‘Robinson Kruzo’ i Kosovës

  • 02 May 2016 - 20:15
‘Robinson Kruzo’ i Kosovës

Atje në kilometrin e pestë të Grykës se Rugovës, ku ndahet rruga për Bjeshkën e Mylyshevcit dhe Bjeshkën e Lumbardhit, disa qindra metra nën Urën harkore mbi shtratin e Lumbardhit është një oazë e vogël në mes të shtratit të Lumbardhit, e cila tërheq vërejtjen e të gjithë kalimtarëve, ngase aty që më shumë se tre vjet Mithat Nallbani, teknik i dhëmbëve ndërton me gurë e dru e çka mos tjetër botën e tij, një botë që për të është me shumë kuptime dhe që i krijon kënaqësi të posaçme , ani pse shumë nga ata që e vizitojnë nuk mund ta kuptojnë. Mithati që tre vjet grumbullon gurë, duke ndërtuar minimure nga gurët e Lumbardhit, duke bërë figura të ndryshme dhe duke vënë figura të ngrehura në çadra,shkruan gazeta Kosova Sot.

Simbolika e flamujve

Në hyrje të kësaj bote të Mithatit gjendet një mbishkrim " Hyrja 20 centë -dalja gratis", më tutje mbishkrimi tjetër " Gur mbi gur". Në hyrje na pret Mithati duke shprehur falënderimin për vizitën. " Kjo që po e sheh është bota e ime", thotë ai në fillim të bisedës për të vazhduar më pas rrëfimin e tij se që nga mosha e re ka pasur botën e tij të artit e të cilën po e ndërton në këtë vend. "Kur të tjerët po uzurpojnë pronat e Kosovës, unë mendova ta ndërtoj botën time për të gjithë ata që duan ta vizitojnë pa dallim", thotë Mithati, i cili pak ngjason ecejaket e Robinson Kruzos, sipas romanit të Daniel Defosë.

"Shumëkujt ia kam tërheq vëmendjen këtu. Më kanë vizituar pjesëtarë të KFOR-it , studentë anglezë, polakë dhe gjermanë, janë interesuar se çfarë po bëj këtu. Iu kam shpjeguar aq sa kam ditur dhe si kam mundur, nganjëherë kanë ardhur edhe me përkthyes dhe janë ndarë të habitur me atë që u kam thënë .

Po i shihni këta flamuj të shteteve të ndryshme që i kam ngritur këtu. Kjo dëshmon se ka vend për të gjithë në këtë botën time. Flamuri i NATO-s është shprehje falënderimi ndaj tyre. Në këtë çadër kam vënë mbishkrimin "Hotel Relax", thashë më vete pse nuk ia ndërtoi imagjinatës sime vetes një botë dhe e quajta "Hotel Relax", shprehet ai.

Cicërima e zogjve ia kalon edhe simfonive të Betovenit

Të përjetosh natën në ketë vend ku në të gjitha anët të rrethon shtrati i Lumbardhit, ku flaka e zjarrit dhe drita e hënës bëhen bashkë për të ndriçuar gurët e lumit, është një ndjesi e veçantë. Ndërsa lindja e diellit e përcjellë me gurgullimën e valëve të Lumbardhit dhe cicërima e zogjve ia kalojnë edhe simfonive të Betovenit dhe të krijojnë përshtypjen e parajsës në këtë botë", thotë Mithat Nallbani, i cili që më shumë se tre vjet ka ndërtuar në këtë vend me gurë e me dru botën e tij të veçantë. "Fol shlirë" është një mbishkrim tjetër dhe nën të flamuri kombëtar i gdhendur në një dërrasë që për Mithatin ka kuptimin se tani shqiptarët janë të lirë dhe si kurrë më parë duhet të flasin shlirë.

Pak më lart një top futbolli që për Mithatin flet se shqiptarët për herë të parë po marrin pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit, ndërkaq Statuja e Lirisë e vendosur në një kërsh përtej lumit për Mithatin e ka kuptimin e lirisë për Kosovën. "Këtu kaloi shumë shpesh vikendet natën dhe fle edhe nën qiellin e hapur. Nuk kam frikë nga askush, ngase jam me Zotin", thotë Mithati dhe shpjegon se që tre vjet këtu i kalon pushimet e verës, ushqehet me ushqim kryesisht që e sjell nga shtëpia dhe që e blen në pazar. "Shumë nga vizitorët më japin edhe bakshishe nga pesë, dhjetë e deri në 20 euro, në veçanti bashkatdhetarët kur e vizitojnë këtë botën time këtu", thotë ai.

Shton se një njeri nga ta që punon dhe jeton në Zvicër i ka premtuar se do të investojë për ndërtimin e një ure varëse nga rruga deri këtu për të pasur qasje më të lehtë të gjithë ata që duan të vizitojnë këtë vend. Mithati dhe fantazia e tij e shprehur në këtë vend nuk është gjithmonë afër realitetit, herë ikën në kohën e lashtë e herë- herë fantazia e tij ecën shumë larg përpara, nuk ka një mes, nuk është e tëra e sotmja , ka shumëçka që nuk përputhët, por…. Kjo e bën Mithatin të veçantë … Dikush më tha se i ngjason Robinson Kruzos së kohërave të sotme. Kur i tregova Mithatit se këtë shkrim do ta botoj në gazetën "Kosova Sot", ai më tha se atë e lexonte rregullisht. Ne u kthyem në qytetin e Pejës, e Mithatin e lamë në botën e tij, atje mes gurgullimës së ujit dhe cicërimës së zogjve.

(Kosova Sot)