Monopoli Devolli, Prokuroria të fillojë hetimet (Dokument)

  • 03 May 2016 - 11:11
Monopoli Devolli, Prokuroria të fillojë hetimet (Dokument)

Kosova është vendi i vetëm në rajon, i cili ka vendosur monopol në homologimin e veturave, i udhëhequr nga Shkëlqim Devolli, me politikanët kosovarë.

Po ashtu, çmimi i homologimit në Kosovë është dukshëm më i lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, dhe madje është më i shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së, thuhet në një analizë të Institutit GAP, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Duke lidhur marrëveshje pa procedura të tenderimit dhe duke i dhënë ekskluzivitet vetëm një kompanie, Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit ka bërë shkelje të parimeve kushtetuese, saktësisht neni 119, pika 3, sipas të cilit “veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj”.

Po ashtu, duke krahasuar çmimin e homologimit në Kosovë me vendet e rajonit dhe ato të BE, del se kosovarët nga viti 2009 deri më 2015 kanë shpenzuar 2.4 milionë euro më shumë se sa që do të shpenzonin në rast se nuk do të ekzistonte monopoli, i udhëhequr nga Shkëlqim Devolli, me politikanët kosovarë dhe çmimi do ishte i ngjashëm me vendet e rajonit.

Në këtë analizë Instituti GAP ka argumentuar se monopoli në vetura, i udhëhequr nga Shkëlqim Devolli, me politikanët kosovarë është i jashtëligjshëm, dhe se një praktikë e tillë duhet të ndërpritet sa më parë.

Janë edhe dy argumente që mbështesin këtë kërkesë. E para, vendimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës mbi arkat fiskale mund të shërbejë si precedent për të shkëputur kontratën e monopolit. Ky komision pat konstatuar se në treg ka konkurrencë joligjore me faktin se Ministria e Ekonomisë dhe Financave (tani Ministria e Financave) në vitin 2009 kishte licencuar vetëm dy kompani për të shitur, instaluar dhe mirëmbajtur pajisjet elektronike fiskale. Duke u mbështetur në Ligjin për Konkurrencën, ky komision kishte udhëzuar Ministrinë që “të bëjë liberalizimin e tregut dhe të mundësojë futjen e operatorëve të tjerë në treg”.

Argumenti i dytë që dëshmon se homologimi i veturave, i udhëhequr nga Shkëlqim Devolli, me politikanët kosovarë, nuk është dashur asnjëherë të jetë monopol, është licencimi i mbi 100 qendrave të kontrollit teknik nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat bëjnë punë të ngjashme me atë të “Eurolab”.

Andaj, Instituti GAP rekomandon që:

1. Duke marrë parasysh se kontrata është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, rasti duhet të dërgohet në prokurori për hetim.

2. Të kërkohet nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të interpretojë monopolin e “Eurolab” duke marrë për bazë interpretimin e më hershëm mbi arkat fiskale.

3. Duke marrë parasysh se tarifa për homologim nuk është vendosur me marrëveshjen ekskluzive 10 vjeçare, atëherë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet gjithashtu të hulumtojë arsyeshmerinë e tarifës (100 euro) të homologimit.

4. Nëse tarifa nuk është pjesë e marrëveshjes, atëherë Ministria e Infrastrukturës të nxjerrë një vendim të ri për tarifat e homologimit.

5. “Eurolab”-it t'i hiqet mbikëqyrja e qendrave të tjera të kontrollimit teknik sepse kjo paraqet konflikt interesi dhe përveç asaj, licencimi dhe inspektimi i tyre edhe ashtu bëhet nga Ministria e Infrastrukturës.

6. Të ndryshohet Udhëzimi Administrativ nr.2008/08 për homologimin e automjeteve, dhe me ndryshimet në këtë akt nënligjor të parashihet licencimi i më shumë se një subjekti homologues.

7. Të largohet neni 8.6 i udhëzimit administrativ nr.2008/08, i cili kushtëzon që kontrolli i parë teknike të kryhet nga kompania për homologim. Kjo pasi që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të drejtën e konsumatorit për të zgjedhur e cila garantohet me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

(Kosova Sot)