Zhgënjimi i ish-luftëtarit të UÇK-së

  • 30 April 2016 - 20:24
Zhgënjimi i ish-luftëtarit të UÇK-së

Bastri Istrefi, nga Mitrovica, është edhe një veteran tjetër që u zhgënjye shumë nga paslufta. Jo për kontributin që kanë dhënë ai dhe shumë të tjerë në luftën e fundit të UÇK-së, por meritat e tyre nuk u vlerësuan asnjëherë. Istrefi pas shumë vitesh arrin të gëzojë vetëm një pagesë prej 170 eurosh, e drejtë kjo që e gëzon si veteran i luftës, por jo edhe një vend pune ku, siç tha ai, do t'i jepej mundësia t'u dilte në ndihmë familjes së tij 6-anëtarëshe,shkruan gazeta Kosova Sot.

I harruar nga të gjithë, ai thotë se nga pas lufta nuk gëzoi të drejtën për kulm mbi kokë. Sipas tij ka më shumë se njëzet herë që problemin e tij të banimit e ka paraqitur në Komunën e Mitrovicës. Istrefi ka shpjeguar më tej se shtëpia në Bajgorë i është djegur dhe se atje më nuk ka pasur mundësi të kthehet përderisa endja nga një shtëpi në tjetër ka bërë që të heq të zitë e ullirit."Nuk kam fjalë të përshkruaj gjithë këto që po heq nga paslufta. Jam endur nga një shtëpi në tjetrën duke paguar edhe qira, ndërsa në anën tjetër kam jetuar deri vonë me vetëm me një ndihmë sociale prej 75 eurosh", ka pohuar ai.  

U detyrua t'ia ndalë shkollimin e mëtutjeshëm djalit të madh

Istrefi kujton se si me mjaft vullnet i është bashkangjitur luftës, duke shpresuar në ditë më të mira në liri. Por, tash thotë se ish-luftëtarët janë për keqardhje, sepse mundi i tyre e nuk u shpërblye si kontribuues i luftës. "Vërtet nuk e kam menduar kështu. Kam shpresuar për ditë më të mira", është shprehur Istrefi. E duke shpjeguar nëpër hallet e tij ka thënë se ka mbetur disa herë edhe pa energji elektrike, sepse nuk ka pasur mundësi ta paguajë vetë."Tash prej këtij viti, kur edhe e kam marrë pensionin si veteran i luftës, po e paguaj, ndërsa derisa kam qenë vetëm me një ndihmë sociale nuk kisha mundësi dhe shpesh KEK-u na ka lënë në terr me fëmijë", u shpreh Istrefi.

Por, të këqijat e tij nuk përfundojnë vetëm me kaq. Istrefi ka shpjeguar se për shkak të kushteve të vështira ekonomike i është dashur që t'ia ndalojë shkollimin e mëtutjeshëm djalit të madh. "Çka të bëja me një ndihmë sociale atëherë, t'u ofroj bukë familjes, apo t'ia vazhdoja shkollimin e mesëm djalit të madh. Bashkë me atë vendosëm që ai të mbesë pa shkollim të mëtutjeshëm, ndërsa sot e kam pikë në zemër pse nuk kam pasur mundësi si kryefamiljar ta shkolloj atë", thotë Istrefi me vaj në buzë. 

ImageObjekti aspak nuk i plotësonte kushtet për banim

Istrefi as tani nuk ka bërë zgjidhje të banimit, ani pse të ardhurat e një veterani të luftës janë pak më të mira sesa ajo që ka marrë si ndihmë sociale."Tani jemi vendosur në këtë shtëpi, qira nuk po paguajmë, por edhe kjo shumë që e gëzojmë sot janë të pamjaftueshme për gjashtë anëtarët e një familje", shprehet Istrefi, duke shtuar se tash këto ditë kanë mbetur edhe pa një cent në shtëpi dhe kanë kërkuar ndihmë tek një fqinj."Po, po mungon gjithçka, nga kushtet elementare e deri tek buka, nganjëherë", shprehet ai. Ndryshe, edhe pse po banonin në një shtëpi ku nuk janë të obliguar të paguajnë, objekti aspak nuk i plotësonte kushtet për banim. Ishte një objekt i vjetër, me mure të qara dhe i ndërtuar nga një material i dobët, që u përket kohëve të kaluara.

Istrefi ka edhe një hall më shumë tani për vete dhe familjen e tij, pasi shtëpia mund të rrënohet dhe t'i zërë në gjumë. "Kur fryjnë erërat dhe kur ka të reshura nuk flemë unë dhe bashkëshortja. Kemi hallin se do të na rrënohen muret dhe do të na zërë çatia", u shpreh ai. Por, si do që të jetë kjo familje, sikurse edhe shumë familje të tjera, ka nevojë për ndihmë. Istrefi dhe familja e tij nuk kanë shpresa se vetë do të kenë mundësi të ndërtojnë një objekt tjetër, pasi siç tha vetë ai nuk kanë as truall. Ai edhe pse i aftë për punë thotë se ka kërkuar 100 herë, por që nuk i është afruar ndonjë mundësi në Mitrovicë.

"Po, kam kërkuar punë, nuk kam dashur të rri duarkryq dhe të pres nga të tjerët, por askush nuk e ka marrë parasysh kërkesën time", është shpreh ndër të tjera ai. Ndërkohë, kjo familje kërkon ndihmë për zgjidhjen e banimit. Për të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë asaj e kanë në dispozicion numrin e telefonit: 049 342 523.

(Kosova Sot)