Pedofili dhunoi gjashtëvjeçaren para se ta hidhte nga ballkoni

  • 03 May 2016 - 22:38
Pedofili dhunoi gjashtëvjeçaren para se ta hidhte nga ballkoni

Policia italiane beson që një vajzë e vogël, e cila kishte rënë për vdekje nga ballkoni në katin e tetë, ishte dhunuar paraprakisht nga një burrë, i cili e kishte flakur nga ballkoni. Gjashtëvjeçarja Fortuna Loffredo ka vdekur në qershor të vitit 2014 në Kajvano, në afërsi të Napolit dhe meqë rasti i vdekjes së saj është rihapur së fundmi, Italia është tronditur nga detajet e tmerrshme, që kanë të bëjnë me vdekjen e saj,shkruan gazeta Kosova Sot

Një burrë 44-vjeçar, Raimondo Caputo, është arrestuar dhe akuzuar për dhunim dhe vrasje, gjë për të cilën policia ka thënë që ka ardhur pasi që ajo ka refuzuar abuzimin seksual. Policia kanë bërë të ditur që dyshimet mbi të akuzuarin kanë nisur pasi që njëri prej fëmijëve të tij kishte pretenduar që edhe ata ishin abuzuar seksualisht nga i ati. I dyshuari tashmë është në burg në Romë, përkundër faktit që deri më tani i ka mohuar akuzat.

Caputo ishte duke u vëzhguar

Caputo ka qenë duke u mbikëqyrur në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve të tij, pasi që paraprakisht ai ishte akuzuar për ngacmimin e tyre. Akuzat e fundit për dhunim dhe vrasje kanë ardhur pas një hetimi dyvjeçar, që kishte ngjallur polemika kur autopsia kishte zbuluar që gjashtëvjeçarja e vdekur paraprakisht ishte abuzuar seksualisht. E, në kohën kur ishte bërë i ditur ky detaj, Caputo veçse ishte duke u vëzhguar, pasi që në nëntor të vitit 2015 kishin filluar dyshimet që ai po e ngacmonte seksualisht vajzën e tij trevjeçare.

Prokurorët kanë bërë të ditur që qysh prej fillimit kishin dyshuar që gjashtëvjeçarja e ndjerë kishte rënë viktimë e një rrjeti pedofilësh. Nëna e saj, Domenica Guardato, ka thënë që ajo gjithmonë ka menduar se çifti - Caputo dhe e dashura e tij 32- vjeçare, që po mbahet në arrest shtëpiak - ishin fajtor për vdekjen e vajzës së saj. "Gjithmonë kam qenë e sigurt që ata ma kanë vrarë vajzën. Nuk e kam takuar kurrë burrin (Caputon), ndërsa akuzat e mia janë hedhur poshtë nga ajo (e dashura e Caputo-s)", ka thënë nëna e gjashtëvjeçares së ndjerë. 

"Edhe sot nuk e di pse ma kanë vrarë vogëlushen"

Guardato më tutje ka shtuar që në lagje të gjithë heshtin sa herë që bëhet fjalë për vdekjen e Fortuna-s."Kam menduar e shpresuar që sot, të paktën sot, dikush nga ky vend i mallkuar do të flet diçka ose të ma ofrojë një përqafim. Mirëpo asgjë. Këtu gjithmonë ka mbretëruar heshtja dhe kështu do të mbetet përgjithmonë. Unë jam e vetmja që flas për këtë krim pasi që ndjej dhimbje të tmerrshme. Ndjej dhimbje që nuk do të më zhduket kurrë.

E kam dashur Fortuna-n. E kam dashur ashtu siç mund ta dojë një nënë vajzën e saj dhe ata ma kanë vrarë. Edhe sot nuk e di pse ma kanë vrarë vogëlushen", ka thënë ajo me lot në sy. Fëmijët e Caputo-s tashmë janë në mbikëqyrje shtetërore. Për rastin në fjalë ka folur edhe Papa Françesku, i cili të dielën ka thënë që "kjo është një tragjedi dhe se abuzimi me të miturit nuk duhet lejuar". Ai më tutje ka kërkuar dënim të rëndë për abuzuesin.  

(Kosova Sot)