Shoqëria civile, nën thundrën e politikës

  • 03 May 2016 - 07:43
Shoqëria civile, nën thundrën e politikës

Aktivizimi vullnetar dhe qytetar, në nivele minimale

Lidhjet e fshehta të grupeve të interesit në shoqërinë civile me politikën pamundësojnë angazhimin aktiv për ndryshime pozitive në  shoqëri. OJQ-të drejtohen nga financuesit e tyre, që jo rrallë i kanë fijet deri te pushtetarët, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Qytetarët e Kosovës, veç humbjes së besimit te spektri politik qeveritar, dhe një pjesë e opozitës, për mundësinë e ndryshimeve pozitive në shoqëri,  një humbje të tillë besimi po e shfaqin edhe te pjesa dërmuese e shoqërisë civile. Sipas analistëve politikë dhe ekspertëve të pavarur, kjo gjendje e tillë shpërfaqet për shkak të lidhjeve të ngushta  të shumicës së grupeve të interesit të shoqërisë civile me politikën, pozitë dhe opozitë, por dëmin më të madh shpresës qytetare ia sjellin lidhjet me partitë politike në pushtet.  Këto lidhje të interesit nga individë kyçë brenda shoqërisë civile me politikën, krijojnë bindjen se edhe shoqëria civile  është  një trup i organizuar, kinse jo politik, pa  shpresë  se mund të ndryshojë diçka pozitive për qytetarin dhe interesin e përgjithshëm publik. Bazuar në këto rrethana, analisti politik, njohës edhe i praktikave politike ndërkombëtare Adlum Ramadani, thotë se në Kosovë fitohet përshtypja se nuk kemi fare shoqëri civile aktive dhe të aftë për ndryshime “revolucionare” në shoqëri.“Fatkeqësisht, duhet të potencohet se në Kosovë nuk ekziston termi "Shoqëri Civile", por "Shoqëri Servile", kjo për faktin se ajo çfarë kemi parë dhe vazhdojmë të shohim janë grupe(klienteliste) kinse të shoqërisë civile që promovojnë planet e Qeverisë dhe padyshim sulmojnë kritikuesit e saj”, është shprehur ai.

 

Humbja e legjitimitetit

Sipas Ramadanit, niveli aktual i shoqërisë civile ka humbur thuajse tërësisht legjitimitetin për të qenë një organizëm, i cili do të mund të ndikonte në ndryshimin e gjendjes së vështirë që ka katandisur vendin nga kjo klasë e papërgjegjshme politike. “Prirjet autoritare kanë lëshuar rrënjët aq thellë, saqë kanë kapur çdo mekanizëm që eventualisht do të mund të përdorej kundër tyre”, tha  Ramadani për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se në praktikat e shteteve të zhvilluara demokratike, ndikimi i shoqërisë civile si korrektor i fuqishëm i politikave të gabuara në qeverisjen e vendit është shumë i madh, derisa te ne po mungon një rol i tillë në interesin e përgjithshëm për qytetarin. “Në shoqëritë demokratike një nga shtyllat bazë është shoqëria civile, e cila në njëfarë forme është kundër pushtetit kur evidentohen padrejtësi/shkelje eventuale, por që në Kosovë ajo assesi se nuk po mund të jetë imune ndaj politikës, të paktën jo deri atëherë sa të jenë të politizuara institucionet. Pasja e një shoqërie civile aktive nënkupton pushtet të denjë, të përgjegjshëm dhe profesional dhe mbi të gjitha pushtet i cili do të mbronte interesat kombëtare të shtetit”, tha Adlum Ramadani për “Kosova Sot”.

Hisedare në pushtet Se shoqëria civile e Kosovës nuk i ka shpëtuar kapjes nga politika, qoftë nga pushteti apo edhe opozita, e nxjerr si konstatim edhe politologu Albrim Badallaj. " Thënë të drejtën, edhe shoqëria civile po dëshiron të bëhet hisedare në pushtet dhe Qeveri. Kësisoj, jo rrallëherë kemi pasur aderime nga organizatat joqeveritare në partitë politike. Rasti më i freskët është thirrja e ish-opozitës së bashkuar për ta involvuar edhe shoqërinë civile dhe mediet në një listë të përbashkët dhe kësisoj vendi të mbetet pa përfaqësues tillë edhe nga disa prirës të organizatave joqeveritare dhe instituteve, nuk është se u mohua", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se nga ana tjetër, shoqëria civile, e cila dëshiron të përfitojë fonde, duhet që sadopak ta suportojë pushtetin, e sidomos në hulumtimet e nxjerra apo edhe në anketa, gjë që është duke e bërë në raste të shpeshta. E, kjo, sipas tij, nuk është e shëndetshme për ndryshimet pozitive që duhet të ishin pritje nga shoqëria civile. "Në Kosovë nuk ka pasur raste konkrete, por në gjithë rajonin në përgjithësi, shoqëria civile zakonisht vihet në krye për të rrëzuar një qeveri dhe pastaj bëhet partnere qeverisëse me mazhorancën e re. Të tilla raste kemi konkretisht në Shqipëri.

Në Kosovë realisht mungon deri diku zëri i shoqërisë civile, ndoshta për arsyen se ata janë të varur për shkak të fondeve," tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se në Kosovë, zakonisht shoqëria civile vetëm mban tryeza bashkëbisedimi, paraqet raporte për problemet që i anketojnë dhe kësisoj kalojnë në një gjendje pasive të funksionimit. "Më shumë është folur për të drejtat e LGBT-ve, që shumica e vendeve të rajonit i ka anatemuar, sesa që flitet për varfërinë e korrupsionin. Pa dashur t'i fusim të gjithë në një thes, meqë ka njerëz të kalibrit të lartë edhe në ato organizata, mirëpo nuk mund ta mohojmë faktin që organizatat joqeveritare janë bërë një formë e mirë e përfitimit", ka thënë ai. OJQ-të e kapura Lidhjen e fuqishme të një rrjeti të shoqërisë civile me vetë politikën në pushtet, që është aq e barrikaduar kundër ndryshimeve pozitive në qeverisjen e vendit, e pohon edhe analisti tjetër Florim Zeqa. "Sikurse çdo segment tjetër i jetës në Kosovë, edhe shoqëria civile është e kapur dhe ngufatur keq nga grupet e interesit të lidhura me politikën, qoftë prej partive në pushtet ashtu edhe nga ato në opozitë. Niveli i qasjes së shoqërisë civile në funksion të ndryshimit të gjendjes së rënduar politike, është tepër sipërfaqësor, pak përmbajtjesor dhe mjaft pasiv në veprimet e tyre", u shpreh ai. "Reagimet e rralla dhe tejet të lehta të drejtuesve të "OJQ"-ve dhe shoqërisë civile ndaj keqpërdorimeve dhe abuzimeve të njëpasnjëshme të pushtetarëve, ka krijuar përshtypjen te qytetarët se të njëjtët janë duke bashkërenduar me pushtetarët në qeverisjen e vendit, janë bërë krahu i fuqishëm i tyre. Andaj, një shoqëri civile e dorëzuar para pushtetarëve nuk mund t'i sjellë asnjëherë vendit ndryshimin e duhur, përkundrazi mund të ndikojë negativisht në katandisjen e mëtutjeshme të vendit nga kjo klasë politike, sa e papërgjegjshme po aq e korruptuar dhe e kriminalizuar", ka theksuar Zeqa.

Transparenca në duart e vetë organizatave

Faktin se Shoqëria civile e Kosovë është fuqishëm e ndikuar nga politika në pushtet, por që nuk e monitoron atë në funksionimin e mëtejshëm, e argumenton edhe zbardhja e së vërtetës rreth mënyrës së financimit të rrjetit të OJQ-ve, që përbëjnë korpusin e shoqërisë civile. "OJQ-të në Kosovë financohen nga institucionet e Republikës së Kosovës të nivelit qendror, por edhe ato lokale. Po ashtu, shumë OJQ financohen nga donacionet e jashtme. Monitorimi i OJQ-ve nuk është kompetencë e Departamentit për OJQ/MAP, ato i monitorojnë organet kompetente nga fushëveprimtaria e tyre", ka pohuar për "Kosova Sot", zyrtari për informim në Ministrinë e Administratës Publike të Kosovës, Zeqir Bekolli. Ai ka thënë se sa i takon transparencës së OJQ-ve, për këtë duhet të deklarohen vetë ato, OJQ-të, derisa për financimin e tyre kujdesen edhe donatorë të tjerë, përveç institucioneve të Kosovës. "Prapa financimit të tyre sigurisht qëndrojnë donatorët, të cilët u ndajnë donacione, por mbajnë përgjegjësi vetë OJQ-të për mënyrën e shfrytëzimit të tyre", tha Bekolli.

(Kosova Sot)