Badallaj: Shoqëria civile po kërkon hise në pushtet dhe Qeveri

  • 03 May 2016 - 18:19
Badallaj: Shoqëria civile po kërkon hise në pushtet dhe Qeveri

Politologu Albrim Badallaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, thotë se shoqëria civile e Kosovës nuk i ka shpëtuar kapjes nga politika, qoftë nga pushteti apo edhe opozita.

Ai thotë se edhe shoqëria civile po dëshiron të bëhet hisedare në pushtet dhe Qeveri.

“Kësisoj, jo rrallëherë kemi pasur aderime nga organizatat joqeveritare në partitë politike. Rasti më i freskët është thirrja e ish-opozitës së bashkuar për ta involvuar edhe shoqërinë civile dhe mediet në një listë të përbashkët dhe kësisoj vendi të mbetet pa përfaqësues apartiakë dhe të paanshëm. Një gjë e tillë edhe nga disa prirës të organizatave joqeveritare dhe instituteve, nuk është se u mohua", tha Badallaj.

Ai ka pohuar se nga ana tjetër, shoqëria civile, e cila dëshiron të përfitojë fonde, duhet që sadopak ta suportojë pushtetin, e sidomos në hulumtimet e nxjerra apo edhe në anketa, gjë që është duke e bërë në raste të shpeshta.

 E, kjo, sipas tij, nuk është e shëndetshme për ndryshimet pozitive që duhet të ishin pritje nga shoqëria civile.

"Në Kosovë nuk ka pasur raste konkrete, por në gjithë rajonin në përgjithësi, shoqëria civile zakonisht vihet në krye për të rrëzuar një qeveri dhe pastaj bëhet partnere qeverisëse me mazhorancën e re. Të tilla raste kemi konkretisht në Shqipëri. Në Kosovë realisht mungon deri diku zëri i shoqërisë civile, ndoshta për arsyen se ata janë të varur për shkak të fondeve," tha Badallaj për "Kosova Sot".

Ai ka pohuar se në Kosovë, zakonisht shoqëria civile vetëm mban tryeza bashkëbisedimi, paraqet raporte për problemet që i anketojnë dhe kësisoj kalojnë në një gjendje pasive të funksionimit.

 "Më shumë është folur për të drejtat e LGBT-ve, që shumica e vendeve të rajonit i ka anatemuar, sesa që flitet për varfërinë e korrupsionin. Pa dashur t'i fusim të gjithë në një thes, meqë ka njerëz të kalibrit të lartë edhe në ato organizata, mirëpo nuk mund ta mohojmë faktin që organizatat joqeveritare janë bërë një formë e mirë e përfitimit", ka thënë ai.

(Kosova Sot)