Trump shumë afër marrjes së nominimit

  • 04 May 2016 - 11:11
Trump shumë afër marrjes së nominimit

Miliarderi amerikan, Donald Trump, duket se është shumë afër marrjes së nominimit presidencial nga ana e republikanëve, për zgjedhjet presidenciale në SHBA, pasi mposhti të martën rivalin e tij kryesor në një fitore kritike në shtetin amerikan të Indianas.

Kundërshtari i tij serioz, senatori Ted Cruz, hoqi dorë nga gara pas humbjes në Indiana, një shtet ku ai dikur shpresonte se do ta fitonte.

Me Cruzin jashtë garës, kryesuesi i Partisë Republikane, Reince Preibus, deklaroi se Trump është i “nominuari i paragjykuar” i partisë dhe u bëri thirrje të gjithë republikanëve, përmes një postimi në twitter, që “të bashkohen dhe fokusohen në mposhtjen e Hillary Clinton.”

Demkoratja Clinton, nga ana tjetër, tregohet pothuajse e bindur se do ta arrijë nominimin e partisë së saj, pavarësisht humbjes nga rivali i saj Bernie Sanders në shtetin e Indianas. Ajo veçse ka 92 për qind të delegatëve që i nevojiten për ta siguruar nominimin e Partisë Demokratike në Konventën që mbahet në muajin korrik.

Trump, pikëpamjet e të cilit për politikën e jashtme kanë ngritur alarm në disa kryeqytete botërore, sidomos në Islamabad, e bëri të qartë se ai e sheh Hillary Clinton si pengesën e vetme drejt arritjes në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne i jemi vënë pas Hillary Clintonit”, tha ai para një turme njerëzish që festonin në Nju Jork, duke shtuar se ish-senatorja amerikane, ish-zonja e parë e shtetit, dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, do të ishte “një presidente e dobët”.

Ai tha se do të fitojë në nëntor, madje se do ta shënojë një fitore të madhe dhe se Amerika do të jetë në rend të parë.

Ndërkohë, këshilltari i lartë i Clintonit, John Podesta, tha se Trump paraqet “rrezik të madh” për t’u bërë president.

“Ne do të kemi njëfushatë të ashpër kundër një kandidati që thotë dhe bën çdo gjë”, tha Clinton për Trumpin më herët gjatë ditës, duke shtuar se do ta eliminojë atë nga gara.

Lidhur me qëndrimet e fundit për çështjet ndërkombëtare, Trump tha se ai ka për qëllim që të punojë më ngushtë me Rusinë, përderisa ka kërcënuar se do t’i ndalojë ndihmat për Pakistanin, në mënyrë që ta detyrojë Islamabadin që ta lirojë mjekun i cili ndihmoi SHBA-të për ta gjetur dhe vrarë liderin e Al-Qaedës, Osama Bin Laden.

Pasi mori shumicën nga 57 delegatët e Indianas, Trump tani ka 1.047 nga 1,237 kandidatët e nevojshëm për ta siguruar fitoren në Konventën e Republikanëve, që mbahet në muajin korrik.

Atij i duhet t’i fitojë edhe 200 delegatë, apo 42 për qind të atyre që alokohen në zgjedhjet paraprake në SHBA, nisur prej tani e deri më 7 qershor, gjë që mund të konsiderohet se ai do ta bëjë lehtësisht, marrë parasysh performancën e tij në zgjedhjet në shtete deri më tani.

Kjo është arsyeja pse shumë liderë të Partisë Republikane, sikurse Priebus, pasi luftuan për muaj të tërë kundër kandidimit të Trumpit, tani po e pranojnë se ai është i nominuari i pashmangshëm.

Disa republikanë të tjerë, megjithatë, mund të refuzojnë të bashkohen e qëndrojnë prapa Trumpit, përjell rel. Agjencia e lajmeve AP raporton se disa konservatorë planifikojnë të takohen më 4 Maj për të vlerësuar mundësinë e një kandidati të palës së tretë, që do të sfidonte Trumpin në vjeshtë.

(Kosova Sot)