Te guri i Pllajnikut për të prishur”sehiret”

  • 01 May 2016 - 08:14
Te guri i Pllajnikut për të prishur”sehiret”

Vendasit ende besojnë në besëtytni të përcjella me shekuj

Qengaj: Pllajniku hyn në vendbanimet më të lashta të Opojës

 “Malet dhe ashpërsia e natyrës ishin misteri i tyre që sillte gjithçka, që opojanët e quajnë ‘të ligë’, i cili ua vështirësonte jetesën edhe ashtu tepër të vështirë”, tregon Skender Ibrahmi

Afër rrugëve, në qafëmale, vërehen në disa raste grumbuj gurësh formash të ndryshme, të cilët konsiderohen të shenjtë. Disa quhen varr i shenjtë, të tjerët rreth i shenjtë e me emra të tjerë. Disa nga këto “murana” janë ngritur si shenjë respekti për njerëzit që kanë vdekur në ato vende në forma të ndryshme: si përhapës të një besimi.

Në të djathtë të rrugës në Pllajnik të Opojës ndodhet guri i Ndreht. Abaz Qengaj, mësimdhënës dhe intelektual i fshatit më malor, Pllajnik të Opojës, është shprehur për gazetën se vendbanimet e këtushme kanë legjenda të shumta nga “Luga e shtrigës” e deri te legjendat e mëdha që po t’i dëgjosh u ngjanë miteve të lashta njerëzore. “Besëtytnitë në traditën shumë të pasur dhe të larmishme të Opojës zënë një vend me rëndësi në kulturën fetare dhe popullore të këtij regjioni. Por, që në fillim duhet të theksojmë se këto vlera nuk i përkasin vetëm Opojës, pasi shumë motive të kësaj sfere janë të përbashkëta me krahinat e tjera shqiptare. Kështu në këtë kontekst shpesh mund të themi se imagjinata, personazhet, veprimet magjike janë shumë të përafërta apo të ngjashme me krahinat, me të cilat kufizohet rajoni i Opojës.

Guri ndodhet në lartësi mbidetare mbi 1400 metra

Gjatë këtyre udhëve të mundimshme shekullore, malësorët opojanë ndesheshin me forcat e natyrës, si: ngricat, thatësia, stuhia, insektet dëmtuese të kulturave të pakta bujqësore, bishat e egra, sëmundjet e shumta të njerëzve, kafshëve etj.”, shprehet Qengaj. Malet dhe ashpërsia e natyrës ishin misteri i tyre që sillte gjithçka, që opojanët e quajnë “të ligë”, që ua vështirësonte jetesën edhe ashtu tepër të vështirë, tregon Skender Ibrahmi.

“Në këto kushte, njeriu i paditur e ndiente veten në rrezik dhe përpiqej që me veprime magjike, në radhë të parë të shpëtojë nga armiqtë e tij të imagjinuar dhe kështu në këtë mënyrë pasuroi populli i Opojës besimet dhe besëtytnitë e kota, të cilat shumë prej tyre janë më të vjetra se vetë fetë, në këtë regjion”, shprehet ai. Për shumë fshatra të Opojës mendohet se mali ka shpirt dhe është i shenjtëruar, i cili për shkak të shumë pakujdesive të njerëzve mund edhe të bëjë mallkime, prandaj ata mendojnë se këto vijnë për faktin se malet kanë shumë gurë. Guri, sipas tij, konsiderohet diçka shenjtërore, e i këtillë është edhe guri Ndreft. Abaz Qengaj shprehet se në bazë të pozitës dhe lartësisë që ka, Pllajniku paraqet kulmin e fshatrave të Opojës. Shtrihet në njërën nga pllajat e Sharrit, në lartësi mbidetare 1350 -1422 metra. Sipas tij, ky emër vjen nga burimet e sigurta e fjalëve shqipe pllajë dhe nik.

“Ky vendbanim daton shumë herët dhe kështu në dokumentet e vjetra osmane, të vitit 1575, Pllajnikun e gjejmë po me këtë emër, që tregon se Pllajniku hyn në vendbanimet më të lashta të Opojës. Shënimet e para tregojnë se fshati në vitin 1579 kishte 18 shtëpi. Në vitin 1865 e gjejmë me 47 shtëpi, 1913 kishte 40 shtëpi, me 1948 me 45 shtëpi dhe 322 banorë, me 1961 kishte 43 shtëpi me 365 banorë”.

Gurët ndihmojnë në pëlleshmeri

Në mesin e shumë legjendave që plakat i tregonin në këtë fshat ishte ajo e besimit të vendeve të caktuara. Mirëpo, krye-legjenda e këtij fshati ende vazhdon të jetojë ndër të gjitha brezat ndoshta mbi pesë a gjashtë shekuj është Guri Nreft.

Guri në fjalë është një gur i çarë në dysh dhe se ka një pykë të gurit dhe aty është edhe guri i peshkut, që me gjasë duhet të jetë quajtur ngurimi ipeshkvit. Banorët kanë besuar se këta gurë ndihmojnë në pëlleshmeri dhe shprishin sehiret. Banorët mendojnë se në momentin kur njerëzit kanë prekur këtë gur, fshati është pakësuar me numër të banorëve.

Nga fshati janë shpërngulur mbi 90 për qind e banorëve. Guri gjendet në një lartësi 1480 metra dhe aty thuhet se ka qenë e ndërtuar kisha afër tij.“Aty mund të ketë qenë e vendosur kambana e kishës, sepse po aty fillojnë arat me emrin “Kishëza e Vogël” dhe ngjitas me atë “Kishëza e Madhe”, që janë vetëm pak më lart. Pak më poshtë është një lartësi mbidetare 1435 m, është guri i Peshkut”, shprehet Qengaj. Nga ky vend mund të shihen Peja dhe Istogu. Banorët thonë se ky fshat është islamizuar më 1578. Përpos gurit të peshkut ose Ipeshkvit nuk ka ndonjë dëshmi tjetër të historisë. Me këtë gur lidhen dhjetëra besëtytni. Në Pllajnik edhe sot e kësaj dite luhet loja për thyerjen e vezëve për ditën e verzës. Këto legjenda flasin me një përkushtim, kurse edhe sot e kësaj dite plakat kur shkojnë aty bëjnë lutje tek Zoti. Askush nuk e di pse kaq shumë besime ka për këtë gur për këtë kambanë guri. Banorët kur bëjnë be edhe sot e kësaj dite përmendin gurin e Ndreft.

Për shumë fshatra të Opojës, mendohet se mali ka shpirt dhe është i shenjtëruar, i cili për shkak të shumë pakujdesive të njerëzve mund edhe të bëjë mallkime, prandaj ata mendojnë se këto vijnë për faktin se malet kanë shumë gurë

(Kosova Sot)