Jakup Krasniqi reagon ndaj arrestimit të ish- ushtarit të UÇK-së

  • 01 May 2016 - 21:02
Jakup Krasniqi reagon ndaj arrestimit të ish- ushtarit të UÇK-së

Ish- kryetari i Kuvendit dhe njëherësh kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas arrestimit në Zvicër të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Albert S., me kërkesën e shtetit serb për ekstradim në Serbi.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës në këtë rast duhet të vihet fuqishëm në mbrojtje të qytetarëve të vet.

Reagimi i plotë i Kransiqit në rrjetin social:

“Arrestimi i Albert S., ish pjesëtar i UÇK-së në Zvicër me kërkesën e shtetit Serb për ta ekstraduar në Serbi, jo vetëm që është i pa pranueshëm, por është edhe vënien e Zvicrës në shërbim të politikës se gjenocidit serb të ushtruar për dekada të tëra në Kosovë.

Zvicra është njëri nga shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka lidhje diplomatike me Kosovën, kjo do të thotë se nuk e ka asnjë arsyeje për t’i ekstraduar qytetarët e Republikës së Kosovës në Serbi. Madje cili është ai shtet në Evropë që nuk e di se cila ishte politika serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës në ketë rast duhet të vihet fuqishëm në mbrojtje të qytetarëve të vet. Por jo vetëm kaq.

Qeveria e Kosovës e Presidenti, duhet të reagojnë institucionalisht, te të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën, në të gjitha vendet që jetojnë e punojnë qytetarët e Kosovës, që çdo ekstradim i cilitdo qytetarë të Kosovës duhet të bëhet vetëm në Kosovë e askund tjetër.

Pasi këta njerëz janë duke biseduar me Serbinë që disa vite dhe i kanë bërë asaj koncesione të pa numërta, duhet të kërkojnë nga bashkëbiseduesit serb, që t’i ndërpresin përpjekje për t’i ndjekur qytetarët e Kosovës ose duhet që ta ndërprenë çdo formë të komunikimit me qeveritarët e Beogradit!

Nëse, nuk e bëjnë ketë dhe nuk vihen ne mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, duhet të dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre, në mënyrë që t’i hapin rrugë zgjedhjeve të reja të lira dhe të mos të lajmërohen më, pasi nuk kanë potencë të udhëheqin me vendin.”
 

(Kosova Sot)