Ndalohet përkohësisht rrënimi i drithnikut

  • 02 May 2016 - 20:30
Ndalohet përkohësisht rrënimi i drithnikut

Marrëdhëniet në Kuvendin Komunal të Gjilanit janë tensionuar edhe më tepër në seancën e fundit, kur opozita (PDK) e ka lëshuar edhe sallën, për shkak se propozimi i saj për formimin e një komisioni për shqyrtimin e rastit të fabrikës së bukës dhe parandalimin e rrënimit të objektit nga pronari, i cili e ka privatizuar ishndërmarrjen shoqërore "Kualiteti" para disa vjetësh,shkruan gazeta Kosova Sot.

Publiku ka pasur mundësi ta ndjekë këtë seancë drejtpërdrejt, përmes kanalit zyrtar në"Youtube", si përpjekje tjetër për të avancuar transparencën në vendimmarrje. Sipas kryesueses së Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, Gjilani është rasti i parë në historinë e institucioneve kosovare që fillon një projekt të kësaj natyre, gjë që është mirëpritur edhe nga opozita.

Debati për rastin e hambarit të drithit, është futur në seancë me kërkesë të opozitës, përkatësisht Bujar Nevzatit (PDK). Riad Rashiti (PDK) tha se qasja e gabuar e pushtetit të tanishëm ndaj investitorëve e solli në këtë gjendje fabrikën, derisa asamblistët e pozitës, Avdyl Aliu, Isa Agushi, Nevzad Rushiti (LDK) e Ibish Ibishi (AAK), u kundërpërgjigjën duke thënë se privatizimi ka ndodhur në kohën e qeverisjes së PDK-së, duke i pyetur ata se pse nuk kishin reaguar në vitin 2008. Nevzad Isufi, shef i grupit të VV-së, tha se Komuna e Gjilanit është dashur ta shpallë zonë të veçantë, për ta ruajtur nga rrënimi"Kualitetin", ndërkaq Bajram Hasani (Nisma) pohoi se privatizimi ka ndodhur në kohën e qeverisjes së PDK-së, duke shtuar se nuk ka asnjë shkelje në këtë rast dhe se pronari e ka pasur të obliguar që për dy vjet ta ruajë fushëveprimtarinë e prodhimit të bukës dhe më pastaj, mund ta ndër rojë veprimtarinë. Gjatë debatit, shefi i grupit të PDK-së, Sahit Abazi, ka kërkuar që të bëhet një komision i përbërë prej të gjitha partive, për, siç tha, parandalimin e rrënimit të fabrikës së bukës, por ky propozim nuk i ka marrë votat e mjaftueshme. Asamblistët e PDK-së, në shenjë pakënaqësie, e kanë braktisur seancën.

Haziri: Do t`i godasim ndërtuesit ilegalë

Ndërkohë, në një konferencë me gazetarë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka paralajmëruar themelimin e një "task force", ku përfshihen edhe organet e rendit, për ta goditur ndërtimin ilegal. "Prioritet gjatës kësaj faze do të jenë masat që do të merren në rrënimin e objekteve ilegale, tashmë të përmbaruara edhe nga organet e drejtësisë", ka thënë Haziri. Megjithatë, Haziri ka nënvizuar se Gjilani nuk është në vija të alarmit, por është njëra prej tri komunave që e ka industrinë më të madhe të ndërtimit. "Këto dy vjet kemi lëshuar të gjitha llojet e lejeve që kanë kërkuar investitorët dhe pronarët, duke dashur që industria e ndërtimit në Gjilan të marrë formë, sepse nuk është vetëm prosperitet, por edhe zhvillim e punësim.

Të gjitha ndërtimet janë në tokë private", ka thënë Haziri. "Task Forca" do të merret edhe me fabrikën e bukës, e cila nuk ka leje për rrënim dhe ka borxhe ndaj Komunës. Sipas pronarit, objekti është i degraduar dhe duhet të rrënohet.

Prej privatizimit e deri te rrënim

Në të vërtetë, polemikat opozitë-pozitë për këtë çështje kanë filluar javën e kaluar. Opozita (PDK) e fajëson pushtetin aktual për këtë gjest të pronarit të "Kualitetit", i cili këtë ishndërmarrje shoqërore e ka privatizuar 7-8 vjet më herët. Riad Rashiti (PDK) e quan shkatërrim të ekonomisë lokale rrënimin e objektit të ndërmarrjes "Kualiteti" në Gjilan, që ishte qendër e grumbullimit të grurit dhe fabrikë e bukës. Drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu thotë se privatizimi i fabrikës ka ndodhur në kohën e qeverisjes së PDK-së, por atëherë kanë heshtur.

Fabrika e privatizuar me "spin-off" të thjeshtë ka pasur obligim të vazhdojë veprimtarinë e njëjtë për dy vjet. Siç dihet, "Kualiteti" është njëra nga fabrikat e shumta në Gjilan që tashmë janë privatizuar. Deri në momentin e privatizimit, në këtë ndërmarrje punonin rreth 130 punëtorë, me të ardhura mesatare 218 euro në muaj. Pronari i ri e reduktoi numrin e punëtorëve dhe prodhimin, për të ardhur gradualisht në pikën kritike të funksionimit, që përfundoi me mbylljen e fabrikës. Në të vërtetë, tërë procesi i privatizimit në Kosovë konsiderohet i dështuar.

Për shkak të obligimeve bankare, "Kualiteti" ishte nxjerrë më herët në ankand nga Raiffeisen Bank, si paluejtshmëri e hipotekuar. Duket se pronari nuk ka pasur zgjidhje tjetër, prandaj është detyruar të heq dorë nga fabrika dhe në këtë hapësirë të ndërtojë objekte afariste dhe banimi. 

(Kosova Sot)