Veliaj premton: Studentët me karta studenti dhe abone me çip elektronik

  • 02 May 2016 - 14:10
Veliaj premton: Studentët me karta studenti dhe abone me çip elektronik

Një nga kërkesat e vazhdueshme të të gjithë studentëve për t’u pajisur me Kartën e Studentit do të marrë zgjidhje brenda këtij viti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i vendosur që ta mbajë këtë premtim duke u mundësuar studentëve instrumentin që do t’i ofrojë atyre shumë lehtësira në shërbimet që marrin nga qyteti.

Gjatë takimit periodik të vendosur tashmë me bordin rinor të qytetit ku bëjnë pjesë senatorët e gjimnazeve, koordinatorët e universiteteve dhe përfaqësues të organizatave rinore, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se po punohet për të realizuar këtë projekt, i cili përveçse do sjellë lehtësira për studentët, do të shmangë dhe shumë abuzime që ndodhin aktualisht me shërbime të tilla siç është edhe aboneja e studentit.

“Karta që do të kenë brenda këtij viti të gjithë të rinjtë e Tiranës do të jetë njëkohësisht mjet identifikimi për nevojat e qytetit, do të jetë aboneja jote me çip elektronik, sepse shoh që kriza më e madhe te studentët është mënyra sesi firojnë abonetë dhe se si gjithë këta matrapazët e linjave të autobusëve shkojnë i çojnë abonetë e studentit me çmim të reduktuar dhe subvencionuar në drejtim të paditur. Ne duam që karta e qytetit do të ndahet në kartë për rritur, pensionistë dhe student. Karta është instrument, nuk është qëllim në vetvete”, tha ai.

Ai është ndalur edhe te një sërë nismash dhe projektesh të tjera që kanë në fokus të tyre nxitjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve në një sërë aktivitetesh, që kanë si synim jo vetëm argëtimin, por edhe arsimimin dhe zhvillimin e talenteve. Ai ka theksuar se mbledhja më e mirë e të ardhurave të Bashkisë e mundëson këtë gjë.

“Bashkia e Tiranës ka ecur shumë mirë me buxhetin këtë vit. Pyetja është a i administron mirë taksat? Në fakt kemi tejkaluar planin e mbledhjes së taksave të bashkisë, sepse besoj që një kujdestar i mirë i qytetit është ai që mbledh të gjitha të ardhurat dhe pastaj i kthen të gjitha në investime. Kështu që edhe për rininë besoj që proporcionalisht buxheti do rritet dhe me përmirësimin që ka pasur buxheti i Bashkisë së Tiranës për këtë vit”, theksoi Veliaj.

Duke u ndalur te objektivat dhe projektet e tjera konkrete që Bashkia e Tiranës ka për të rinjtë, Veliaj ka përmendur edhe programet inovative që ajo ka nisur të zbatojë siç është programi “Tirana ime”.

(Kosova Sot)