Presioni e detyron pushtetin ta bëjë Ligjin antimafi

  • 02 May 2016 - 07:45
Presioni e detyron pushtetin ta bëjë Ligjin antimafi

Krasniqi: Nga ky Ligj prekeshin kryesisht politikanët dhe bizneset oligarkike.

"Hartimi i një Ligji të tillë dhe zbatimi praktik do të ishte mundësia e vetme për të dhënë rezultat në pastrimin nga krimi i thellë dhe korrupsioni, nga krimi individual dhe rrjetet e organizuara kriminale, për pasojë të të cilave pjesa dërrmuese e shoqërisë është vënë në izolim", shprehet analisti Arsim Haziri

Me gjithë presionin e vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe opozitës, Qeveria e Kosovës, në mandatin e kaluar, por as në këtë mandat, duket se nuk po e merr seriozisht nevojën e hartimit dhe miratimit në Kuvend të Ligjit antimafi, një ligj që mundëson edhe konfiskimin e pasurisë së pashpjegueshme për zyrtarët e shtetit dhe të tjerët, që janë pasuruar në të gjitha këto vite të pasluftës në rrugë të paligjshme. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë mandatit të kaluar të Qeverisë ishte zotuar që përveç Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, do të hartohet dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, respektivisht i ashtuquajturi Ligj antimafi, por ky premtim nuk u realizua në mandatin e parë të këtij koalicioni qeverisës. Tani duket që presioni brenda vendit, por edhe kërkesat e faktorit ndërkombëtar, kanë bërë që hartimi i një ligji të tillë të ndodhë së paku brenda këtij viti, nëse koalicioni qeverisës vazhdon të mbijetojë pa ndonjë tronditje të papritur. Sipas planit legjislativ të këtij viti, kufiri i fundit kohor, kur ky ligj duhet të marrë formën finale, si projektligj i miratuar në Qeveri dhe për procedim në Kuvend, duhet të jetë fundi i muajit qershor, respektivisht data 30 qershor.

Anashkalohet vullneti i qytetarëve

Sidoqoftë, zvarritja e deritanishme e një ligji të tillë, nga ekspertët e kësaj fushe dhe analistët politikë po interpretohet si një pasojë e frikës që nga ky ligj të preken më së shumti vetë politikanët, që janë në pushtet me vite të tëra, pushtetarët dhe oligarkët, që kanë flirtuar me pushtetin, duke i korruptuar për gjithë këto vite. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, dyshon shumë që kjo përbërje qeveritare e inkriminuar do të marrë kurajë dhe ta bëjë ligjin e përmendur sipas kalendarit legjislativ, ngase deri më tash kjo garniturë politike në qeverisje ka dështuar që në fillim në pjesën më të madhe të planit legjislativ për 6- mujorin e parë të këtij viti. "Nuk është aspak serioze ideja e nxjerrjes së këtij ligji. Edhe pse një ligj i tillë i veçantë na mungon, Kosova ka shumë ligje të tjera, të cilat prekin temën konkrete dhe mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, parandalimin e pasurimit të kundërligjshëm, por s'ka kush të merret me zbatimin, si dhe monitorimin e ligjeve të kësaj natyre, pakos së ligjeve kundër korrupsionit. Edhe pse janë organet e caktuara, që adresojnë obligimin se kush zbaton dhe kontrollon efikasitetin e zbatimit të ligjeve të tilla, prapë nuk ka vullnet për zbatimin e tyre efikas nga partitë politike, që drejtojnë dhe emitojnë pushtetin. Të gjitha këto parti politike pa dallim vazhdojnë të sillen si grupe anarkiste, vazhdojnë të udhëheqin me shtetin, dikush në qeverisjen lokale e dikush në atë qendrore, si me pronën e tyre private, duke anashkaluar vullnetin e qytetarëve", shprehet Burjani. (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)