Erërat e reja pastrojnë skenën politike nga korrupsioni

  • 02 May 2016 - 07:35
Erërat e reja pastrojnë skenën politike nga korrupsioni

RAMADANI: Politikat e inkriminuara kanë çorientuar qytetarinë për votimet e ardhshme

"Vetëm një forcë e re politike, me njerëz të rinj, me shpirt të pastër dhe zemër të shëndoshë, mund të bëhet inspirim për dalje të elektoratit në zgjedhje, në të kundërtën, theqafja dhe katandisja politike e vendit do të vazhdojnë deri në pambarim", thotë Zeqa për "Kosova Sot

Degradimi i tejskajshëm i kësaj klase politike,veçmas të lidershipit të saj të konsumuar, që po e zhgënjen qytetarin në gjithë këto vite të qeverisjes së pasluftës, pavarë- sisht rirreshtimit të herëpashershëm, në pozitë dhe opozitë, ka bërë që edhe qytetarët e vendit të jenë tepër të mashtruar, të çorientuar, por edhe të frikësuar nga këto parti politike që po tregohen të pamoralshme, pa fije etike, duke ua verbuar sytë vetëm pushteti. Ndërsa qytetari, sovran i votës, është në situatën më të pashpresë, duke mos ditur se kë ta votojë në të ardhmen, kur i afrohet kutive të votimit, edhe po të organizoheshin nesër zgjedhjet e reja në Kosovë., shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Për pasojë të një situatë të tillë të krijuar, analistët politikë vlerësojnë se kjo humbje e besimit qytetar në këto parti politike dhe kupolat e tyre drejtuese ka ndodhur e po ndodh, për shkak se këto parti po e çojnë Kosovën në një  fazë të domosdoshme të tranzicionit të thellë politik, kur duhet të bëhen ndryshime cilësore në krerët e shumicës së subjekteve politike, për të thyer piramidat korporative të lidhur me oligarkinë dhe nëntokën kriminale dhe për të futur reforma të thella, deri në nxjerrjen e një strukturë të re politike me ide, vizion dhe figura të pastra, e të besueshme për qytetarin.

Muhameti: FDK-ja ka njerëz të konsumuar Hamdi Muhameti nga Forca e Diasporës për Atdheun i ka thënë gazetës se tani një këshill iniciues për një subjekt të ri politik, që do të themelohet së shpejti dhe garojë për zgjedhje të reja në Republikën e Kosovës, është duke u angazhuar seriozisht për realizimin e projektit dhe shpalosjes para shtetasve të Kosovës kudo që të jenë ata, brenda dhe jashtë vendit. Ai ka pohuar se ideja është për alternativën e re politike "Forca e Diasporës për Kosovën" - FDK, një iniciativë krejtësisht e re politike, me njerëz të pakonsumuar, të freskët, të pavarur dhe të pakushtëzuar e të pakorruptuar. "Forca e Diasporës për Kosovën" FDKja është alternativë e re, e freskët, e pastër, e pavarur dhe e pa kushtëzuar për ringjallje sociale, ekonomike e kombëtare. Jo për të vazhduar avazin e vjetër, por për ndryshim radikal në të mirën e vendit, me bindje të plotë se kjo alternativë e udhëhequr nga djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, që ndiejnë dashuri të sinqertë për vendlindjen, me kulturë moderne evropiane, amerikane...Së bashku me rininë dhe njerëzit e ndershëm të Kosovës të drejtojnë vendin, duke zëvendësuar politikën aktuale të konsumuar, devijuar e destruktive", u shpreh Muhameti.

Muhameti ka zbuluar edhe detajet fillestare të projektit racional, hartë e dukjes së Qeverisë së re të Kosovës, e cila nuk do të ishte e ngarkuar si agjenci familjare, dhe grupeve të tjera klanore të interesit për punësim të panevojshëm që i vjen era korrupsion. "FDK-ja është mekanizëm dhe shembull për zhdukjen dhe mosekzistimin e korrupsionit. Pra FDK-ja mbyll skemën qeveritare me 5 ministri, redukton 50 % numrin e të punësuarve në institucionet e vendit, duke fokusuar cilësi institucionale e jo shpenzime për pushtet. Pra, FDK-ja ka planprogram të qartë për mirëqenie sociale, krijim dhe zhvillim të ekonomisë për Kosovën, dhe që rrezaton në tërë hapësirën shqiptare. FDK-ja me projekte konkrete dhe të gatshme, fillimisht do të ndryshojë mendësinë dhe me projektin "Kosova e gjelbër" për energjinë e ripërtëritshme, JO! 'TC Kosova e re'. Krijimin e shkollave profesionale publiko-private, investime në bujqësi, blegtori e turizëm rural, për vetëm 4 vjet do të vetë krijohen më shumë se 100.000 (një qind mijë) vende të reja të punës", u shpreh Hamdi Muhameti për "Kosova Sot". 

 

Zeqa: Partitë në pushtet dhe opozitë, 'thesar' antivlerash Analisti politik, Florim Zeqa, konsideron se imoraliteti, papërgjegjësia, mostransparenca në veprime dhe lufta për pushtet, janë emërues i përbashkët i të gjitha subjekteve politike në vend. "Thirrja në emër të vlerave, apo më mirë të thuhet loja me fjalë e liderëve partiakë, ka bërë që të gjitha partitë politike pa dallim, në pushtet dhe opozitë, të shndërrohen në "thesar" antivlerash. Ai përmend edhe kontrabandën e figurave politike nga një subjekt tek tjetri, i deputetëve nga një grup në grupin tjetër parlamentar, duke shkaktuar konfuzion tek qytetarët e vendit, të cilët jo vetëm që e kanë të vështirë t'u besojnë fjalëve të liderëve partiakë, më të vështirë e kanë ta bëjnë ndarjen nga vlerat në antivlera, apo siç e thotë populli, të bëjnë ndarjen e "shapit nga sheqeri"! "Sado që shpesh thirremi në zgjedhje, si opsion për dalje nga kriza parlamentare,...sikur ato të organizoheshin nesër, elektorati do të vihet në lajthitje, nuk e di për kë të votojë, ngase të gjithë janë bërë të njëjtë, intrigantë dhe mashtrues, uzurpatorë dhe shpërdorues të pushtetit, korruptues dhe të korruptuar", u shpreh analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot". Ai tutje shtoi: "Vetëm një forcë e re politike, me njerëz të rinj, me shpirt të pastër dhe zemër të shëndoshë, mund të bëhet inspirim për dalje të elektoratit në zgjedhje, në të kundërtën, theqafja dhe katandisja politike e vendit do të vazhdojnë deri në pambarim", thotë Zeqa për "Kosova Sot".

Ramadani: Blloku opozitar do të përjetojë dështim të madh Se është tejkaluar çdo kufi logjik i asaj që është premtim politik, pak a shumë i kohës elektorale, joreal, dhe i asaj që është e mundur të realizohet në qeverisje të vendit, për t'u bërë mashtrim për qytetarin nga një klasë e papërgjegjshme politike e inkriminuar, e cila tani duhet të ndryshohet dhe ristrukturohet, është një konstatim që vjen edhe nga analisti Adlum Ramadani. "Fundosja e Kosovës në politika të inkriminuara dhe me sundim të klasës politike makiaveliane, e cila çdoherë shfaqi gatishmërinë për të gënjyer, shantazhuar, manipuluar e për të përdorur propagandën si instrument për marrjen e fuqisë, ka çorientuar qytetarinë deri në atë masë, saqë ia ka humbur thuajse vullnetin për të shfrytëzuar të drejtën demokratike të tyre për të votuar. Kjo për faktin se as edhe një udhëheqës politik nuk shfaqi gatishmërinë për të qenë imun ndaj politikave gllabëruese klanore, hierarkia e të cilëve nuk la as shërbyesin e fundit civil të papolitizuar. Më neveritëse është cinizmi politik, që ka lëshuar rrënjët në shoqërinë kosovare, në veçanti tek i ashtuquajturi "blloku opozitar", i cili pa dyshim se do të përjetojë dështimin më të madh që nga paslufta, po qe se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme. Popullit, të cilit i shkelet dinjiteti, i varfërohet gjepi, dhe i shuhet shpresa për të jetuar në atë vend, pa dyshim se lehtësisht manipulohet me të, madje si i tillë i shtohet euforia për radikalizëm, e në kushte të tilla, që ka Kosova, do të ishte gjëja e fundit që do t'i mungonte", thotë Adlum Ramadani. Për këtë arsye ai thotë se tani, pa një reformim të kësaj skene politike, pa nxjerrjen e një strukture të re të besueshme për qytetarin, edhe nëse nesër do të organizoheshin zgjedhjet, qytetari i Kosovës nuk do të ketë as të vetmen ide se kujt t'ia jepte votën, sepse mbi të gjitha, kjo klasë politike, qoftë pozitë apo opozitë, është e mbushur me çobanë, që fatkeqësisht gabuan profesionin e politikës me çobanllëk. 

(Kosova Sot)