Komisioni Evropian propozon lëvizje pa viza për Turqinë

  • 04 May 2016 - 13:35
Komisioni Evropian propozon lëvizje pa viza për Turqinë

Ekzekutivi i Bashkimit Evropian ka propozuar që qytetarët turq të udhëtojnë pa viza brenda bllokut, posa Ankaraja t’i plotësojë kushtet e përcaktuara nga ky institucion.

Zëvendëspresidenti i Komisonit Evropian, Frans Timmermans, ka thënë se pret nga Turqia që t’i përmbushë pesë kushte deri në fund të qershorit, në mënyrë që qytetarët turq të udhëtojnë pa viza.

Masat kundër korrupsionit, ofrimi i bashkëpunimit juridik me të gjitha shtetet e BE-së, mbrojtja e të dhënave personale, dhe lufta kundër terrorizmit, janë kushtet që Komisioni Evropian kërkon nga Turqia t’i plotësojë, në mënyrë që ta fitojë të drejtën e lëvizjes së lirë me Bashkimin Evropian.

Ai ka shtuar se në javët e fundit Turqia ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe ka shënuar progres të madh, pavarësisht se kanë mbetur edhe shumë punë për të bërë.

Deri në fund të vitit, Timmerman ka thënë se Turqia duhet t’i ndërrojë pasaportat, dhe se asnjë qytetar nuk do të mund të hyjë në BE pa e pasur një pasaportë biometrike.

Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Turqia ta zbatojë në përpikëri marrëveshjen e nënshkruar me Bashkimin Evropian, për krizën me migrantë.

(Koosva Sot)