Presioni e detyron pushtetin ta bëjë Ligjin antimafi

  • 02 May 2016 - 07:45
Presioni e detyron pushtetin ta bëjë Ligjin antimafi

Krasniqi: Nga ky Ligj prekeshin kryesisht politikanët dhe bizneset oligarkike.

"Hartimi i një Ligji të tillë dhe zbatimi praktik do të ishte mundësia e vetme për të dhënë rezultat në pastrimin nga krimi i thellë dhe korrupsioni, nga krimi individual dhe rrjetet e organizuara kriminale, për pasojë të të cilave pjesa dërrmuese e shoqërisë është vënë në izolim", shprehet analisti Arsim Haziri, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Me gjithë presionin e vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe opozitës, Qeveria e Kosovës, në mandatin e kaluar, por as në këtë mandat, duket se nuk po e merr seriozisht nevojën e hartimit dhe miratimit në Kuvend të Ligjit antimafi, një ligj që mundëson edhe konfiskimin e pasurisë së pashpjegueshme për zyrtarët e shtetit dhe të tjerët, që janë pasuruar në të gjitha këto vite të pasluftës në rrugë të paligjshme. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë mandatit të kaluar të Qeverisë ishte zotuar që përveç Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, do të hartohet dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, respektivisht i ashtuquajturi Ligj antimafi, por ky premtim nuk u realizua në mandatin e parë të këtij koalicioni qeverisës. Tani duket që presioni brenda vendit, por edhe kërkesat e faktorit ndërkombëtar, kanë bërë që hartimi i një ligji të tillë të ndodhë së paku brenda këtij viti, nëse koalicioni qeverisës vazhdon të mbijetojë pa ndonjë tronditje të papritur. Sipas planit legjislativ të këtij viti, kufiri i fundit kohor, kur ky ligj duhet të marrë formën finale, si projektligj i miratuar në Qeveri dhe për procedim në Kuvend, duhet të jetë fundi i muajit qershor, respektivisht data 30 qershor.

Anashkalohet vullneti i qytetarëve

Sidoqoftë, zvarritja e deritanishme e një ligji të tillë, nga ekspertët e kësaj fushe dhe analistët politikë po interpretohet si një pasojë e frikës që nga ky ligj të preken më së shumti vetë politikanët, që janë në pushtet me vite të tëra, pushtetarët dhe oligarkët, që kanë flirtuar me pushtetin, duke i korruptuar për gjithë këto vite. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, dyshon shumë që kjo përbërje qeveritare e inkriminuar do të marrë kurajë dhe ta bëjë ligjin e përmendur sipas kalendarit legjislativ, ngase deri më tash kjo garniturë politike në qeverisje ka dështuar që në fillim në pjesën më të madhe të planit legjislativ për 6- mujorin e parë të këtij viti. "Nuk është aspak serioze ideja e nxjerrjes së këtij ligji. Edhe pse një ligj i tillë i veçantë na mungon, Kosova ka shumë ligje të tjera, të cilat prekin temën konkrete dhe mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, parandalimin e pasurimit të kundërligjshëm, por s'ka kush të merret me zbatimin, si dhe monitorimin e ligjeve të kësaj natyre, pakos së ligjeve kundër korrupsionit. Edhe pse janë organet e caktuara, që adresojnë obligimin se kush zbaton dhe kontrollon efikasitetin e zbatimit të ligjeve të tilla, prapë nuk ka vullnet për zbatimin e tyre efikas nga partitë politike, që drejtojnë dhe emitojnë pushtetin. Të gjitha këto parti politike pa dallim vazhdojnë të sillen si grupe anarkiste, vazhdojnë të udhëheqin me shtetin, dikush në qeverisjen lokale e dikush në atë qendrore, si me pronën e tyre private, duke anashkaluar vullnetin e qytetarëve", shprehet Burjani.

Krasniqi: Ligji duhet të përfshijë konfiskimin e pasurisë nga viti 1999 Megjithatë, sipas Burjanit, do të ishte një hap i dobishëm i fuqizimit të pakos ekzistuese ligjore edhe nxjerrja e këtij ligji, mirëpo është skeptik se do të kryente më shumë punë efikase me këtë klasë politike, që e kemi sot, në të gjitha nivelet e pushtetit. Politologu Faik Krasniqi u shpreh për "Kosova Sot" se aq sa ka arritur ai të jetë në rrjedhat e informimit, edhe Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane nga një monitorim, që i ka bërë ligjit ekzistues për konfiskim të pasurisë së paligjshme, ka vërejtur mangësi të mëdha ligjore dhe tani po kërkon me ngulm nxjerrjen e Ligjit antimafi, prandaj ky presion që vjen nga Parlamenti mund ta detyrojë Qeverinë që të lëvizë pozitivisht në këtë drejtim. "Tani lind nevoja dhe është i domosdoshëm hartimi i një Ligji të ri antimafi, sepse do të jetë esenciale, që Ligji të merret me pasurinë që është fituar paligjshëm që nga viti 1999, pasi që keqpërdorimet më të mëdha janë bërë qysh në vitet e para të pasluftës, por edhe paraluftës. Pse nuk është hartuar deri më tash Ligji antimafi për të konfiskuar pasurinë e pajustifikuar që nga paslufta...? Sepse nga ky ligj do të prekeshin kryesisht politikanët, pushtetarët dhe bizneset oligarkike, të cilët kanë krijuar pasuri marramendëse në mungesë të një shteti ligjor dhe Kosova ka qenë parajsë e mafiopolitikës për pasurim të paligjshëm, përmes abuzimit me pushtetin, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prandaj, deri më tash është zvarritur miratimi i këtij ligji", u shpreh Krasniqi për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se edhe duke marrë parasysh që në krye të zbatimit ligjit janë prokurorë dhe gjykatës të emëruar nga këta pushtetarë, që diktohen dhe zbatojnë urdhrat e tyre, optimizmi se ky ligj i ri do të japë rezultatin e dëshiruar, është një optimizëm i zbehtë. "Dyshoj që hartimi i këtij ligji do ketë ndonjë efekt të madh për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe futjen në burg të të gjithë atyre, që kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë krijuar pasuri marramendëse, qoftë nga politika, qoftë nga bota e biznesit. Sidoqoftë, hartimi i këtij ligji është shumë i domosdoshëm, në mënyrë që gjykatësit dhe prokurorët mos të justifikohen, meqë në mungesë të këtij ligji e kanë pasur të 'pamundur' të veprojnë, gjë që fare nuk qëndron. Pas hartimit të këtij ligji, s'ka më arsyetime, por vetëm zbatimin e saj", thotë Krasniqi për gazetën. Ligji ka hasur në vesh të shurdhër të Qeverisë Të qëllimshëm e konsideron zvarritjen e këtij ligji, nga politika në pushtet, edhe politologu Arsim Haziri. "Konsideroj se moshartimi i një ligji të tillë ka krijuar hapësirë të favorshme lidhur me keqpërdorimin e aseteve të ndryshme shtetërore. Mbase, hartimi i një ligji të tillë dhe zbatimi praktik do të ishte mundësia e vetme për të dhënë rezultat në pastrimin nga krimi i thellë dhe korrupsioni, nga krimi individual dhe rrjetet e organizuara kriminale, për pasojë të të cilave pjesa dërrmuese e shoqërisë është vënë në izolim.

Konsideroj se Ligji antimafi mund të shërbejë si mekanizëm fondamental i arsyeshëm në penalizmin e atyre që gjenden nën dyshim e mundshëm për pasurim të jashtëligjshëm. Nëse një veprim të tillë nuk e bën koalicioni i tanishëm qeverisës, jam i sigurt se një hap i tillë mund dhe duhet të vijë vetëm nëse vjen në qeverisje një klasë e re politike, e cila luftën kundër krimit dhe korrupsionit e rendit në top-prioritet të planit qeverisës", u shpreh Haziri për "Kosova Sot". Se Kosova është vonuar në nxjerrjen e një ligji të tillë për shkak të frikës nga politika në pushtet, dhe individët që mund të jenë pjesë e trajtimit nga ky ligj, e pohon edhe Ariana Qosaj-Mustafa nga Instituti KIPRED. Ligji antimafi ka filluar të propozohet nga shoqëria civile në vitet e fundit, por ka hasur në vesh të shurdhët nga Qeveria e kaluar. Ne legjislaturën e kaluar kjo iniciativë ishte marrë përsipër edhe nga lëvizja 'VETËVENDOSJE' në Kuvendin e Kosovës, e cila e kishte hartuar edhe një projektligj të tillë, mirëpo mbeti në sirtarët e Qeverisë. "Edhe tani Ligji i tillë vazhdohet të kërkohet në mënyrë që barra e provave për pasurinë e pashpjegueshme, që është krijuar në Kosovë nga zyrtarët e lartë publikë të bartet në palën, e cila dyshohet për krijimin e një pasurie marramendëse, duke pasur vetë pala përgjegjësinë të tregojë para sistemit të drejtësisë se si me të ardhurat që kanë pasur kanë arritur të krijojnë atë pasuri. Në veçanti shihet si e nevojshme, sepse vazhdon të ketë hezitim nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve ta bëjnë hetimin e pasurisë së pashpjegueshme, veçanërisht të zyrtarëve të lartë", u shpreh Qosaj- Mustafa për "Kosova Sot". Ajo tutje shton: "Shpresojmë të ketë një vullnet të tillë nga Qeveria e tanishme, edhe pse ajo ka vazhduar me avazet e vjetra. Këto ngecje në aspektin ligjor nuk kanë dhënë rezultate ose kanë dhënë rezultate të pakta në luftimin e krimit të organizuar e në veçanti në konfiskimet e pasurisë së pa shpjegueshme, sepse gati që nuk ka pasur hetime fare, në mungesë të një ligji specifik. Me përshpejtimin e ndryshimit të këtyre ligjeve Kosova do të mund t'u dalë ballë edhe sfidave që ka tani, ku mbajtja e pushtetit ka treguar të jetë garanci nga ndjekja penale", thotë QosajMustafa. Ajo ka pohuar tutje se deklarimi i pasurisë së paku ka siguruar një transparencë, që të dihet deri në çfarë mase janë pasuruar njerëzit, edhe ka pasur pasurime marramendëse të pushtetarëve gjatë viteve në pushtet.

(Kosova Sot)