KPMM-ja inkasoi 30 milionë euro

  • 04 May 2016 - 07:46
KPMM-ja inkasoi 30 milionë euro

Në mbledhjen e radhës të Komisionit për Zhvillim Ekonomik,Tregti dhe Industri, që u drejtua nga kryetari Muhamet Mustafa, në prani të anë- tarëve të këtij komisioni, u bë shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale - KPMM për vitin 2015, si edhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil - AAC për vitin 2015,shkruan gazeta Kosova Sot.

Me këtë rast anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, kanë aprovuar me disa konkluzione dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale - KPMM për vitin 2015. Kryesuesi i bordit të KPMM-së, Musa Shabani, ka thënë se për shkak të rënies së çmimeve të metaleve në tregjet botërore, prapëseprapë me një angazhim të përkushtuar KPMM-ja ka arritur rezultate pozitive gjatë vitit 2015.

Ai po ashtu tha se gjatë vitit 2015 KPMM-ja ka inkasuar mbi 30 milionë euro të hyra nga gjobat dhe licencat. Ndërsa, anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kanë qenë të interesuar të njoftohen rreth fatit të 'Trepçës'. Raif Çela, anëtar i Komisionit, ka kërkuar të dijë se sa ka ndikuar në punën e 'Trepçës' mungesa e licencës gjatë periudhës prill 2014 deri në maj të 2015. Pasi gjatë kësaj periudhe bordi i KPMM-së ka qenë i pakompletuar. Shabani ka thënë se 'Trepça' vazhdon të ketë probleme edhe me licencë. Komisioni ka provuar raportin e KPMM-së dhe i njëjti do të procedohet në Kuvend për votim.

(Kosova Sot)