Politika tenton ta kapë edhe Autoritetin e Konkurrencës

  • 02 May 2016 - 10:58
Politika tenton ta kapë edhe Autoritetin e Konkurrencës

Kandidatët e propozuar, pa përvojën e duhur profesionale

Hoti: Partitë e koalicionit i vendosin "argatët" e tyre nëpër agjenci e borde

Sinjalet që kanë dërguar deri më tani dy partnerët e koalicionit PDK dhe LDK, sipas ekspertit Nëntor Shaqiri, nuk japin shpresë se do të përzgjidhen njerëz profesionalë dhe jopartiakë, por do të synohet që në borde dhe agjenci të punësohen njerëzit e politikës

Pas vërejtjeve të shumta të javës së kaluar që i bënë në mbledhjen e radhës të gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, pritet që të ndryshohen emrat e propozuar për anëtarë të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës. Kjo, ngase nga njohësit e kësaj fushe ata po konsiderohen se janë pa përvojë të duhur dhe së këndejmi emrat e të propozuarve edhe mund të ndryshohen. Por, me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës zyrtarët e tyre se kur do të dërgohen emra të rinj, nuk kemi marrë përgjigje. Siç dihet, një muaj më parë, Qeveria e Kosovës kishte propozuar këta emra për përbërjen e re të AKK-së: Kujtim Raçi për kryetar, Ahmet Krasniqi për zëvendëskryetar dhe anëtarët Mehmet Ballazi, Fatime Haziri dhe Sokol Krasniqi. Por, njohësit e kësaj fushe thonë se duke marrë parasysh se Autoriteti i Konkurrencës si një institucion i pavarur që është dhe tepër i rëndësishëm për rregullimin e tregut të Kosovës, ka pesë vjet që nuk është funksional, agjencinë duhet rifunksionalizuar sa më parë, por jo me këta kandidatë. Por, pavarësisht kësaj, ata e bënë votimin e tyre, sepse arsyetimi i tyre ishte se Autoriteti i Konkurrencës po rrezikon që të mbesë edhe më tutje si jofunksional, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Emrat, në dorën e Qeverisë

Më kritiku në adresë të emrave të propozuar nga Qeveria për anëtarë të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës ka qenë deputeti dhe anëtari i Komisionit, Besim Beqaj (PDK). Ai tha se Komisioni ka bërë punën e tij, mbetet në dorë të deputetëve, nëse do t'i votojnë ose jo këta emra. Me përjashtim të njërit prej kandidatëve, të tjerët nuk kanë aspak përvojë në këtë lëmi", u shpreh Beqaj. Kryetari i Komisionit, Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa (LDK), thotë se nuk e di se a do të ndodhin këto ndryshime të këtyre emrave sepse fundja këtë mund ta bëjnë vetëm Qeveria e Kosovës. Mustafa tha se ajo që e di është fakti se ky Autoritet duhet të jetë me përbërje shumë profesionale. "Kam dëshirë që këta kandidatë të ishin së paku edhe ekonomistë të mirë për këtë organ i cili ka peshë në rregullimin e tregut. Unë i kam parë CV-të e kandidatëve, kisha pas dëshirë që në përbërje të ketë ekspert më të fortë të ekonomisë dhe të mikro-ekonomisë që merren me konkurrencën, u shpreh Mustafa. Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita thotë se ndonëse është anëtarë i komisionit, nuk ka qenë në atë takim por shprehet se bordi i Autoritetit të Konkurrencës duhet që të jetë shumë më profesionistë sesa të njerëzve që janë propozuar. "Është koha që tash ose kurrë Kosova ka nevojën më të madhe që njerëzit e duhur dhe profesionistë të jenë në krye të këtyre bordeve të NP-ve dhe agjencive të pavarura", është shprehur ai.

Hoti: Në borde, profesionistë e jo militantë partiakë

Sipas Hotit, mungesa dhe mosfunksionimi i këtij autoriteti tash e disa vite e ka dëmtuar tej mase ekonominë e brishtë vendore, duke ua hapur rrugën monopoleve në shumë fusha. "Çdo zvarritje e mëtejme rreth formimit të këtij komisioni do të jetë një e keqe për ekonominë e vendit dhe i njëjti duhet të riaktivizohet por me profesionistë e jo me militantët partiakë". Por, deputeti Hoti nuk pret që premtimi për depolitizimin e bordeve në ndërmarrje publike dhe të agjencive se do të realizohet nga Qeveria 'Mustafa'. Ai kritikon qeveritarët për zvarritjet në procesin e zgjedhjes së drejtorëve të bordeve. "Kam përshtypjen se zvarritjet e tashme po ndodhin për shkak të mungesës së marrëveshjes ndërmjet partnereve të koalicionit qeverisës për "ndarjen e karrigeve" nëpër këto borde", thotë Hoti. Ai shton se kjo qasje e qeveritarëve tregon se është e kotë shpresa për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. "Partitë e koalicionit janë të interesuara të gjejnë vende pune për argatët e vet. Por, njëkohësisht edhe të kenë kontroll në sektorë të caktuara të ekonomisë dhe tregut", Hoti. Eksperti i Integrimeve Evropiane, Nëntor Shaqiri, thotë sinjalet që kanë dërguar deri më tani dy partnerët e koalicionit-PDK dhe LDKnuk japin shpresë se do të përzgjidhen njerëz profesionalë dhe jopartiakë. "Bordet dhe agjencitë po shihen nga partitë politike si mundësi të punësimit të anëtarësisë së tyre", thotë Shqairi.  

(Kosova Sot)