Romët e Gjakovës kërkojnë edhe më shumë

  • 02 May 2016 - 18:52
Romët e Gjakovës kërkojnë edhe më shumë

Edhe pse e kanë pozitën shumë më të mirë se që e kishin dikur 

Ka filluar mësimi vullnetar i gjuhës rome në disa prej shkollave fillore

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në komunën e Gjakovës jetojnë gjithsej 738 pjesëtarë të komunitetit rom, në mesin e të cilëve ka fare pak me shkolla adekuate, kështu që e kanë mjaft të vështirë të punësohen

Llogaritet se populli rom është ndër më të përhapurit në Evropë dhe në botë. Ata janë të shpërndarë në shumë vende dhe mënyra e jetesë së tyre, kryesisht, nuk është për t'u lavdëruar. Ka një kohë të gjatë që romët jetojnë edhe në Kosovë dhe numri i tyre këtu ka lëvizur varësisht rrethanave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë dhe kushteve ekonomike që kanë mbretëruar. Në fakt, dihet shumë mirë se në rrethana të krizës ekonomike, romët nuk kanë hezituar që të marrin rrugën e emigrimit në vende të ndryshme të Evropës, duke shpresuar se atje do të gjejnë jetë më të mirë.

Abetarja dhe fjalori në gjuhën rome, ndihmesë e mirë

Ngjashëm ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe në komunën e Gjakovës. Sipas të dhënave që i prezanton Arif Cermjani, kryetar i shoqatës "Amareo Thenipe", e cila kujdeset për aktivitetet e ndryshme, kryesisht në fushën e kulturës, por jo vetëm, të popullatës rome në këtë komunë, del se aktualisht në komunën e Gjakovës jetojnë më pak se 1 mijë pjesëtarë të këtij komuniteti. "Sipas shifrave që kanë dalë nga regjistrimi i fundit të popullsisë, në komunën e Gjakovës, aktualisht jetojnë gjithsej 738 pjesëtarë të komunitetit rom. Ky numër, dikur ka qenë më i madh, por emigrimet e mëparshme dhe ky i fundit që ishte mjaft masiv, kanë bërë që ai numër të zvogëlohet", ka thënë Cermjani, duke shtuar se romët e Gjakovës jetojnë edhe në qytet, por edhe nëpër fshatra, në zonat rurale.

"Derisa në qytet jetojnë 435 romë, të tjerët, 303 jetojnë kryesisht në fshatrat Bec. Bërkoc, Hereq, Netic, Llugaxhi, Meje, Rashkoc e Trakaniq", ka thënë Arif Cermjani. Duke folur për pozitën aktuale të këtij komuniteti në komunën e Gjakovës, në Ditën ndërkombëtare të romëve, ai është shprehur se, përkundër vështirësive dhe sfidave me të cilat janë ballafaquar, ia kanë dalë që me sukses të ruajnë disa nga traditat e tyre karakteristike.

"Kryesisht kjo ka të bëjë me traditat në muzikë, por edhe në disa fusha të tjera. Megjithatë, më e rëndësishmja është se ia kemi dalë ta ruajmë gjuhën tonë, e cila flitet në tërë botën, kuptohet me dialekte të ndryshme. Kohëve të fundit në këtë drejtim është bërë punë shumë e mirë, pasi është arritur të hartohen abetarja e fjalori i gjuhës rome. Megjithatë, ne, romët, duam më shumë. Duam një jetë më të mirë dhe për këtë është e nevojshme të kemi më shumë të punësuar, por ky proces po shkon mjaft vështirë, pasi, për shkak të papunësisë së madhe, me këtë problem po ballafaqohet edhe komuniteti shumicë, shqiptarët", e ka pranuar Cermjani.

Interesim i mirë për kurset vullnetare të gjuhës rome

Me qëllim të ruajtjes së gjuhës rome dhe kultivimin e saj edhe te brezat e rinj, kohë më parë, në komunën e Gjakovës, me mbështetjen e Zyrës komunale për komunitetet dhe kthim, ka filluar mësimi vullnetar i gjuhës rome në disa prej shkollave fillore të kësaj komune.

"Edhe pse kemi pasur paksa dyshime, fillimi i mësimit vullnetar i gjuhës rome në disa prej shkollave fillore të qytetit të Gjakovës na ka befasuar këndshëm. Interesimi i fëmijëve të këtij komuniteti që, pos mësimeve në gjuhën shqipe që i vijojnë në mënyrë të rregullt, vullnetarisht të vijojnë edhe mësimet në gjuhën rome, është mjaft i madh, dhe kjo është një garanci që kjo gjuhë do të ruhet brez pas brezi", ka thënë mësimdhënësi i gjuhës rome Emrah Cermjani. Jo vetëm për këtë, por edhe për disa çështje të tjera, ky komunitet ka pasur mbështetjen e Zyrës komunale të komuniteteve, e këtë e thotë zyrtari i kësaj zyre, Bashkim Kurti.

"Ky komunitet gjithmonë ka gëzuar përkrahjen e zyrës tonë, sidomos në realizimin e disa projekteve që kanë ndodhur. Kështu, pos kurseve për mësim vullnetar të gjuhës rome që po realizohen, me mjaft sukses është mbështetur edhe realizimi i emisionit në gjuhën rome në Radio Gjakova. Do të vazhdojmë të kujdesemi për pjesëtarët e këtij komuniteti, posaçërisht në fushën e edukimit dhe shkollimit të tyre, për të cilat ky komunitet ka shumë nevojë", ka thënë Kurti. Dhe, mu kjo, mungesa e edukimit dhe shkollimit adekuat, u shkakton shumë probleme pjesëtarëve të këtij komunitetet në rastet kur ata kërkojnë të punësohen.

"Edhe pse kemi pasur paksa dyshime, fillimi i mësimit vullnetar i gjuhës rome në disa prej shkollave fillore të qytetit të Gjakovës na ka befasuar këndshëm.Interesimi i fëmijëve të këtij komuniteti që, pos mësimeve në gjuhën shqipe që i vijojnë në mënyrë të rregullt, vullnetarisht të vijojnë edhe mësimet në gjuhën rome, është mjaft i madh, dhe kjo është një garanci që kjo gjuhë do të ruhet brez pas brezi", ka thënë mësimdhënësi i gjuhës rome, Emrah Cermjani.

(Kosova Sot)