Politikanët mafiozë po e sundojnë ligjin

  • 30 April 2016 - 08:11
Politikanët mafiozë po e sundojnë ligjin

Pritje të zbehta pas aksionit të fundit të Eulex-it

Azem Syla mund të përdoret si "kokë turku"

"Është shumë interesante pasi çdo 2 -3 vjet është nga një aksion i tillë, pastaj fillojnë proceset e gjata gjyqësore dhe në fund minimizohen ato vepra penale dhe dikur pothuajse edhe aktgjykimet janë me dënime shumë të buta e nganjëherë edhe dënime alternative. Prandaj, rendi dhe ligji gjithmonë do të jenë në pikëpyetje, përderisa mbeten në pushtet këto parti politike", thekson analisti Blerim Burjani

Drejtësia në Kosovë asnjëherë gjerë më tani nuk është treguar se është e zonja që të arrestojë figurat e rangut të lartë të politikës, por as që ka tentuar madje ta bëjë një gjë të tillë. Veç disa rasteve të rralla të arrestimeve që janë bërë, e të cilat kryesisht nga ndërkombëtarët, drejtësia jonë, por as lidershipi i vendit nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap apo iniciativë të tillë në këtë drejtim dhe thuajse tash e një kohë të gjatë kanë mbetur në të njëjtin pozicion.

Nisur nga kjo, shtrohet pyetja se a janë të kapura dhe të dirigjuara gjykatat dhe prokuroritë nga mafio-politika, por edhe nga mafio- oligarkët e tejinkriminuar? Politologu Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se emërimi i prokurorëve dhe gjykatësve në Kosovë asnjëherë nuk është bërë nga ana profesionale ose performanca e tyre, por përmes ndikimeve politike, në mënyrë që ata t'u shërbejnë grupeve dhe klaneve mafioze të politikës dhe parapolitikës, dhe rrjedhimisht të jenë të paprekshëm nga drejtësia, pavarësisht asaj, siç thotë ai, se janë të zhytur deri në fyt në afera korruptive dhe krime të natyrave të ndryshme. Kësisoj, sipas tij, kjo nënkupton se drejtësia, politika dhe bizneset kriminale, janë të lidhura bashkë dhe e mbrojnë njëra-tjetrën në krimet dhe pisllëqet e tyre. 

Korrupsioni, i pandalshëm

"Gjithë ky korrupsion i lartë nga politika, krimi i organizuar, vrasjet me motive politike dhe krime të natyrave të ndryshme, që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Kosovën e pasluftës, e në anën tjetër asnjë politikanë nuk e kemi mbrapa grilave për këto vepra penale, kjo tregon më së miri se në duart e kujt sot është drejtësia në Kosovë", tha Krasniqi. Në këtë drejtim, ai thotë se kjo gjendje në sistemin e drejtësisë nuk ka për të ndryshuar kurrë, derisa këta politikanë mafiozë janë në skenën politike, teksa në anën tjetër, sipas tij, për fat të keq, në pamundësi që të bëjmë diçka në këtë drejtim, ai nënvizon se do të mbesim vetëm spektatorë të krimeve dhe padrejtësive të përditshme nga këta mafiozë, që veten madje po e konsiderojnë edhe ''Zot'' të shqiptarëve.

Tutje, ai ka shtuar se një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë, se ky është një rrjet i madh kriminal që udhëheq sot me shtetin, pushtetin, drejtësinë, nga të fuqishmit e politikës dhe parapolitikës. "Kjo klasë politike dhe parapolitike në Kosovë, funksionon sikur 5 familjet e famshme mafioze njujorkeze dhe kartelet e drogës kolumbiane dhe ato meksikane, në stilin e mafiozit famoz kolumbian Pablo Eskobar, mafiozit më të tmerrshëm që ka njohur historia ndonjëherë", ka thënë ai.

Këtu ai thotë se vetëm një gjë i dallon ata nga Eskobari, pasi këta janë të veshur me petkun e politikanit dhe fshihen e mbrohen duke shfrytëzuar imunitetin dhe fuqinë politike që kanë. " Edhe arrestimi i deputetit Azem Syla dhe grupit të tij kriminal, janë thjesht vetëm spektakle të këtij pushteti se gjoja jemi duke e luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat sa janë qesharake janë edhe neveritëse, në mënyrë që kësisoj t'i thonë BE-së se ja po arrestojmë njerëz të profilit të lartë ashtu siç kërkonit. Prandaj, Azem Syla nga mafio-politika do të përdoret si "kokë turku', për t'u amnistuar ''peshqit'' e mëdhenj të politikës, për të gjitha krimet ekonomike dhe politike që kanë ndodhur në Kosovën e para dhe pasluftës", u shpreh ai.

Mungoi vullneti për dekriminalizim

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit Blerim Burjani, tha për gazetën, "Kosova Sot" se deri më tani nuk ka pasur ndonjë vullnet për të bërë dekriminalizimin e plotë institucional nga pjesa e lidershipit të vendit. Ai nënvizon se të gjitha këto ndryshime do vinin vetëm në rast se lidershipi ka vullnet, i cili determinohet përmes akteve apo veprimeve praktike të ndryshimit të gjendjes si në sistemin e drejtësisë, por edhe në hallkat e tjera. Kësisoj, Burjani thotë se nuk ka ndonjë shpresë të madhe se në të ardhmen ky kriminalitet do të luftohet në mënyrë serioze pasi, sipas tij, po të shikohen aksionet e fundit që u ndërmorën nga organet e drejtësisë, ato po ndodhin çdo 2 apo 3 vjet, që po marrin një iniciativë të tillë, derisa këto aksione po duken në mënyrë spektakolare se do të fillojë të ndryshojë gjendja, por që këtu po fitohet njëfarë përshtypjeje e rrejshme.

"Është shumë interesante, pasi çdo 2 -3 vjet është nga një aksion i tillë, pastaj fillojnë proceset e gjata gjyqësore dhe në fund minimizohen ato vepra penale dhe dikur pothuajse edhe aktgjykimet janë me dënime shumë të buta e nganjëherë edhe dënime alternative. Prandaj, rendi dhe ligji gjithmonë do të jenë në pikëpyetje, përderisa mbeten në pushtet këto parti politike", thekson ai.

Kjo garniturë qeveritare, mbrojtëse e krimit

Burjani thotë se mund të ekzistojë mundësia që edhe vetë ky sistem i drejtësisë dhe një pjese e njerëzve që punojnë për këto organe të rendit dhe të drejtësisë kanë filluar që të kriminalizohen brenda tij, pasi tentativa e tyre ka qenë që të pasurohen pa bazë dhe në mënyrë të kundërligjshme, derisa, sipas tij, ato mund përmirësohen apo të ndryshohen vetëm në rast se kemi një sistem krejtësisht të ri të edukimit institucional sa i përket vlerës së kuadrove të reja në prokuroi dhe gjyqësi.

Deputeti Zafir Berisha, nga NISMA për Kosovën, ka pohuar për gazetën "Kosova Sot", se qëndron në atë që kishte thënë edhe më herët se organet e drejtësisë për fatin e keq të qytetarëve janë të kapur nga politika, derisa, siç thotë Berisha, në rast se ka ndonjë ndërhyrje nga organet e drejtësisë diku si në rastin e fundit, kjo, sipas tij, po bëhet më shumë nga ndërkombëtarët se sa nga vendorët.

"Kështu që, nuk pres nga kjo garniturë aktuale në krye të organeve të drejtësisë që të bëjnë ndonjë mrekulli në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë", ka potencuar Berisha për gazetën "Kosova Sot".

"Nuk ka efikasitet në ndëshkim dhe vazhdon kënga e vjetër dhe ruajtja e interesave oligarkike të këtyre njerëzve, të cilëve fare nuk u intereson rendi dhe ligji, pasi ne kemi një pushtet anarkik", tha Burjani.

(Kosova Sot)