’97-n, policia zbulon vrasësin e fëmijës

Zhdukja pa lënë gjurmë e një fëmije në vitin 1997 duket se është zbardhur më në fund. Amerikani Peter Kema Jr. Ishte vetëm 6 vjeç, kur prindërit denoncuan se kishte humbur.

Pavarësisht kërkimeve intensive për disa muaj, në atë kohë nuk u gjet asnjë gjurmë e tij.

Por 20 vjet më vonë, policia duket se nuk ka më dyshime: vrasësit janë pikërisht prindërit e tij Peter Kema, 45 vjeç dhe e shoqja Jaylini, 46 vjeçe.

Ata akuzohen për vrasje të gradës së dytë dhe ndodhen aktualisht në një burg në Havai.

Për vite me radhë, policia nuk gjeti asnjë provë kundër prindërve, por mbeti me dyshimin se ata kishin gisht në zhdukjen e fëmijës, sepse denoncimi ishte bërë disa javë pasi gjurmët e fëmijës ishin zhdukur. Ata kishin thënë fillimisht se djali ndodhej te një teze, ekzistenca e së cilës nuk u provua kurrë.

Por në vitin 2005, një raport i Zyrës së Shërbimeve Sociale nxori në dritë dhunën barbare që ushtronte babai i djalit ndaj fëmijëve të tij.

Të pyetur rreth këtij fakti, fëmijët dhanë dëshmi kontradiktore në atë kohë. Por në vitin 2014, dëshmi të reja të familjarëve të Peter Kema-s çuan në arrestimin e tij dhe së shoqes.

“Këtë ditë e kemi pritur prej shumë kohësh. 1 maji do të ishte ditëlindja e 25-të e Peter Jr”, tha prokurori i çështjes.

(kosova Sot)