Angli: Kapen 2 shqiptarë me kokainë me vlerë 1.5 milionë stërlina

  • 02 May 2016 - 14:33
Angli: Kapen 2 shqiptarë me kokainë me vlerë 1.5 milionë stërlina

Pak ditë më parë, Sekretari i Shtetit për drejtësinë në Britaninë e Madhe, Michael Gove, përdori Shqipërinë si shembull për të komentuar në lidhje me çështjen e ashtuquajtur ‘Brexit’, për të cilën ai ka shprehur një qëndrim pro daljes nga Bashkimi Europian.

‘Mendoni se BE-ja lë për të dëshiruar? Prisni sa të anëtarësohet Shqipëria”, shkruante ai te “Daily Mail”. Sipas tij, kriminaliteti shqiptar në Britani është i mjaftueshëm për të ndryshuar marrëdhëniet e Britanisë me BE-në.

Ndërsa, si për të konfirmuar pretendimet e ministrit britanik të Drejtësisë, gazeta “The Sun” ka shkruar një rast të ri të kapjes së një grupi shqiptar të përfshirë në tregtinë e drogë.

“Dy shqiptarë 21 dhe 27 vjeç, janë kapur në flagrancë gjatë fundjavës në afërsi të Londrës, duke dorëzuar 3 kilogramë kokainë, ndërkohë që 10 kilogramë të tjera janë kapur në një adresë tjetër”, shkruan gazeta duke iu referuar Agjencisë së Luftës Kundër Krimit.

Dy të arrestuarit janë shtetasit Pashk Kolicaj, 21 vjeç dhe Ened Molla, 27 vjeç.  Sipas “The Sun”, 21 vjeçari ishte kthyer mbrapsht nga aeroporti “Stanstead” i Londrës gjashtë javë më parë, ndërkohë që mendohet se ka mundur të hyjë sërish në Britani përpara dy javësh.

Ndërkohë, policia vendase ka bërë të ditur se vlera e shitjes në treg e kësaj sasie shkon në 1.5 milion stërlina.

Mendohet se ata kanë qenë pjesë e një hetimi të Agjencisë së Luftës kundër Krimit (NCA), e njohur si FBI-ja britanike, në luftën kundër trafikut të drogës së klasit të parë.

“The Sun” shkruan se dhjetë për qind e të burgosurve evropianë në burgjet britanike janë shtetas shqiptare.

Specialistët e luftës kundër krimit kohët e fundit kanë konstatuar se grupet kriminale shqiptare të drogës përdorin të rinj në moshë, që më parë nuk kanë qenë në Britani për të shpërndare drogën, kryesisht kokainën. Shumë prej tyre arrijnë të hyjnë lehtësisht në Britani me karta identiteti greke, italiane, por edhe rumune e bullgare të falsifikuara.

(Kosova Sot)