Shteti i mundësoi Devollit të zhvatë miliona

  • 04 May 2016 - 07:39
Shteti i mundësoi Devollit të zhvatë miliona

Edhe shoqëria civile, përmes hulumtimeve të veta, ka konfirmuar shkrimet e gazetës "Kosova Sot", për monopolet që po e shkatërrojnë ekonominë e Kosovës. Drejtuesit e Institutit GAP, të martën, në konferencën para medieve, kanë shpalosur rezultatet e një hulumtimi të gjatë lidhur me monopolin që ekziston në fushën e homologimit të veturave të importuara që tash e 7 vjet e ka kompania "Eurolab", pronë e vëllezërve "Devolli",shkruan gazeta Kosova Sot.

GAP-i ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që ta hetojë kontratën e nënshkruar në mes të Ministrisë së Transportit dhe kompanisë "Eurolab", për monopolin e homologimit të veturave, e nënshkruar në vitin 2009.

Sipas zyrtarëve të GAP-it, konsiderohet se kjo kontratë është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Jeton Mehmeti, drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, i cili paraqiti analizën e këtij instituti, tha se një kontratë e tillë është në kundërshtim me parimet kushtetuese, Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe me Ligjin për prokurimin publik. Një praktikë e tillë, sipas tij, është në kundërshtim edhe me praktikat e rajonit dhe Bashkimit Evropian. Shkelje flagrante e ligjit Mehmeti theksoi se monopoli në homologimin e veturave në Kosovë është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. "Prandaj, një kontratë e tillë dhënë 'Eurolabit' në vitin 2009, del të jetë pa ndonjë qasje serioze dhe ka një shkelje që ka të bëjë me Ligjin për Prokurimin Publik, sepse nuk ka pasur thirrje për aplikim të firmave, të cilat do të merrnin një veprimtari të tillë.

Pra, përmes kësaj kontrate ekskluzive, 'Eurolabit' përveçse i është dhënë ekskluziviteti apo monopoli në homologimin e veturave, asaj i është dhënë edhe një favor tjetër, që ka të bëjë me kontrollin e parë teknik. Sepse çdo qytetar i Kosovës, i cili duhet ta bëjë homologimin, është i detyruar që ta bëjë dhe kontrollin teknik aty. Dhe, kjo sipas analizës sonë, është në kundërshtim dhe me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, sepse detyron qytetarët që në të njëjtën kohë në të njëjtin vend të kryejnë dhe një obligim tjetër", tha Mehmeti. Panelisti Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, tha se Kosova është vendi i vetëm në rajon, i cili ka vendosur monopol në homologimin e veturave, dhe se çmimi i homologimit në Kosovë prej 100 euro është dukshëm më i lartë, në krahasim me vendet tjera të rajonit, dhe madje është më i shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së. Duke krahasuar çmimin e homologimit në Kosovë me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, Demi tha se kosovarët nga viti 2009 deri më 2015 kanë shpenzuar 2.4 milionë euro më shumë, sesa që do të shpenzonin në rast se nuk do të ekzistonte monopoli dhe çmimi do të ishte i ngjashëm me vendet e rajonit.

GAP-i rekomandon, Prokuroria në pritje

Përmes kësaj analize, instituti GAP ka rekomanduar që fillimisht rasti të dërgohet në Prokurori për hetim, meqë kjo kontratë është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në të njëjtën kohë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet ta interpretojë monopolin e homologimit, duke marrë për bazë interpretimin e mëhershëm mbi arkat fiskale. Veç të tjerash, GAP-i rekomandon që "Eurolabit" t'i hiqet mbikëqyrja e qendrave të tjera të kontrollimit teknik, sepse kjo paraqet konflikt interesi dhe përveç asaj, licencimi dhe inspektimi i tyre edhe ashtu bëhet nga Ministria e Infrastrukturës. Për më tepër, duhet të ndryshohet sa më parë Udhëzimi Administrativ nr.2008/08 për homologimin e veturave, dhe me ndryshimet në këtë akt nënligjor të parashihet licencimi i më shumë se një subjekti homologes, si dhe të largohet neni 8.6 i tij, i cili kushtëzon që kontrolli i parë teknik të kryhet nga kompania për homologim, pasi që kjo bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të drejtën e konsumatorit për të zgjedhur.

Lidhur me të dhënat e prezantuara, gazeta i është drejtuar Prokurorisë së Kosovës, nëse do të nisë apo kanë nisur procedura hetimore Prokuroria e Shtetit ndaj oligarkut Shkëlqim Devolli dhe zyrtarëve shtetërorë, konkretisht ministrive përkatëse, të cilat në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi kanë lejuar monopolin që të ketë QAK-u, që është në pronësi të 'Devollit' dhe duke i lejuar kësaj kompanie të zhvatë qytetarët dhe të përfitojë miliona në vit në mënyrë të paligjshme, duke kujtuar kohën kur gazeta "Kosova Sot" ka dëshmuar me një mori shkrimesh për monopolet në këtë fushë nga vëllezërit "Devolli" me bekimin e pushtetarëve. Por, përgjigjja nga Prokuroria është dekurajuese. "Nuk kemi marrë asnjë kallëzim penal, e as ndonjë informacion apo të dhënë nga Instituti GAP, e cila krijon dyshimin e bazuar se është kryer ndonjë vepër penale", ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës. 

Tregu i çrregulluar

Ekspertët e ekonomisë thonë se e keqja është se nuk është vetëm kjo fushë që ka monopole, por monopole të tilla ka në shumë fusha të ekonomisë së brishtë të Kosovës. Ismajl Kastrati, ishkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se është e vështirë të parashikohet se çfarë vendimi do të marrë Qeveria për luftimin e monopolit, kur vetë Qeveria, apo një pjesë e saj, është kreatore e monopoleve. "Aktualisht, në ekonominë tonë funksionojnë të mbështetura nga Qeveria, apo me bekimin e Qeverisë, monopolet, ose oligopolet: në sistemin bankar, në elektroenergjetikë, në telekomunikacion, si p.sh. 'Z- Mobile', në importin dhe kontrollin e naftës dhe derivateve të saj, në tregti, supermarkete, në homologimin e veturave, në kompanitë e sigurimeve, Shoqata e sigurimeve për kartonin e gjelbër, në terminalet doganore", tha Kastrati, duke shtuar se këto monopole të koordinuara nga strukturat e caktuara edhe kriminale të Qeverisë dhe Parlamentit e ushqejnë korrupsionin dhe krimin ekonomik.

"Ndërkaq, është vërtetuar se korrupsioni e rrit koston e mallrave të konsumit për 20 për qind dhe kush i paguan këto", tha Kastrati. Ndërsa, ligjëruesi universitar, Osman Ejupi, ish-kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se Qeveria duhet sa më parë marrë vendim, të funksionalizojë Autoritetin e Konkurrencës, i cili është i obliguar ta zbatojë Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, e me këtë edhe mbrojtjen e tregut nga monopolet. "Nuk ka nevojë të zbulohet asgjë, vetëm e vetëm zbatimi i ligjit në fuqi. Natyrisht në mbrojtjen e tregut duhet të ndihmojnë edhe mekanizmat e tjerë të linjës, dikasteret qeveritare, rregullatorët e pavarur, inspeksioni, si dhe komuniteti i biznesit në përgjithësi", tha Ejupi.  

(Kosova Sot)