Pastrimi i drejtësisë, peng i mafio-politikanëve

  • 03 May 2016 - 07:51
Pastrimi i drejtësisë, peng i mafio-politikanëve

Gjykatat duhet të pavarësohen dhe të profesionalizohen

Politologu Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se doemos duhet që sistemi gjyqësor të pastrohet nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, por që, sipas tij, asgjë nuk mund të rregullohet në këtë drejtim derisa drejtësia në Kosovë është e ndikuar dhe e kapur nga ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, por edhe nga mafio-politika dhe bizneset kriminale

Pothuajse janë të shumta shkrimet në shtypin vendor dhe atë të huaj, në të cilat potencohet se sistemi gjyqësor, por edhe ai i drejtësisë në përgjithësi, duhet pastruar sa më parë nga njerëzit e dyshuar si të korruptuar, që janë të involvuar në veprime të kundërligjshme me qëllime të përfitimit. Këtë imperativ e kërkojnë edhe vetë drejtuesit më të lartë të gjykatave dhe prokurorisë, por edhe sistemit gjyqësor në tërësi, përmes konferencave të ndryshme që këta të fundit i organizojnë lidhur me këtë problematikë. Por, çështja është se si mund të kthehet besimi i qytetarëve tek drejtësia, kur dihet se numri i gjyqtarëve që po trafikojnë dhe po shesin lëndë gjyqësore veçse po rritet, derisa në anën tjetër thuajse askush nuk po merret seriozisht me ta. Kjo problematikë doemos e shtron edhe dilemën se kur do të fillojë më në fund pastrimi i gjyqësorit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar si dhe rrjetet mafioze që shtrihen nëpër gjykatat tona që fatkeqësisht në radhët e tyre përfshihen gjyqtarë, prokurorë e deri tek shoferët e gjykatësve që e luajnë rolin e kasnecit në mes të palës dhe pushtetarit? Politologu Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se doemos duhet që sistemi gjyqësor të pastrohet nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, por që, sipas tij, asgjë nuk mund të rregullohet në këtë drejtim derisa drejtësia në Kosovë është e ndikuar dhe e kapur nga ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, por edhe nga mafiopolitika dhe bizneset kriminale.

Në shërbim të klaneve mafioze

Krasniqi thotë se, ashtu siç ka ndodhur deri më tani, që gjykatësit dhe prokurorët u janë bindur politikës dhe bizneseve, njësoj, sipas tij, edhe gjykatësit dhe prokurorët e rinj do të veprojnë, duke iu bindur atyre që t’u shërbejnë kështu grupeve dhe klaneve mafioze të politikës dhe parapolitikës, në mënyrë që ata edhe në ardhmen të jenë të paprekshëm nga drejtësia. Në këtë kontekst, ai nënvizon se derisa Gjyqësori nuk do të fuqizohet dhe të jetë i lirë nga politika, do të jetë i kotë zëvendësimi i gjykatësve dhe prokurorëve me të rinj, me ata, siç thotë ai, që nuk kanë ndonjë lidhje me politikën dhe bizneset. Ai më tej shton se në Kosovë kemi të bëjmë me drejtësi selektive, ku qytetari i thjeshtë, i cili nuk ka ndonjë mbështetje politike, për një gjobë komunikacioni dënohet sikurse të ishte ndonjë kriminel, e që kjo siç thotë Krasniqi tregon më së miri se në Kosovë kemi drejtësi selektive. Këtu ai bën edhe një krahasim, duke thënë se për mafio-politikën bizneset kriminale dhe njerëzit që sillen rreth tyre drejtësia është ‘nënë’, derisa në anën tjetër për qytetarët e thjeshtë është ‘njerkë’. “Pra, nuk pres që drejtësia në Kosovë të shkëputet nga ndikimi i politikës, përderisa këta pushtetarë kriminelë e mafiozë do t’i kemi në skenën politike, ani pse shpresa vdes e fundit. Por, shpresa është që kur këto qelbësira do të largohen nga skena politike, në mënyrë që të kemi një gjyqësor të pavarur, të pandikuar nga politika dhe bizneset kriminale të lidhura ngushtë me politikanët mafiozë, jo vetëm në drejtësi, por në çdo fushë tjetër do të ketë lulëzim, sepse këta janë penguesit, shkatërruesit dhe kanceri i shtetit dhe gjithë shoqërisë. Deri atëherë mos të presim ditë të mira, por jo duke pritur duarkryq”, është shprehur Krasniqi.

Duhet transparencë dhe llogaridhënie

Analisti Haki Abazi mendon se janë disa hapa për të ndodhur pastrimi i gjyqësorit, por edhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Në këtë drejtim ai thotë se duhet bërë hapjen e sistemit gjyqësor për të lejuar transparencën dhe llogaridhënien, pastaj duhet eliminuar emërimet politike në pozitat kyçe. Më tej ai nënvizon se dënimet dhe ndëshkimet për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët shkelin procedurat dhe ligjin, do të duhej të jenë të larta për të rivendosur kësisoj standardin etik. Avokati Skender Musa tha për gazetën "Kosova Sot" se në Kosovë është krijuar në tërësi logjika e sundimit dhe jo ajo e qeverisjes që ekziston në sistemet ku vepron shteti juridik. Po ashtu, Musa thotë se sistemi politik dhe juridik i Kosovës janë krijuar mbi bazën e një sistemi të dobët dhe të korruptuar. Kësisoj, sipas tij, vetëm në Kosovë udhëheqësit mendojnë që të qeverisin me ekipe të dobëta dhe të kenë rezultate, derisa Musa thotë se kjo është e kundërta me atë që veprohet në vendet demokratike, në të cilat funksionarët në ekipet e tyre zgjedhin ekspertë dhe njohës të mirë të fushave të caktuara për funksionim sa më të mirë të sistemit. Në këtë drejtim, Musa nënvizon se ky sindrom negativ e ka përcjellë edhe sistemin e drejtësisë dhe si pasojë e kësaj Musa thotë se me njerëz, të cilët janë mësuar që të jenë të nënshtruar dhe vasalë të politikës nuk mund të zhvillohet apo edhe të reformohet drejtësia."Kosova ka nevojë për ndryshime në sistemin e drejtësisë dhe atë ndryshime rrënjësore, si në aspektin teknik ashtu edhe në resurset humane. Por, në Kosovë nuk është situata krejt e pashpresë, pasi ka njerëz të ndershëm dhe profesionalë në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe hetuesve policorë", ka deklaruar avokati Skender Musa për gazetën "Kosova Sot".

Duhet të ndryshojë lidershipi Deputeti Enver Hoti, nga Nisma për Kosovën, thotë se kjo qeveri nuk mund të bëjë kurrfarë ndryshimesh derisa pjesë e saj fatkeqësisht është edhe sistemi gjyqësor, por edhe ai i drejtësisë në përgjithësi, që është i kontrolluar në tërësi nga kjo qeveri. Hoti në këtë drejtim thotë se kjo klasë politike, si dhe këto institucione të vendit nuk mund të fillojnë që ta bëjnë spastrimin e gjyqësorit, ndërsa vetë përbrenda tij nuk ka kapacitete dhe as mundësi që të fillojë një spastrim të tillë që do të duhej të ishte. Kësisoj ai nënvizon se pa ndryshimin e klasës politike, pa ndryshimin e kësaj qeverie dhe pa ardhur, siç thotë, në shprehje njerëzit që kanë vlera të tjera, nuk ka shpresa që të ndodhë kjo. Hoti ngre edhe dilemën duke thënë se nuk e di se edhe ndërkombëtarët tani në cilin rol janë dhe se a janë edhe ata të inkriminuar në këtë çështje. A thotë se i ka lindur dyshimi nëse ata janë pjesë përbërëse e këtyre keqpërdorimeve dhe gjithë këtij degjenerimi të madh institucional në Kosovë dhe fatkeqësisht, sipas tij, kjo është edhe dilema e tanishme që po mbretëron edhe te qytetarët."Jam i bindur se këtu duhet të ndryshojë lidershipi, i cili do të ndërtonte edhe marrëdhënie të partneritetit për interes të vendit dhe qytetarëve në raport me ndërkombëtarët, por edhe që mban përgjegjësi institucionale dhe kushtetuese karshi gjendjes që është krijuar", ka potencuar Hoti. 

(Kosova Sot)