Deri më tash janë legalizuar vetëm 20 objekte

  • 02 May 2016 - 07:41
Deri më tash janë legalizuar vetëm 20 objekte

A po shkon drejt dështimit procesi i legalizimeve të ndërtimeve pa leje në gjakovë?

Komunat nuk kanë fonde dhe staf shtesë për këtë proces.

Ajo që në Kosovë u fillua në vitet e para të pasluftës, u vazhdua gati për 17 vjet me radhë. Fjala është për kaosin urbanistik, i cili, edhe pse ishte prezent edhe më herët, u intensifikua para gati 17 vjetësh, kur ende nuk kishte norma të sakta ligjore për pengimin e ndërtimeve të egra, pa leje, e që krijonte parakushte të volitshme që secili të ndërtonte kudo dhe si të dojë, pa respektuar planet rregulluese apo urbanistike dhe duke mos çarë fort kokën për të kërkuar leje ndërtimi. Shpresohej se me kalimin e kohës, kjo eufori e kaosit urbanistik do të fashitet, por nuk doli ashtu! Intensiteti i ndërtimeve pa leje sa vinte e rritej për të arritur në atë pikë ku më u bë e padurueshme. Çdo gjë këputët prej së holli pos zullumit që këputet prej së trashi, thotë populli. Edhe Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor të Kosovës (MMPH) duke e parë qartë se zullumi u trash dhe se ishte koha e fundit që të ndërmerret diçka, aprovoi Ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, e bindur se kjo do të vërë një rregull më të madh në këtë fushë dhe sado pak do të pengojë ndërtimet pa leje.

Problemet e vërteta filluan pas evidencimit të ndërtimeve pa leje! Se sa larg kishte shkuar puna në ndërtimet pa leje në Kosovë, mbase më së miri e dëshmon fakti se në afatin që Ligji e kishte paraparë për aplikim për legalizim, në tërë Kosovën janë regjistruar madje 353 mijë objekte të ndërtuara pa leje(!) edhe pse shumëkush thotë se numri real është akoma më i madh, porse disa pronarë të këtyre objekteve as që e kanë marrë mundimin të aplikojnë për legalizim! Edhe pse, krahasuar me numrin e përgjithshëm të regjistruar në nivel të Kosovës, numri prej 8.500 objektesh të komunës së Gjakovës, që ishin evidencuar në fazën e parë, duket modest, megjithatë, kur të merren parasysh pohimet e vazhdueshme të pushtetarëve komunalë gjatë tërë periudhës së pasluftës se këtu ka fare pak ndërtime pa leje, atëherë ky numër nuk është edhe aq i vogël. Sido që të jetë, problemet e vërteta filluan tek pas mbylljes së afatit për evidencim të ndërtimeve pa leje, kur me vendim të MMPH-së, u caktua afati 6- mujor për parashtrimin e kërkesave zyrtare të pronarëve për legalizimin e ndërtimeve të tyre pa leje. Mu kjo periudhë 6- mujore e imponoi një dilemë thelbë- sore - a po shkon drejt dështimit procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje? "Nuk është hiç më mirë as në komunat e tjera kosovare, ku mbase situata është edhe më e keqe, por kjo nuk po na intereson. Neve na ka dëshpëruar fakti se për 6 muaj sa kishin afat, prej 8.500 ndërtimeve pa leje të evidencuara në komunën tonë, tek ne, kërkesën për legalizim e kanë parashtruar më pak se 350 veta, ose pak më tepër se 4 për qind", ka thënë Elida Bejtullahu, u.d. e drejtores komunale të urbanizmit në Gjakovë.(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)