Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për nxitjen reciproke të investimeve

  • 03 May 2016 - 15:29
Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për nxitjen reciproke të investimeve

Qeveria shqiptare ka në fokus të saj nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Kosovën. Në këtë kuadër, një delegacion i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me ministren e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi.

Në fund të takimit, dy ministrat nënshkruan marrëveshjen për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Në zbatim të ligjit shqiptar për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, marrëveshja e nënshkruar u negociua nga ekipet teknike të të dy vendeve dhe u miratua në parim nga qeveritë respektive të dy vendeve.

“Marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve synon të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe nxitjen e investimeve direkte në Shqipëri dhe në Kosovë. Ajo u jep investitorëve të secilit vend, siguri dhe garanci që investimet e tyre do të mbrohen dhe do të trajtohen në mënyrë të drejtë, në pajtim të plotë me sundimin e ligjit, me standardet dhe praktikat e pranuara ndërkombëtare”, theksoi në fjalën e saj ministrja Ekonomi.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi kur palët do të njoftojnë njëra-tjetrën mbi përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërkombëtare nga të dyja vendet.

Kjo marrëveshje nuk do të cënojë të drejtat dhe detyrimet e marrëveshjeve të tjera në fuqi, të lidhura nga Shqipëria ose Kosova me palët e treta si dhe të drejtat dhe detyrimet që lindin nga anëtarësimi i të dy shteteve në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Me nxitjen dhe inkurajimin e investimeve reciproke mes vendeve tona, u shpreh ministrja Ekonomi, kjo marrëveshje synon që të ndihmojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendeve.

Ministrja Ekonomi në takim vlerësoi rritjen e investimeve direkte nga Kosova në Shqipëri dhe rritjen e volumit tregtar mes vendeve për vitin 2015.

Ndërsa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami vuri në dukje se vitet e kaluara dy vendet kanë pasur një intensifikim të bashkëpunimit ekonomik dhe shprehu besimin se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do ta rrisë dhe do t’i hapë rrugën e këtij bashkëpunimi. “Kemi shkëmbime tregtare të cilat janë domethënëse. Vitin e kaluar kemi pasur 165 milionë lekë importe nga Shqipëria dhe jemi partneri i dytë ku Shqipëria eksporton më së shumti, ndërkohë që për ne Shqipëria paraqitet si një partner shumë i rëndësishëm. Kemi eksportuar vitin e kaluar mbi 40 milionë euro mallra”, deklaroi Bajrami.

Sipas saj, ka një hapësirë për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe gjithashtu ne kemi filluar implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe bashkimi i kompanive kosovare me ato shqiptare do na bëjë ne konkurrente. Partneriteti, tha ajo, do të hapë rrugët e bashkëpunimit ekonomik dhe futjes në tregje që janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe Shqipërinë.

Të dy ministret diskutuan gjithashtu edhe ecurinë për zbatimin e marrëveshjes për lehtësimin e tregtisë në përputhje me fushat e parashikuara në protokollin zbatues dhe u angazhuan të shpeshtojnë kontaktet me qëllim realizmin e angazhimeve përkatëse. Po ashtu, zyrtaret biseduan edhe për bashkëpunimin në fushën e turizmit.

(Kosova Sot)