Eurovisioni ndryshon rregulloren, por flamuri i Kosovës mbetet i ndaluar

  • 01 May 2016 - 23:43
Eurovisioni ndryshon rregulloren, por flamuri i Kosovës mbetet i ndaluar

Organizatorët e festivalit evropian të këngës “Eurosong Contest 2016”, kanë ndryshuar formën e ndalimit të flamujve.

Ata hoqën nga përdorimi i tyre listën me flamujt e vendeve të ndaluar që nuk mund të mbahen nga publiku, gjatë tri netëve të festivalit që këtë vit mbahet në Stokholm në datat 10, 12 e 14 maj.

Në mesin e  këtyre flamujve ishte edhe ai i Kosovës, në të njëjtën radhitje me atë të Palestinës, Baskisë, ISIS-it, Qipros Veriore, Nagornih Karabahut etj.

Megjithatë, në esencë, ndalimi përdorimit të flamurit të Kosovës brenda këtij festivali nga ana e publikut, mbetet e njëjtë.

Krejt çfarë ka ndryshuar në këtë rregullore është heqja e dukjes së flamujve, por rregullat tashmë janë vetëm me shkrim.

Kështu, edhe më tej, publiku në sallë mund të valëvisë flamujt e 42 shteteve pjesëmarrëse në festival si dhe të atyre që kanë hequr dorë nga pjesëmarrja si Turqia, Portugalia e Rumania.

Kështu ishin ndaluar nga Eurovisioni flamujt që nuk mund të valëviteshin në ‘Eurosong’

Image

Lejohet gjithashtu përdorimi i flamujve të ndonjë vendi anëtar i OKB-së, BE-së ai ylber (flamur i komunitetit LGBT V.j) apo ndonjë që simbolizon tolerancën.

Ky “ndryshim” i qasjes së organizatorëve për heqjen nga rregullorja të dukjes së flamujve të ndaluar, vjen pas ndërhyrjes të drejtpërdrejtë të Ingrid Deltenre, drejtoreshë e përgjithshme e Unionit të Transmetuesve Publik Evropian (EBU).

Kjo pas reagimit të opinionit kosovar dhe vetë drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala, i cili i kishte drejtuar një letër duke e quajtur ndalimin e flamurit të Kosovës dhe vendosjen e tij krahas atij të ISIS-it si fyerje dhe racizëm.

Kjo është rregullorja e re mbi përdorimin e  flamujve në Eurovision, ku tërthorazi flamuri kosovar mbetet i ndaluar të valëvitet nga publiku në Eurosong.

Deltenre i kishte kthyer përgjigje Shalës dhe ambasadës së Kosovësn në Suedi duke kërkuar falje dhe duke premtuar se do të intervenojë vetë për të ndryshuar këtë rregullore që sipas saj nuk do të duhej të ishte publike, raporton lajmi.net.

Ndaj këtij ndalimi ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës e madje edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.

Sidoqoftë, edhe më  tej, në mënyrë të tërthortë, flamuri i Kosovës do të jetë i ndaluar të valëvitet në publik, brenda sallës ku mbahet festivali i Eurovisionit.

(Kosova Sot)